Java që i paraprin ardhjes së Papës në Shqipëri është e ngjeshur edhe me aktivitete për vizitën historike. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, e hapin këtë javë me mbajtjen e konferencës shkencore: “Kisha katolike dhe shqiptarët presin Atin e Shenjtë” më 15.09.2014.
Fort të nderuar,
Jemi të gjithë duke përjetuar emocionet e një ngjarje shumë të veçantë, jo thjesht për komunitetin katolik, por për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët kudo që janë.
Papa Françesku nuk është në sytë tanë vetëm kreu i një shteti, por është një personazh shumë dimensional, personalitet botëror, që përballet me dosjet e forta të shoqërisë së sotme, me temat e politikës globale dhe të të drejtave të njeriut.
Duke zgjedhur Shqipërinë si stacionin e parë evropian ai pohon se një vend nuk është i rëndësishëm nëse ndodhet në qendër apo në periferi, por bëhet i tillë kur di tregojë se ka çfarë ndan me qytetërimin që e rrethon.
Kjo vizitë, përveçse është një përgjigje e dashur ndaj ftesës që i bëri kryeministri Rama, bëhet nën shenjën e dialogut ndërfetar, të tolerancës dhe të bashkëjetesës pa prekur diversitetin dhe respektin për tjetrin.
Edhe më i fortë bëhet ky mesazh që Papa synon të japë duke zgjedhur Shqipërinë kur Shqipëria këtë bashkëjetesë e sprovoi përmes traumës më të madhe që mund të ketë kaluar besimi në ndonjë vend.
Për 40 vjet Shqipëria ishte laboratori ku u krye eksperimenti më i pabesueshëm njerëzor: ai i ndalimit dhe ndëshkimit të besimit.
E megjithë persekutimin e klerit, shkatërrimin e kishave dhe xhamive, martirizimin e priftërinjve, ndrydhjen e mendjeve e të ndjenjave, Shqipëria ia doli, mendja njerëzore mbijetoi dhe besimi u ringjall, jo vetëm besimi fetar, por besimi te forca shpirtërore. Dhe këtë fat tragjik sikurse dhe ringjalljen, komunitetet e ndanë bashkë, në të mirë e në të keq.
Shqipëria është sot jo vetëm vendi i lirisë së besimit por sidomos vendi i lirisë së zgjedhjes.
Vizita e Papes e nxjerr në pah këtë vlerë evropiane duke e pajtuar me një moment tjetër shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, atë të afrimit institucional me Evropën e bashkuar.
Ky dimension evropian, kulturor dhe politik njëkohësisht, është ajo që ne duam të zhvillojmë, të ndërtojmë, por edhe ta tregojmë e ta ndajmë me botën.
Rast më të mirë se kjo javë zor se gjejmë.
Dhe për këtë, në emër të qeverisë shqiptare, dëshiroj të falenderoj komunitetin katolik, të gjitha komunitetet fetare, shqiptaret dhe shqiptarët që kanë kontribuar në ndërtimin e këtij imazhi të Shqipërisë si dhe Atin e Shenjtë, që me vizitën e tij ia njeh Shqipërisë këtë vlerë dhe ia ngre në piedestal.
Fjala e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro me rastin e vizitës së Atit të Shenjtë në konferencën “Kisha Katolike dhe shqiptarët presin Atin e Shenjtë”.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.