Përkujtohet në Shkodër 25 vjetori i Meshës publike, që shënoi rënien e komunizmit.
Me datë 4 nëntor 2015 do të kremtohet në Shkodër Mesha në të cilën do të përkujtohet Mesha e parë e kremtuar nëmë 4 nëntor 1990 ndërsa ishte ende në këmbë regjimi komunist në Varrezën e Rrmajit prej dom Simon Jubanit. Kremtimi i kësaj Meshe shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste, rifitimin e lirisë njerëzore e fetare dhe të demokracisë në Shqipëri.
Dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste.
Dom Simoni e sfidoi diktaturën pikërisht me aktin që kishte ndaluar lirinë e besimit, e sfidoi me kremtimin e Meshës së parë në liri.
Kështu, data e 4 nëntori 1990 mbeti e paharruar në mendjen e zemrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.
Festimet në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme do të vazhdojnë me përurimin e Varrezës së restauruar të Rrmajit, projekt I realizuar nga Ministria e Kulturës dhe Autoritetet Kishtare. Po ashtu në darkë në orën 17.00 do të mbahet një Koncert nga koret në Katedralen e Shkodrës.
4 nëntor 2015, Shkodër
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.