Ministria e Kulturës dhe Këshilli Britanik nënshkruan sot protokollin e bashkëpunimit në fushën e politikave kulturore, krijimit të kapaciteteve dhe promovimit midis dy vendeve. Kjo marrëveshje hartohet për të qartësuar rolet dhe përgjegjësitë e Ministrisë Shqiptare të Kulturës dhe Këshillit Britanik në Shqipëri në kuadrin e bashkëpunimit të tyre në këto fusha. Qëllimet dhe objektivat e këtij bashkëpunimi institucional do të synojnë në ekspertizë nga Mbretëria e Bashkuar për të mbështetur hartimin e strategjisë, mbështetje në politika dhe praktika për një menaxhim më të mirë kulturor dhe institucional në Shqipëri, mbështetje me burime njerëzore dhe financiare në një program trajnues për stafin e teatrove, muzeve dhe galerive shqiptare për zhvillimin e audiencës, mbledhjen e fondeve dhe hartimin dhe implementimin e programeve edukuese. Sipas kësaj marrëveshjeje u ra dakord për bashkëpunimin dhe partneritetin e Këshillit Britanik me Ministrinë e Kulturës në Shqipëri në implementimin e projektit UNLIMITED dhe promovimin e artit gjithëpërfshirës në Shqipëri. Protokolli i bashkëpunimit garanton mbështetje me ekspertë sipas modeleve të Mbretërisë së Bashkuar në menaxhimin e artit dhe institucioneve kulturore; asistencë nga Këshilli Britanik për stafin e institucioneve kulturore dhe drejtuesve me qëllimin zhvillimin e aftësive të nevojshme për të hapur institucione të tilla për komunitetin dhe mënyra të reja të punës; mbështetje dhe asistencë në drejtim të përmirësimit të performancës së institucioneve kulturore në Shqipëri (teatro, muze dhe galeri) nëpërmjet rritjes së numrit të vizitorëve/ spektatorëve, në terren dhe bashkëveprim me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë, etj. Këshilli Britanik angazhohet në mbështetje të prezantimit të modeleve të reja të artit dhe kulturës në fushën e artit gjithëpërfshirës dhe industrive krijuese. Gjithashtu angazhohet të garantojë një kalendar të përvitshëm aktivitetesh të artit, për t’i prezantuar audiencës shqiptare krijimtarinë më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar në artet vizuale, muzikë dhe industritë krijuese. Ministria e Kulturës do të angazhohet të mbështesë zhvillimin e trajnimeve, tureve studimore, vizitave shkëmbyese dhe raporteve institucionale; do të kontribuojë në mbështetje të artistëve me aftësi të kufizuara, nëpërmjet programeve aktuale dhe atyre të parashikuara në mbështetje të artit dhe kulturës në Shqipëri.
Protokolli i bashkëpunimit u firmos nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtori Rajonal i Këshillit Britanik, Michael Bird.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.