Në datën 6 nëntor 2015, në Paris u zhvillua konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, takim që u mbajt për të promovuar edukimin si edhe për të ndaluar rrjedhën e ekstremizmit të dhunshëm.
Teksa bota përballet me një kërcënim që nuk njeh kufij, anëtarët e UNESCO -s treguan angazhimin e tyre në përballimin e kësaj sfide duke cilësuar dijen dhe arsimin si “armën e duhur”.
Pjese e kësaj konference ishte edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila vuri theksin në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke e përmendur rolin e saj në shumë organizata ndërkombëtare, si një realitet gjeopolitik në Europën Juglindore”.
Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, theksoi në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
Fjala e plotë e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro,
Paris, 7 nëntor 2015
Të nderuar pjesëmarrës
Zoti President, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj dhe t’ju uroj presidencë të mbarë dhe efikase gjatë kësaj Konference, e cila zhvillohet në një vit të veçantë për familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara, 70 vjetori i krijimit të saj.
Askush nuk mund të bëjë pa kulturën. I vetmi kufizim është vullneti ynë.
Vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit.
Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit.
Është rasti të theksohet se deri në ç’pikë ky komunikim dhe bashkëpunim i shërben secilit prej vendeve anëtare, dhe jo anëtare, në UNESCO, sepse filozofia, metodat e punës dhe objektivat e saj janë universale.
Bash për këtë, më lejoni të kem vëmendjen tuaj lidhur me kërkesën për antarësim të Kosovës në UNESCO.
Me marrjen e vendimit, me shumicë të qartë, për t’i rekomanduar Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, antarësimin e Kosovës, në vijim të një rezolute të propozuar nga Shqipëria, Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s kreu detyrën e tij institucionale.
Zonja dhe Zotërinj,
Anëtarë të familjes tonë të përbashkët!
Kosova, e njohur nga 111 Shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara është anëtare e shumë organizatave të tjera ndërkombëtare, ajo është tanimë një realitet gjeopolitik në Europën Juglindore.
E lidhur ngushtë me parimet e demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe Shtetit të së drejtës, Kosova vazhdon të pohojë dhe konsolidojë aspiratën e saj europiane.
Sapo e dëshmoi, duke firmosur në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian.
Përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore, autoritetet kosovare dhe elitat e Kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore.Ata kanë reaguar një zëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave dhe manastireve ortodokse.
Kisha ortodokse serbe, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Sitet e UNESCO-s dhe të gjitha qendrat e trashëgimisë kulturore, vizitohen çdo vit nga mijëra turistë, mbrohen nga një kuadër juridik i konsoliduar dhe modern, që është pjesë e legjislacionit të Kosovës, dhe i koordinuar e nën kujdesin e komunitetit ndërkombëtar pranishëm në Kosovë. Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e 2004, janë restauruar e rindërtuar me financat e qeverisë së Kosovës e të partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik, trashëgimia kulturore në Kosovë ka qënë themeli i përbashkët i burrave dhe grave, të cilët kanë ndarë gjithçka për shekuj me rradhë. Konflikti dhe armiqësitë e një brezi, madje edhe dy, nuk mund të ndryshojnë atë çka përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike.
Nuk është thjeshtë një çështje antarësimi në UNESCO. Është e gjitha çështje e emancipimit të shoqërisë, e të gjitha shoqërive tona dhe e mendjes së hapur.
Anëtarësimi i Kosovës në Unesco, është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar. Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit.
Të gjithë shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do te ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brënda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike.
Kultura nuk njeh kufij adiministrativë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar Tjetrin, përkundrazi, ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO-s.
Për antarësimin e Kosovës në UNESCO, nuk është e interesuar vetëm Kosova, por edhe fqinjët e saj, Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët përfitojnë po aq shumë. Nuk do të mundemi të mbrojmë dhe promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur dhe promovuar ato të fqinjëve, ato të Tjetrit.
Nën mbikëqyrjen dhe asistencën e Organizatës, vendi duhet të shohë me vëmendje të veçantë trashëgiminë materiale dhe jo materiale, duke përfshirë monumentet tanimë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të cilën ai është përgjegjës dhe për të cilën përgjigjet përpara gjithë njerëzimit.
Asnjë politikë nuk vlen jashtë realiteteve.
Me këtë shprehje të thjeshtë të gjeneralit de Gaulle në një botë të koklavitur, ne nuk do të rreshtim së propozuari dhe ftuari të gjithë vendet anëtare të UNESCO-s të mbështesin anëtarësimin e Kosovës dhe të votojnë për të gjatë këtij sesioni të Konferencës së Përgjithshme në Paris.
Zonja dhë Zotërinj,
Është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë.
Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës.
Faleminderit
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.