Fjala e plotë e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja të Ministrisë së Kulturës - Ministria e Kulturës
Postuar më: 12/01/2015

Fjala e plotë e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja të Ministrisë së Kulturës

“Mirëserdhët,
Jo thjesht në Ministrinë e Kulturës por në një nga ndërtesat mitike të kulturës, të trashëgimisë kulturore, të kinemasë shqiptare, të figurave të ekranit të madh dhe të historisë bashkëkohore të Shqipërisë.
Administrata e Kulturës, për vite të tëra, u hodh si top nga një portë në tjetrën, herë duke u tkurrur e më së shumti duke shtuar emërtimet, porsa më shumë i shtoheshin emra aq më pak rëndësi i jepej, a thua se u kishte zënë derën qeverive.
Derisa e futën në një ndërtesë jo pak të rëndësishme për nga vendodhja, arkitektura, historia dhe roli që kishte luajtur në jetën shpirtërore të shqiptarëve siç ishte ish-Lidhja e Shkrimtarëve.
Por me të mbyllur portat pas shpine ajo që ndodhi brenda asaj godine ishte një masakër monumentale saç’ishte monument i veçantë kulture vetë ndërtesa.
Njërës prej sallave më interesante të qytetit, ia prenë në mes barkun, hollin elegant e thërrmuan në kolibe duralumini, që u ndryshkën para se të mbaronte te puna.
E për të mos ju thënë më shumë për nëpërkëmbjen e dinjitetit të institucionit të kulturës e njerëzve të saj.
Pas riorganizimit nga qeveria Rama, kemi më në fund një Ministri të dedikuar për kulturën.
Të dedikuar në të gjitha kuptimet. Pa shtojca dhe me gjithë vëmendjen që meriton Kultura.
Fusha jonë e veprimit është Kultura e trashëguar, Kultura e arti që zhvillohet çdo ditë, dhe edukimi kulturor.
Por ajo është e dedikuar edhe sepse ka një skuadër që bashkë me institucionet e saj kulturore punon çdo ditë me përkushtim.
Falë këtij përkushtimi në një vit Ministria e Kulturës ka ndërmarrë e kryer reforma të mëdha strukturore, ka hapur dyert për të gjitha format e shprehjes artistike, ka rifituar besimin e publikut dhe gjallëruar fort jetën kulturore brenda e jashtë kufijve duke i dhënë Kulturës statusin e merituar të hapësirës pa kufi dhe duke ia lënë skenën artistëve dhe njerëzve të kulturës.
Qeveria shqiptare tregoi me intensitet dhe me vepra se ka mundur në fare pak kohë të hapë kantieret e guximshme për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, me një frymë të re gjallimi të hapësirave që mendoheshin të humbura, që ishin harruar se ishin, që ishin po s’përdoreshin,
Sheshi “Nënë Tereza”, pedonalet, parqet arkeologjike, restaurimet e banesave, rijetëzimi i institucioneve publike, i qendrave të trashëgimisë, projektet muzeale, secila e menduar si një dekor, si një hapësirë estetike, ku çdo grup, çdo moshë, çdo formë shprehjeje, gjen dhe mund të kërkojë skenën e vet të fjalës artistike.
Dhe ky është vetëm fillimi.
Hapësira ku ndodhemi sot, ndërtesa, arkitektura, dekori, dhe fryma e saj janë skena ku do të luajë sot e tutje, rolin e saj shumë të rëndësishëm, Ministria e Kultures!
Jo vetëm si administratë, por si zemër institucionale, jo vetëm me shkresa, por me aksione kulturore, jo vetëm me zyra, por me shpirtra njerëzorë, jovetëm me punonjësit e saj, por me të gjithë bashkëpunëtorët e skenës së pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë.
Hollet, galeritë dhe sallat madhështore të kësaj ndërtese do të jenë krejtësisht në funksion e në dispozicion të njerëzve të artit e të kulturës, peë ekspozita të lira, për promovime, koncerte, performancë artistike, shkëmbime idesh dhe dëshirash.
Jo vetëm kaq!
Oborri i pashëm me ullinj e jo vetëm, që do të administrohet nga Ministria e Kulturës do të kthehet në një park për art dhe medium, për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet.
Idetë dhe propozimet janë të mirëpritura. Bashkëpunimet dhe partneritetet gjithashtu.
Unë besoj fort te energjia publike!
Kjo godinë publike do të jetë prova e gjallë e kësaj energjie, pikërisht aty ku nuk besohej se do të riktheheshin institucionet publike.
Ministria e Kulturës nuk do të jetë vetëm një sportel në shërbim të publikut e të komunitetit kulturor, por do të jetë një qendër kulturore, që do të sjellë qendrën afër njerëzve që tuten të shkojnë në qendër.
Sepse kultura nuk është vetëm për disa dhe as e disave, Kultura nuk është një luks që na shtohet pasi kemi zgjidhur hallet e ekzistencës. Në vizionin tonë kultura është vetë jeta. Dhe e tillë duhet të jetë për të gjithë.
Ministria juaj e Kulturës, në gjithë dinjitetin e saj, do të jetë përgjithmonë e ardhmja e këtij tempulli të ri.
Dhe, kur bëhet fjalë për të ardhmen, nuk kemi pse e parashikojmë, vetëm punojmë që ta bëjmë atë të mundur.
Ky është një premtim. E mbajtëm dhe do e mbajmë. Çdo ditë. Të gjithë bashkë.

Tani ju ftoj ta vizitoni, ta njihni, ta sodisni dhe të bëni planet për aktivitetet tuaja të ardhshme! Por edhe të ndajmë një gotë së bashku”.