Fjala e Ministres Znj. Mirela Kumbaro Furxhi në ndarjen e çmimeve "Penda e Argjendtë" 2012 - Ministria e Kulturës
Postuar më: 09/12/2013

Fjala e Ministres Znj. Mirela Kumbaro Furxhi në ndarjen e çmimeve “Penda e Argjendtë” 2012

Sot jepen çmimet letrare të vitit dhe çmimi për gazetarinë kulturore të shkruar,  theksoj të shkruar, “Teodor Keko” për vitin 2012.

Do duhej të ishin dhënë këto çmime në përfundim të atij viti. Por nuk ndodhi.

 

Pas marrjes së detyrës, ekipi i ri i Ministrisë së Kulturës u gjend para prodhimtarisë së dy viteve bashkë, 2012 dhe 2013.

 

Për të konsideruar më të mirët në letërsinë dhe  gazetarinë kulturore të vitit 2012, u ngritën me urdhër të ish ministrit të kulturës Z. Aldo Bumçi juritë që do të shprehen sot, si dhe juria për çmimin Lumo Skëndo e cila do të shprehet në ditët në vijim.

Këto juri e kishin filluar punën e tyre, në pranvere të 2013-ës, pa mundur ta përmbyllin këtë proces,  pavarësisht rëndësisë që merrte ky vlerësim, ndër të tjera,  në 100 vjetorin e pavarësisë.

 

E gjendur përpara këtij fakti, dhe vështirësisë për të marrë një vendim  tjetër i cili do të shpërfillte juritë  e ngritura dhe punën e tyre, Ministria e Kulturës vendosi që pikërisht këto juri të shpien deri në fund punën e nisur për vlerësimin dhe zgjedhjen e fituesve të atij viti.

 

 

Sot, të dy juritë, ajo e çmimeve letrare dhe ajo e gazetarisë kulturore, në mënyrë krejt të pavarur nga Ministria e Kulturës e cila nuk përfaqsohet në to me asnjë anëtar, kanë përfunduar këtë ndërmarrje vlerësimi për vitin 2012 dhe bëjnë sot publikë fituesit, të cilët unë i mësoj sot njësoj si ju.

 

Dhe kur jemi te çmimet letrare, mendja më shkon te një model çmimi fort i dashur për mua për nga cilësitë letrare që ka nxjerrë në pah. E kam fjalën për çmimin letrar francez Goncourt.

 

Vullnetarë janë anëtarët e Akademisë Goncourt, që e japin këtë çmim.

Vetëm 10 euro është çeku që merr fituesi i këtij çmimi.

110 vjet ka ky çmim që i jepet çdo vit veprës më të mirë letrare në Francë.

 

Megjithatë, Goncourt mbetet sot një nga çmimet më prestigjioze në Europë, që i siguron më pas autorit një vend nderi në hierarkinë e vlerave në republikën e letrave të bukura, dhe pa dyshim edhe shumë përkthime në gjuhë të tjera të botës.

 

Kjo s’do të thotë se s’ka çmime të tjera, që jepen nga organizata, subjekte mediatike e shoqërore apo edhe fondacione të cilat luajnë rol në skenën kulturore të vendit. Por çka i bashkon është konkurrenca e cilësisë, e promovimit të vlerës artistike, e kritikës dalluese.

 

Le të kthehemi te ne.

 

Në këta njëzet vjet:

– të fjalës së lirë në ndërtim,

 

– të rrekjes për të rigjetur një kritikë letrare, të tjetërsuar në diktaturë në shumëçka, por që zor se quhej kritikë letrare.

 

– të kërkimit të vetvetes si personalitete letrare, si shkolla pa rryma, si rryma në formësim.

 

– të kërkimit të kohës së humbur duke kopjuar modernen tashmë të kthyer në klasike në çdo vend tjetër por jo këtu, sepse na kishin lënë në peron të gjithë trenat e zhvillimeve letrare,

 

– të zvoglimit të botës brenda vendit tonë të vogël

 

– të rikthimit te mitet letrare te viteve 20-30 pasi u perplasëm me lapidaret e realizmit socialist

 

– të kapjes fort pas fenomenit Kadare, si prova e pakundërshtueshme se talenti letrar është më i fortë se diktatura.

 

POR edhe

 

– të ngjarjeve letrare që kanë shenjuar këta njëzet vjet dhe të risive individuale në letrat shqipe

 

Që nga vitet 90, Ministritë e kulturës, me radhë, ngritën sisteme çmimesh letrare.

 

Qëllimi është për t’u lëvduar: nxitje të krijimtarisë, vlerësim të autorëve, të traditës, të autorëve të rinj, të gjinive të ndryshme letrare, të përkthimit, të gazetarisë kulturore, e kështu me radhë.

 

Por, (e këtu zor të mos biem në një mendje), vështirë e patëm të ndërtojmë çmime që të shërbenin si vlerësime të qendrueshme, të besueshme dhe deri diku si shkolla kritike, ndonëse në listat e tyre gjen jo pak nga emrat më të mirë të letrave të sotme shqipe.

 

Herë të cilësuara me emra të përgjithshëm e herë me emra të përveçëm, skemat e ndryshme të çmimeve që fryheshin a tkurreshin, përveç vullneteve të mira për të kënaqur sa më shumë autorë, botues a studjues, përveç sikleteve për të bërë qoka, përveç hatërngeljeve të vgola dhe inateve të mëdha, përveç dëshirës që edhe cilësia letrare të mos mbetej pa u treguar, përveç ndërhyrjeve politike që veç punë kanë prishur, tregonin se sa e vështirë është të japësh çmime në funksion të një kritike profesioniste.

 

Arsyet janë të shumta e sot roli im nuk është të bëj kritikën e kritikës.

 

Sot dua vetëm të them se, bash për këto që thashë, Ministria e Kulturës, duke filluar nga viti tjetër, gjykon se nuk është më e udhës të japë aq shumë çmime, ndarë në gjini a në emra çka, nga ana tjetër, nuk i pengon gjinitë e emrat të zhvillohen.

 

Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e Ministrisë.

 

Nga ana tjetër, vlerësime stimuluese të fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe kritikës letrare dhe nisma nxitëse do të shtjellohen gjatë vitit në një kalendar letrar që do të shenjojë momente të ndryshme siç është dita botërore e librit, dita botërore e përkthimit, Panairi i librit, etj.

 

Viti 2014 do të jetë padyshim një vit me risi dhe politika nxitëse për krijuesit e letrave, autorët dhe përkthyesit sepse ne besojmë që, në një vend të vogël, artistët dhe krijuesit nuk mund të lihen të përballen vetëm me lojën e tregut, ata nuk mund të mbijetojnë në një treg pa rregulla loje për artin.

 

Dhe pikërisht për këtë vëmendja e politikave kulturore do të jetë mbi ta.

 

Dhe tani Juritë, të cilat i falenderoj për volumin e punës së kryer,  jane për ju.