Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në konferencën “E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një trashëgimie". - Ministria e Kulturës
Postuar më: 15/04/2015

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në konferencën “E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një trashëgimie”.

“Ishte viti 1936 kur nisi ndërtimi i këtij pallati.
Natyrisht si një pallat për mbretin.
Por deri në prill 1939, mbreti jo vetëm s’arriti ta shohë të mbaruar por u largua një herë e përgjithmonë nga Shqipëria.
Ngrehina madhështore e konceptuar dhe nisur nga arkitektë dhe inxhinierë italianë u vijua po nga profesionistët e përtej detit duke i vënë vulën arkitekturore historike italiane pallatit, dekorit, mobiljeve, parkut, kopshtit, skulpturave.
Emri i Gherardo Bosio-s është tashmë aq ngushtësisht i lidhur me historinë e arkitekturës së Tiranës sa dhe me këtë pallat.
Ishte sërish pranverë, maj 1941, kur një tjetër mbret e përuroi, Viktor Emanueli III.
Por ai që e banoi, në një farë mënyre më shumë, nuk ishte mbret, por mëkëmbës mbreti.
Më pas komunizmi i hodhi hekurat Pallatit, censuroi pjesë të tij edhe për vetë sytë e diktatorit, e përdori pak, ose fare pak, duke e futur në listën e mollëve të ndaluara.
Gjithësesi për fat të mirë nuk e dëmtoi, dhe kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme, sidomos po të kujtojmë krimet makabre që po ndodhin mbi trashëgiminë kulturore botërore nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, në Irak.
Nuk do bëj as historinë e historisë dhe as historinë e arkitekturës së këtij Pallati, dëshmitar, ai vetë I jashtëzakonshëm, i historisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Siç e keni parë në program ka njerëz shumë më të zotë se sa unë për ta bërë këtë.
Por dua vetëm të theksoj pse jemi sot këtu.
Qysh në fillim të qeverisë Rama, një nga shqetësimet tona të kahershme dhe që nuk mund të mos e vinim në rendin e ditës të programit kulturor, ishte shfrytëzimi i shumë hapësirave ekzistuese të papërdorura, të paditura, të harruara, të mbyllura si ky pallat, si Vila e ish-diktatorit në Bllok, si Shtëpia e Gjetheve, bunkerët, e kështu me radhë.
Vullnet që tashmë e kemi treguar duke i hapur e vënë në dispozicion të komunitetit edhe në këtë gjendje siç janë, edhe me këtë status që kanë, sa herë ka pasur interes.
Jemi një vend i vogël dhe nuk e kemi luksin të mos përdorim hapësirat që kemi.
Ky pallat, ky kopësht, kjo hapësirë, ka qenë mister për shqiptarët gjatë dekadave, tmerr të gjata, të diktaturës.
Aso kohe e kemi shuar kureshtjen me të vetmin film artistik të realizmit socialist realizuar brenda këtyre mureve, “Pallati i perandorit”, duke e vizituar kështu virtualisht, përmes kritikës historiko-folkorike të partizanit Meke, – për ata që e kanë parë filmin, ose që, si unë, e kishin këtë film pjesë të detyruar të mësimit të historisë së manipuluar sipas ideologjisë së kohës, prej ku dhe emri “Pallati i Brigadave”, ndonese pak kush e di se emri zyrtar sot është “Pallati Presidencial”
Sot, kemi gjithë vullnetin, jo për ta përdorur thjesht në funksionin e tij zyrtar siç ka vijuar këta 25 vjet, pa ndryshuar asgjë thuajse nga metoda e viteve të komunizmit, por për ta hapur krejt këtë hapësirë, kërkesë që në fakt Bashkia e Tiranës e ka bërë që në vitin 2004, por që rezultoi pa sukses.
Duhet ta hapim, në radhë të parë për t’ia kthyer publikut, sepse është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, është pjesë e pasurisë së Republikës dhe e banorëve të saj.
Në radhë të dytë për ta bërë të dobishme, si për aktivitete kulturore, muzeale, për ta vënë në shërbim të komunitetit artistik, shkencor, por edhe tëngjarjeve njerëzore të Republikës, për momentet e rëndësishme të jetës apo të punës të komunitetit shoqëror.
Në radhë të tretë për ta futur në itinerarin e vizitave kulturore dhe turistike të Tiranës dhe të Shqipërisë.
Është e pafalshme që ky Pallat, do të thoja kjo “kështjellë” (në kuptimin francez të fjalës) të mos gjendet sot në asnjë nga udhërrëfyesit apo këshillat turistike për Tiranën.
Kemi pasuri që s’dimë t’i tregojmë e të cilat mund të sjellin jo vetëm kënaqësi por edhe të ardhura.
Pa pretenduar se po bëjmë ndonjë shpikje, kjo është formula që përdor çdo vend i qytetëruar, qoftënë republika si SHBA apo Franca ku edhe Shtëpia e Bardhë apo Pallati Elysee janë të vizitueshme për publikun, qoftë në monarki, si Britania e Madhe ku Buckingam Palace është një nga sitet më të vizituara eme të ardhura të rëndësishme prej turizmit.
E pra, 70 e kusur vite më pas, ky Pallat është gjithmonë këtu, por i sëmurë, i degraduar. Historia e ka përdorur ose nuk e ka përdorur, por sidomos nuk e ka kuruar e aspak mirëmbajtur.
Dhe nëse jemi sot këtu, ka dhe një histori të vogël:
Një vit më parë, në kërkim të partnerëve për zbatimin e planit që sapo paraqita për Pallatin, iu drejtova Zotit Michael Granoff, President i Bordit të Fondacionit Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit
Dua të sjell një moment nga ajo bisedë:
Zoti Granoff, ju më thatë: “Pallati? Shqipëria ka gjëra shumë më të rëndësishme, siç është Butrinti apo Gjirokastra.”
Nëse ju kujtohet ju jam përgjigjur pak a shumë kështu: “Sepse Butrinti apo Gjirokastra janë në listën e UNESCO-s, sepse për to flasin të gjithë, sepse ne shqiptarët ato, ua tregojmë të gjithëve, sepse të gjithë i njohin dhe i vizitojnë dhe pastaj ua tregojnë të tjerëve e kështu me radhë.
Nëse ne do të bëjmë të njëjtën gjë me Pallatin, që ndodhet në zemër të kryeqytetit, por fshehur nga syri i vizitorëve, kaq afër e kaq larg, pra, nëse e zbulojmë, e tregojmë, e vlerësojmë, e rivlerësojmë, e promovojmë, Pallati do jetë pa dyshim një histori suksesi, gjithashtu.”
Dhe në vijim ju më thatë: “Let’s talk about the Palace!”
Në fakt atë po bëjmë!
Etapa e parë ishte studimi i gjendjes aktuale fizike të Pallatit, si i një të sëmuri. Prandaj këtë etapë e quajtëm diagnostikim, i cili u mbështet plotësisht nga Fondacioni dhe dua këtu publikisht ta falenderoj, si dhe për çdo bashkëpunim tjetër në fushën e trashëgimisë, për çka kam folur e do të vazhdojmë të flasim, madje edhe nesër në një tjetër monument kulture ku kemi bashkuar forcat siç është muzeu i ri Marubi.
Megjithë vullnetin financiar të Fondacionit, apo atë politik të qeverisë, them se studimin nuk do e bënim dot siç duhej pa kontributin e ekspertëve në këtë projekt: Insituti për Ruajtjen dhe Vlerësimin e Trashëgimisë Kulturore, në Firence dhe Universiteti i Firences, duke ndjekur kështu gjurmët italiane në këtë monument shqiptar.
Dua t’i falenderoj për punën profesionale, për kujdesin dhe pasionin që kanë dhënë në këtë fazë të projektit tonë në bashkëpunim me arkitektët shqiptarë, Armand Vokshin nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Arta Dollani, drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Sot, kjo konferencë synon jo vetëm të bëjë prezantimin e një pune shkencore me shumë vlerë për studjuesit dhe këtu dua të falenderoj miqtë e bashkepunëtorët e përhershëm në të tilla aktivitete shumë të rëndësishme të komunikimit kulturor, Ambasadën Italiane dhe Instititutin Italian të kulturës, por edhe të shënojë fazën e parë të një projekti shumë më të madh:
Tani që e dimë sa dhe si duhet ndërhyrë për ta shpëtuar Pallatin nga degradimi, do të shpallim së afërmi konkursin për projektin e rijetëzimit të tij sipas funksioneve që përmenda më parë.
Përfitoj nga rasti të ftoj bashkëpunëtorët e deritanishëm të bëhen pjesë e fazave të mëtejshmë të zhvillimit të projektit funksional.
Dhe tani të dashur miq uroj një ditë të bukur brenda Pallatit dhe me Pallatin.
Pallati është i juaji!”