“Deti i bardhë” na risjell rreth librit për të dytën herë, pas dy vjetësh, ndonëse secili prej nesh jeton me librin gati çdo ditë, në mos si autor si përkthyes, në mos si përkthyes si botues e në mos qoftë asnjëri prej këtyre, si LEXUES, me L të madhe, gjithkush nga ne nuk mund të mos jetë.
E theksoj këtë të fundit sepse sa herë flasim, ankohemi apo lëvdohemi për librat jemi thellësisht egoistë duke e menduar botën e librit në trajektore të shkurtër nga tryeza e krijuesit, duke kaluar përmes botuesit e deri në librari, pastaj aty ose presim të ndodhë mrekullia, ose bombardojmë artificialisht tregun me zhurmën mediatike – për atë që e ka këtë luks fiktiv – ose qahemi se nga shoqëria apo institucionet, s’ka nxitje, s’ka mbështetje, për botuesit, për autorët, për përkthyesit.
Dhe presim që Lexuesi, që duam të na ndjekë, ta bëjë këtë vetë, pa mbështetje, pa ndihmë, pa edukim, pa mësim, pa mendim.
E gabuar kjo ndarje, qoftë si koncept, qoftë si qasje.
Nga pozicioni i detyrës që mbaj kam analizuar shumë herë këtë rrugëtim të librit, dhe në shumicën e programeve, politikave, nismave, LEXUESI më del i HARRUARI i madh.
Ca për shkak të profesionit tim të përhershëm, por sidomos për shkak të detyrës time të përkohshme, lexoj me shumë vëmendje çdo gjykim, kritikë, mendim, apo edhe reagim emocional që hidhet në tregun e opinioneve apo në tryezat letrare.
Më duhet të pohoj se i gjej, jo rrallë, individualiste, bazuar mbi një interes të drejtëpërdrejtë të grupit apo të individit qoftë ky i fundit Autor, Përkthyes apo Botues.
Besoj se kjo është shumë reduktuese për Librin, i cili edhe nëse e konsiderojmë një “mall”, kulturor natyrisht, nuk mund të jetojë e aq më pak t’i mbijetojë kohës dhe hapësirës nëse nuk lidhet ura e komunikimit nga autori te lexuesi, urë mbi të cilën ecën edhe Përkthyesi edhe Botuesi si krijues e ndërmjetës të sigurt.
Që ura të lidhet ka nevojë së pari për Lexues.
Lexues nuk lind. Lexues edukohesh. Edukimin s’e bën vetëm shkolla, as vetëm familja.
Çdo aktor në një shoqëri të emancipuar ka detyrë edukimin.
Kjo është arsyeja pse për të të gjitha kategoritë e publikut, si të skenës, të muzeut dhe të artit pamor, ashtu edhe të librit, kemi caktuar një prioritet madhor Edukimin përmes artit dhe kulturës.
Jemi shumë të bindur se nëse nuk punojmë për të krijuar, edukuar, mbajtur e nxitur lexuesin, libri do të vdesë.
Kjo eshte arsyeja pse Ministria e Kulturës ndërmerr, nxit e mbështet të gjitha nismat që synojnë, jo vetëm Krijuesit, jo vetëm botuesit, por sidomos Lexuesit.
Të tillë e konsiderojmë këtë Festival me një ide fantastike siç është “Tirana lexon” !
Përfitues janë të gjithë. Sidomos e ardhmja.
Aktivitete leximi, për këdo, në çdo vend, dhe me çdo rast nuk janë të mjaftueshme, sidomos kur sapo kanë filluar si tendencë.
Duhet edhe një tjetër mekanizëm shumë i rëndësishëm për të edukuar Lexuesin, por edhe për të krijuar një hierarki vlerash të krijuesit: duhet kritika letrare.
Le ta themi që kjo mungon. E vërteta është se nuk e kemi pasur, nëse nuk llogaris këtu disa embrione të pafuqishme që nuk i kanë rezistuar tregut, dhe atë histori të lëvduar të viteve 20-30 e cila nuk u zhvillua dot për shkak se kritika e mirëfilltë u mbyll në burgun e diktaturës.
Zhvillimi i kritikës është një sfidë që nuk e zgjidhin dot as vendimet administrative dhe as financimet e fondeve publike. Do kohën e vet, tokën e vet pjellore, shkallën e caktuar të emancipimit të shoqërisë.
Ndërkohë duhet punuar fort me Lexuesin, sepse një lexues cilësor do të kërkojë kritikën cilësore se s’bën e më pas, do të jetë sfidë për autorët e përkthyesit cilësorë.
Të tilla biseda, lexime, përballje me Tjetrin, – jo qoka me komshiun mik e kushëri, janë forma të reja të Republikës shqiptare të letrave.
Ministria e Kulturës i ka mbështetur që në krye të herës të tilla iniciativa e do i mbështesë në vijim, sikurse ka punuar për të krijuar në dy vite programe të dedikuara për Fondin e Përkthimit Letrar, Fondin për Mbështetjen e Krijimtarisë letrare Shqipe. Me të cilat do të vijojmë, dhe në 2016 parashikojmë Fondin e mbështetjes së Bibliotekave .
Po kështu do të hapim dhe fondin për përkthim të letrave shqipe në gjuhë të huaja në ato raste kur një shtëpi e huaj botuese është e gatshme të botojë autorë shqiptarë.
Dy fjalë për titullin e këtij Festivali, titull që nuk e kam zgjedhur, por që e pëlqej.
Letërsia në transit.
Letërsia është jetë, është një mënyrë me të cilën autori ose përkthyesi – unë nuk i ndaj dot këta te dy – i krijon vetes jetë të tjera, të përkohshme, të dëshiruara, të paarritura në realitet dhe të fantazuara si mundësi të shumëfishimit identitar të vetevetes.
Jemi të gjithë në transit të qëndrueshëm.
Çdo krijim është vetëm një stacion.
Çdo gjuhë në të cilën shkruajmë a lexojmë është një tren nga një stacion te tjetri. Në transit janë edhe identitetet tona të ndërkëmbyeshme e polifonike.
Vendi ku jetojmë dhe vendi nga kemi ardhur, vendi ku prodhojmë letërsi, ku e botojmë apo qoftë edhe ku e konsumojmë letërsinë, përkufizon gjithaq gjendjen e tranzitit të përhershëm, të një rrugëtimi si mënyrë egzistence.
Kam parasysh Shën Agustinin kur thotë
« In via, in patria ». ( I vetmi atdhe është rrugëtimi)
Rrugëtim të mbarë këtij Deti të Bardhë të cilit i uroj që në edicionin e tretë të vijë me ftesën “Shqipëria lexon”!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.