Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër - Ministria e Kulturës
Postuar më: 13/05/2015

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit të Shqiperisë

I nderuar Zoti Kryeministër,

Të dashur kolegë Ministër,

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë

Të nderuar Ambasadorë

Fort të dashur miq, dashamirës, artistë

Gjirokastritë të shtrenjtë!

 

Pak është të them se jam e emocionuar që kam nderin të hap ngjarjen më të madhe kombëtare të trashëgimisë sonë shpirtërore!

Ndodhemi vërtet në Kalanë e Argjiros, por sapo kemi filluar të jetojmë kështjellën e folklorit dhe të traditave kulturore shqiptare që për një javë të pandalur do të rigjallërojnë vetveten dhe zemrat tona.

Ky festival vjen jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri  shpirtërore e popullit dhe kombit por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë.

Kemi një thesar të jashtëzakonshëm në larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore , pa folur për kostumet që janë vërtet të rralla për nga densiteti dhe historia.

Gjatë një viti pune me më shumë se 7500 bartës të folklorit dhe burimet e vërteta të trashëgimisë kulturore jemi mahnitur me pasuritë tona.

Të gjitha këto nuk perceptohen çdo ditë sepse janë të shpërndara në të gjitha lëndinat e fshatrave, qyteteve, në sënduqe e shtëpira.

Kjo sofër që ngrihet një herë në pesë vjet sot i mbledh më të mirat e tyre. Nga Shkodra në Vlorë, nga Tetova në Sarandë, nga Prishtina në Korçë nga Ulqini në Tropojë!

Është pikërisht ky festival, që bëhet një herë në pesë vjet, monumenti më i madh i trashëgimisë jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj siç ruajmë e mbrojmë kalatë.

Ky festival, ndryshe nga të mëparshmit vjen më i plotë me larminë e instrumentave, me marramendjen e kostumeve të rigjallëruara, me pasionin ditës plot ngjarje, që nuk mbaron dhe që ia lë vendin natës jo për gjumë por për festë. 24 orë festival, 7 ditë rresht, rreth 1500 pjesëmarrës, për të përcjellë energjitë e të gjitha zemrave shqiptare që vijnë nga ShBA deri te Arbëreshët e Italisë.

Është festival plot surpriza! Por dhe festival të rinjsh! Ky është gëzimi ynë më i madh sepse tradita e përkthyer nga rinia që mbush skenën e këtij festivali si ansjëherë tjetër është kultura që ndërton Shqipëria e Brezit Tjetër.

S’mund të jetë ndryshe kur në festival kemi dhe folkloristin më të ri në moshë: Lahutarin 105 vjecar, Gjokën nga Lezha! Po, po!

Pas kuintave natyrore janë disa dhjetëra njerëz, skuadrat e  Ministrisë së Kulturës, dhe bashkëpunëtorët tanë, që kanë punuar shumë fort, më besoni! Por unë nuk do i falenderoj sot. Ne e kemi zakon që falenderimet i bëjmë ditën e fundit.

Sonte dua t’u jap zemër të gjithë atyre duke ju falenderuar ju të gjithëve që na besuat!

Fort të nderuar miq, kam nderin e vecantë ta deklaroj të hapur Festivalin Folkorik Kombëtar 2015!

Dhe më lejoni të ftoj në skenë njeriun që na jep zemër e na beson në punën e pasionin tonë për kulturën, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.