Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në ceremoninë e restaurimit të veprës "Zoja e Shkodrës". - Ministria e Kulturës
Postuar më: 25/04/2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në ceremoninë e restaurimit të veprës “Zoja e Shkodrës”.

“Gjithçka nisi në shtator 2015, kur vija shpesh në Shkodër, në Famullinë e Shën Shtjefnit, për të përgatitur restaurimin e Kapelës së Rrmajit dhe bashkë me Dom Arturin dhe Dom Nikën, ceremoninë e 25 vjetorit të Meshës së Lirisë në nëntor të po atij viti.

Tek zbrisnim shkallët e Famullisë, ndeshem me një pikturë Madone, varur në mur, prej të cilave ishin varur ngjyrat, ishte varur rrypa- rrypa vetë telajo e ikonës që më magjepsi ende me vështrimin e pashuar, me cepin e buzës, ende trëndafil, me përkuljen po prapë elegante.

Por edhe më tronditi jo pak, pasi rrjepja e kohës, dhuna, qoftë edhe metaforike, që duhej ta kishte përplasur atë ikonë nga depua në depo, nga një dorë në tjetrën, në vitet e errta kur Katedralen e përdhosën pa e rrëzuar, kur besimin e lidhën pa e tjetërsuar, kur artin religjioz e burgosën pa e shuar, – flisnin më shumë se vetë ikona.

Dom Arturi, më i fortë shpirtërisht se sa unë, – natyrisht, – ishte mësuar me atë pamje dhe di të shohë atë që unë s’di, di të shohë vështrimin dhe simbolin e Zojës, prandaj kaloi gati pa u ndalur para saj.

“Madona dhe Fëmija” është një imazh tradicional i shenjtë, ndër më të vjetrit në art dhe në ikonografine e krishterë, i interpretuar në të gjitha llojet e arteve pamore; skulpturë, mozaikë, pikturë murale, pikturë në dru, fildish etj. Veprat e frymëzuara nga ky subjekt, përshkruajnë Virgjëreshën Mari me Jezusin fëmijë, zakonisht të mbajtur në krahët e saj. Por, ndryshe ishte ikona që pashë.

– Po kjo? mbajta këmbët dhe dëgjova historinë e Zojës së Shkodrës, por edhe nuk i rezistova tundimit për ta prekur.

Aty për aty mora vendimin që Zoja e Shkodrës meritonte jo vetëm nderim shpirtëror nga besimtarët dhe kisha, por meritonte edhe dinjitet artistik si trashëgimi kulturore dhe historike nga institucionet.

Historia e njohur e këtij imazhi fillon në 25 Prill 1467, kur vepra (një fragment afresku i prerë dhe i hequr) u zhvendos nga një mur i kishës së vjetër agostiniane Shën Maria në Shkodër dhe u vendos në Santuarin e Maddona del Buon Consiglio në Genazzano, pranë Romës. Sipas një legjende, në vitin 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim e kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.

Por nga kjo ditë fillon edhe ky udhëtim i dytë i Zojës drejt Tiranës për të ndalur degradimin dhe për ta konsoliduar në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Me bëkimin e Dom Arturit!

Mundësitë tona për restaurimin e telajove,janë thuajse zero.

Marrëveshja me Palazzo Spinelli, ishte një mundësi e shkëlqyer që vetëm do të përforcohej nga bashkëpunimi në emër të Shkodrës e të Zojës së Shkodrës.

Prandaj vijoi udhëtimi drejt Firences, një vit më parë.

Si unë, si Arta, si Dom Arturi e kemi ndjekur ikonën në proces e sipër, me merakun e njeriut të shtëpisë.

Jemi mahnitur nga kujdesi e cilësia e punimit, a thua se vetë Zoja ishte bashkëpunuese në këtë aksion të rrallë, e shtyrë prej padurimit për t’u kthyer në shtëpi të vet.

Kur gjithçka mbaroi, emocionin e kisha të madh, shumë të madh, sepse ajo që në fillim më ishte dukur një marri nga ana ime, dhe e pamundur për t’u realizuar nga ne në Institut, u përkrye nga mjeshtria e Palazzo Spinelli-t që sot rikthehet edhe si një përvojë profesionale e veçantë.

Faleminderit Emanuele sinqerisht!

Por mbi të gjithë dua të falenderoj Dom Arturin dhe Famullinë e Shen Shtjefnit, që më besoi, që na besoi, dhe na dorëzoi Zojën duke na bërë të ndërgjegjshëm se nuk kishim marrë në dorëzim një pikturë, por vetë Shkodrën. Si dhe për të tjera punë shumë të mira që kemi bërë bashkë me Katedralen dhe Shkodrën, dua të falenderoj të gjithë shkodranët, që pa frikë mund të quhet kryeqytet i Kulturës.

Dua të falenderoj gjithashtu Ditmirin, që si gjithmonë, por kësaj radhe më shumë se gjithmonë, qysh në fillim na ndihmoi për të gjitha procedurat e udhëtimit të Zojës. Të gjitha ngjarjet dhe arritjet kulturore që në të njëjtën kohë janë edhe ura komunikimi kulturor, unë nuk i bëj dot vetëm nëse Ditmiri, Ministria e Jashtme nuk është krah nesh, me ndryshimin se ne të Kulturës dalim në skenë ndërsa diplomatët vijojnë të na mbështesin pas kuintave pa u ndjerë.

Sot, nuk e fsheh fare, jam e lumtur, por më lejoni që në emër të Ministrisë së Kulturës dhe të Institutit të Monumenteve të jemi edhe krenarë e t’i falemi Zojës së Shkodrës, Pajtores së Shqipërisë, që t’i sjellë sytë ndër ne, për punë më të mira dhe për vetëdije emancipuese.

Faleminderit Zoja e Shkodres, Zoja jonë!”.