Fort të nderuar miq!
E di që jam këtu e ftuar si ministre e kulturës, pra si përfaqsuese e politikës, por nuk e fsheh dot dyzimin midis kësaj ftese si e tillë që më ka ardhur nga organizatorët e këtij tubimi dhe një ftese tjetër, ose më saktë një thirrje që më vjen nga vetë tema e konferencës dhe që i shkon qenies sime më të thellë dhe me jetëgjatë se sa një funksioni ministri.
Para se të jem ministre unë jam një grua, shqiptare, lindur në Tiranë, me origjinë familjare nga jugu i Shqipërisë, e kam ndarë për jo pak vite punën midis Prishtinës dhe Tiranës.
Kam kaluar gjysëm jete në diktaturë e gjysëm në një eksperiment demokracie. Kam lindur në vendin ku prifti vritej e hoxha burgosej dhe ku ateizmi ishte ushqimi përditshëm i detyruar duke na privuar edhe kulturalisht nga informacioni mbi fetë. Jam njohur me institucionet fetare dhe vendet e kultit vetëm pasi kishim shembur diktaturën dhe shkova drejt tyre më shumë për të plotësuar dijet nga të cilat isha privuar sesa provoja ndonjë nevojë besimtare. Krijova familje në një kryqëzim origjinash të ndryshme fetare, pa përbërë kjo asnjë problem për familjet dhe as për shoqërinë. U dhashë fëmijëve të mi informacion kulturor për fetë, por nuk mund t’u jepja atë që mua nuk ma dhanë, edukatën fetare, por i mësova të jenë të hapur dhe , sidomos të lirë , të zgjedhin vetë, sot ose nesër, besimin ose pranimin, për vete apo të të tjerëve, si një formë tolerance të bashkëjetesës me tjetrin duke gjetur harmoninë brenda diversitetit, dhe duke vlerësuar te Tjetri atë çka nuk kanë vetë.
Nëse ju mora pak kohë me këtë prezantim të vetes nuk e bëra për të ndarë veten nga shoqëria shqiptare, por për të thënë se unë jam një ndër të shumtët individë të këtij vendi që jeton diversitetin kulturor, social dhe fetar pa e ndier atë si problem, por si normalitet, ndonëse ky vend nuk zë vendin e parë në historinë e normalitetit.
Por edhe për të thënë se nëse sot jam e ftuar si ministre e kulturës, funksion që kufizohet në kohë, është ky prezantim që i bëra pak me parë vetes që ka qenë dhe do të mbetet tipik për njeriun shqiptar.
Ndërkaq, ajo që dua të theksoj si Ministre e kulturës, është se këtë tablo të hershme në të cilën jetojmë dhe lemë gjurmën tonë, si një kontribut të përbashkët, nuk duhet ta kundrojmë si një natyrë të qetë.
Duhet ta vendosim në qendër si një vlerë, të ndërgjegjësohemi për të, ta kuptojmë dhe ta ruajmë brenda mozaikut shqiptar ku sekularizmi s’ka dhe s’duhet të ketë frikë nga pranitë fetare që marrin frymë së bashku ashtu sikurse fetë e ndryshme nuk kanë arsye t’i druhen sekularizmit.
Nuk mendoj se ka konflikt mes tyre. Mes tyre ka ose bashkëjetesë, çka është shumë mire, ose ka boshllëk.Dhe aty ku ka boshllëk, diçka do zerë vend. Jo detyrimisht feja, jo detyrimisht laiciteti.
Nëse ne nuk jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm, nëse ne nuk jemi te përgatitur dhe të ndjeshëm kur duhet, nëse ne nuk jemi proaktivë në emancipim, atë vend do e zerë diskursi dhe aksioni ekstrem, radikal, destruktiv, i cili josh mendjet e papërgatitura.
Ka vetëm një rrugë që kjo të mos ndodhë: edukimi i mendjeve dhe shpirtrave të shoqërisë duke e pranuar Tjetrin si të tillë dhe jo detyrimisht si vetja. Është detyrë parësore kultivimi i mendjes përmes shkollës, artit, kulturës, edhe kulturës fetare.
Kjo qasje duhet të na bashkojë më shumë se çdo gjë. Shteti ynë është drejtuar edhe nga myslimanë edhe nga të krishterë. Jo tani por që në fillesat e tij.
Heronjtë tanë kombëtarë kanë fe e prejardhje të ndryshme, legjendat, përrallat, shkrimtarët, artistët… të gjithë ata kanë kontribuar dhe kontribuojnë që fetë të trajtohen me respekt dhe individët gjithashtu, por individët për atë që përfaqësojnë.
Është përdorur shumë thënia rilindase “Feja e shqiptari është shqiptaria”. Disa e glorifikojnë të tjerë i japin tone ateiste. Në një kontekst të sotëm, mund të themi “Feja e shqiptarit është ajo çka ai vetë, është i lirë të zgjedhë” sepse kjo liri do t’i sherbeje tolerancës, dhe toleranca ndaj tjetrit është paqe e begati për Atdheun.
Ne kemi të gjitha arsyet që t’i gëzohemi kësaj kulture që i mbart të gjitha fetë brenda, prania juaj, të nderuar përfaqsues dinjitarë të komuniteteve fetare, këtu në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, përzgjedhja e Shqipërisë për të organizuar tubimin e shtatorit dhe, mbi të gjitha, vizita e Papa Françeskut në shtator të vitit të kaluar, janë gjithashtu provë e ekzistencës së saj.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.