Fjala e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në ekspozitën NOLI / KONICA – Albumi i një bashkohësie - Ministria e Kulturës
Postuar më: 30/03/2015

Fjala e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në ekspozitën NOLI / KONICA – Albumi i një bashkohësie

“Mirë se u gjetëm në tubimin Konica&Noli, dy shqiptarë gjaknxehtë e mendjendritur që vazhdojnë e, jam 100% e sigurt, do të vazhdojnë të na i mbajnë gjakun e nxehtë, por edhe do të vazhdojmë t’i lexojmë për të ndriçuar mendjet tona.
Në këtë kuptim, pavarësisht se jemi këtu për 140 vjetorin e ardhjes së njërit në jetë, apo 50 vjetorin e ikjes së tjetrit nga jeta, këto tubime, njësoj si ai i javës së kaluar në Muzeun Historik Kombëtar, janë takime për të ndarë së bashku atë çka bëjmë gati çdo ditë: kujtojmë, lexojmë, në një mënyrë, ose në një tjetër Nolin dhe Konicën.
Jo, mos druani se do t’ju flas se cili ishte Noli apo çfarë ka bërë Konica, nuk është roli im sot këtu, ndonëse profesioni im po. Por edhe sepse, zakonisht në të tilla takime mblidhen shpesh ata që e njohin temën, ngjarjen apo personalitetet e ngjarjes dhe nuk jemi këtu për t’i zbuluar njëri-tjetrit të reja të paditura.
Janë të pakta mendjet intelektuale shqiptare të shekullit të kaluar që të jenë kaq të pranishëm sa Konica e Noli, si në bibliotekat tona mendore ashtu dhe në rrjetet sociale shqiptare.
Kjo dëshmon, përpos të tjerash, se sa universalë janë ata, sa largpamës kanë qenë, sa mirë e njohën Shqipërinë ndonëse s’e jetuan çdo ditë, dhe se komunikimi shpirtëror, intelektual, kulturor është dimensioni më i rrokshëm, por edhe shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë kombit.
Qasja e Bibliotekës Kombëtare dhe e Ministrisë së Kulturës, siç e tha dhe drejtoresha , Persida Asllani, është edukative dhe medituese. Nëse do të kishim organizuar konferenca shkencore, do të ishim po ne, po të njëjtët që do i flisnim njëri-tjetrit duke shënuar kështu veç veprimtarinë përkujtimore të radhës.
Sikurse treguam dhe vitin e kaluar me zinxhirin e aktiviteteve që organizuam për 200 vjetorin e De Radës me çka synuam kryesisht brezin e ri, duam që dy figurat e shquara, Konica e Noli, të shkojnë përtej studjuesve, përtej artikullshkruesve, përtej brezit të etërve të cilët janë marrë gjatë me figurat e kombit dhe na ndihmojnë t’i përhapim dijet e tyre.
Detyra jonë është që mendimin e vyer të dy kalorësve të kulturës shqipe ta përcjellim, ta kthejmë në mjete dukimi, në stafetë për Shqipërinë e brezit tjetër, jo vetëm si krenari për kulturën kombëtare, por edhe si mësim për gabimet e kombit. Se kjo është e shëndetshme. Se kjo na duhet.
Këtë mendësi e ka Ministria e Kulturës, e ka çdo ditë Biblioteka Kombëtare dhe unë e falenderoj sinqerisht Drejtoreshën për frymën e re që i ka sjellë Bibliotekës por kjo punëtori nuk është veç monopol i inistitucionit të MK.
Kujtimi, referimi, risjellja, përhapja në epokën e shek XXI të mendjeve më të ndritura të kombit është detyrë e të gjithë aktorëve të shoqërisë e aktorëve edukues, mediatikë dhe kulturorë.
Kulturën e një vendi nuk e bën shteti dhe as Ministria e Kulturës. Por janë njerëzit e kulturuar dhe mendjet e mëdha që përmirësojnë dhe përparojnë shtetin.
Shteti ka detyrën t’i mbështesë, t’i nxisë, t’u krijojë terren të favorshëm dhe t’u çlirojë hapësira për decentralizim. Sa më shumë kulturë të pavarur që të mos sundojë kultura institucionale!
Konica dhe Noli ishin në radhë të pare njerëz të kulturës së madhe dhe universale. Ata kontribuan në kulturën kombëtare dhe jo vetëm, siç dhe kontribuan në krijimin e shtetit shqiptar.
Ata të dy, pasi janë sharë e grirë, e kanë quajtur pa mëdyshje njëri-tjetrin shkrimtarë të shquar të letrave shqipe, qysh atëhere askush nuk do të mund të përgënjeshtronte këto mendime të tyre të ndërsjellta.
Shumë është shkruar e thënë, por duke mos i shpëtuar dot tundimit të papërballueshëm për të cituar, o njërin o tjetrin, do e mbyll me çka mbyll Konica esenë “Gjuha dhe Letërsia” në libërthin “Shqipëria, kopështi shkëmbor në Europën Juglindore”:
“Këtu nuk po i përmend shumë emra, sepse pallavrat dhe frazat boshe nuk kanë të bëjnë fare me artin. Sa për kontributin tim në lëvizjen letrare në Shqipëri natyrisht se nuk kam ç’të them”.
Prandaj ju ftoj ta kqyrim këtë ekspozitë bashkëkohësie dhe sidomos ftoj nxënësit e shkollave ta vizitojnë”.