“Është një ditë e bukur, jo vetëm sepse dielli e mbajti fjalën që do dilte në takimin e sotëm, por, sepse hapim, pas 5 vitesh ndërprerje, Muzeun Arkeologjik të Durrësit, më të pasurin në vend, me 3204 objekte, nga të cilat, 2412 objekte ekspozohen në katin e pare dhe 792 objekte do të jenë pjesë e fazës së dytë të muzealizimit në katin e dytë.
Gjejmë në këtë muze gjurmët e të gjitha kohërave që nga vizitorët e hershëm të rrënojave kur Marin Barleti përmendte Amfiteatrin deri te arkeologu legjendar Vangjel Toçi që i la uratat e veta qyetit të Artemisit.
Në 2010, 1 milion e 200 mijë USD u dhanë nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e pjesshëm të këtij muzeu i cili është ndërtuar për së pari në vitet ‘80.
Nuk gjetëm plan, as projekt dhe as fond për muzealizimin e tij dhe sidomos oborri i muzeut nuk ishte fare pjesë e projektit.
Vetë si qytetare dhe si prind që sillja rregullisht fëmijët për ta vizituar më dhimbte kur për 4 vjet rresht, gjeja veç një zë roje që përtej gardhit më thoshte çdo vit: “Ik, ik, se osht i mbyll”.
Vitin e kaluar premtuam se do e muzealizonim dhe do e hapnim ndonëse s’kishte fond të parashikuar.
Dhe, me pak para, por me një punë të jashtëzakonshme nga restauratorët e IMK ku dua të falenderoj veçanërisht Edlira Çaushin dhe Agron Islamin, si dhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të Durrësit dhe drejtorin e mençur, Ledion Lako, u kaluan një nga një në duar e u restauruan plot 2400 objekte, madje objekte që nuk ishin pastruar asnjëherë qëkur janë nxjerrë nga nëntoka në vitet ‘60.
Të dashur miq, nëse më pyesni “A i keni zgjidhur problemet e trashëgimisë në Shqipëri?”, natyrisht do t’ju them JO, nëse më pyesni “A jeni duke i zgjidhur?” do t’ju them PO, sepseTrashëgimia Kulturore, thesaret e Kulturës, janë në radhë të parë çështje dashurie e pasioni, çështje edukimi dhe ndërgjegjësimi të të gjithë shoqerisë, të aktorëve kryesorë të saj e pastaj edhe administrim dhe financim.
Pa shtuar as edhe një post të ri në administratën e Trashëgimisë, pa rritur kushedi se çë buxhetin, sepse gropa financiare që gjetëm ishte e tmerrshme, ia kemi dalë që në një vit e gjysmë të hapim 4 kantiere të reja muzeale (Qendrën e kulturës mesjetare në Korçë, Muzeun Marubi në Shkodër, Muzeun e Gjethit që fillon punimet brenda pranverës) dhe sot hapim dyert për të pritur turistët pa kufi me arkeologjinë tonë të çmuar.
Dhe, falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Bashkinë e Durrësit dhe kryetarin e saj kemi pastruar, ndriçuar, rehabilituar thesaret e Durrësit. Ky muze është rezultat i kësaj punë të përbashkët! Faleminderit Vangjush!
Dhe një lajm të fundit: Po përgatisim gjithashtu një version të kësaj ekspozite për vizitorët e verbër, të cilët do të kenë mundësinë njësoj si të gjithë vizitorët e tjerë të shijojnë e vlerësojnë trashëgiminë kulturore shqiptare. Sepse Durrësi është i të gjithëve.
Viti 2014 dyfishoi numrin e vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore, falë pasionit dhe punës së njerëzve që punojnë në sistemin e trashëgimisë.
Durrësi ynë, nën mbrojtjen e perëndeshës së vet Artemis, do tërheqë më shumë vizitorë se ka më shumë bukuri për të treguar në kulturë dhe në qytet.
Dyert e Adriatikut janë hapur!”
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.