Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, merr pjesë në aktivitetin me familje dhe fëmijë romë nga Elbasani dhe Tirana.
“Të barabartë në diversitet”- ishte tema e aktivitetit që u organizua sot pasdite në ambientet e Ministrisë së Kulturës, një pasdite ku u kujtuan kultura, tradita dhe trashëgimia rome deri në ditët e sotme.
“Nuk kemi zgjedhur ku lindim, por zgjedhim çfarë do të bëjmë me jetën tonë. Studentja Xhesika Korra, ish-studentja ime e gjuhës frënge, e cila vazhdon studimet Master është një nga rastet më të mira që dëshmon se jemi të barabartë në diversitet. Dita Ndërkombëtare e Romëve nuk duhet të kujtohet vetëm në një ditë, por duhet të kthehet në një proces të vazhdueshëm integrimi, pjesë e strukturave shtetërore, shoqërisë civile, që të gjithë së bashku të ndihmojmë dhe kontribuojmë në integrimin e kulturës dhe përfaqësuesve romë. Një rol të rëndësishëm luan edhe vetë përpjekja juaj si komunitet për arsim, punë dhe vend të barabartë në shoqëri”.
Takimi u organizua nga MK dhe Fondacioni “Ndihmë për fëmijët”, me pjesëmarrjen e drejtores Shpresa Vogli, e cila nënvizoi në fjalën e saj përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë civile në një komunikim të hapur dhe të drejtpërdrejtë me komunitetin rom për të kaluar dhe përballuar sfidat e integrimit në shoqëri. Xhesika Korra, përfaqësuese e Institutit të Kulturës Rome kujtoi për të pranishmit kontributin e madh të romëve në botë dhe në Shqipëri, kontribut në kulturë, art, modë, që nga “Violina Cigana”, kënga “Bardhësi” e kompozitorit shqiptar rom Vakthi Sheme e deri tek grupet më të reja të muzikës rome në Shqipëri, që performojnë me sukses në aktivitete të ndryshme .
Për të pranishmit u shfaq dokumentari “Të barabartë në diversitet”- i cili nis me fjalët e një vajze rome, gazetare :
“Kam mbërritur tek ëndrra, sepse ëndrra nuk ka ngjyrë”.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.