4 vite rrumbullak në Ministrinë e Kulturës treguan se kjo qeveri dhe kryeministri Edi Rama e kanë shumë seriozisht çështjen e kulturës, fjalë për fjalë, siç thoshte një nga baballarët themelues të Europës Jean Monnet:
“Po ta nisnim Europën nga e para do e filloja nga Kultura”
ndryshe nuk e shpjegoj vendimin e Edi Ramës për të krijuar për herë të parë një Ministri krejtësisht të dedikuar për Kulturën.
Një mandat 4 vjeçar i nisur me borxhe, pa program, pa projekte, me një sistem pa sistem, ku aktorët në teatër i emëronte politika dhe ku artistët e operas i vinin në rresht për të bërë peticione kundër opozitës.
8 vjet të qeverisjes së vjetër pa, ose me koalicion, na lanë vetëm muzetë e teatrot e shekullit të kaluar, as një dorë suva s’u hodhën, le më të mendohej për artistët e promovim të tyre.
Reforma në skenën publike të artit sa dukej e pamundur aq sot është një realitet i prekshëm e i përditshëm falë të cilës 5 fishuam numrin e premierave dhe 4 fishuam numrin e spektatorëve, por sidomos, hapëm skenën për artistët e rinj dhe nxiti skenën e pavarur dhe konkurrencën e lirë në art.
Jo vetëm kaq, po falë Kulturës së hapur, falë Artit të lirë e nxitjes së krijimtarisë së artisëeve në 4 vjet, Shqipëria nxorri në pah anën e vet më të mirë dhe i tregoi botës Kulturën si Pasaportë duke u bërë pjesë e agjendave më të rëndësishme kulturore të Europës e të botës: Nga Marubi e Festivalet deri te Bienalet e Venecias.
Megjithatë, aq e pakonsideruar sa ishte kultura në këtë republikën tonë të pas viteve 90′ nuk kemi bërë mjaftueshëm, se Kultura është një kauzë shumë e rëndësishme për ta fituar plotësisht vetëm në 4 vjet.
Por ama, ia dolëm që në 4 vjet të hapim 4 muze të rinj:
Nga ai arkeologjik në Durrës, Marubi në Shkodër, Arti Mesjetar në Korçë dhe i fundit në Tiranë , Shtëpia me Gjethe.
Sikurse ia dolëm që në 4 vjet të hapim 4 kantiere teatrosh të rinj, apo krejt të harruar që nga vitet ‘60.
Restauruam Teatrin “Migjeni” prej ku filloi pak muaj më parë dhe programi Ynë i Operas shëtitëse me Traviatën;
Ndërtuam Turbinën në Tiranë teatrin e ri me dy skena që tashmë ka filluar të hapë dyert për Skenën alternative;
Hapëm kantierin për rinkonstruksionin e plotë të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë;
Dhe i fundit – si ëmbëlsirat e mira korçare, – në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, ky teatër që sot ju mirëpret për së pari me premierën tonë të fundit të baletit “Liqeni i Mjellmave”.
Unë ndjehem me fat që projektet e Kulturës në këto 4 vjet kanë patur mbështetjen me zemër e me punë të drejtuesve e politikanëve si Sotiraqi, Niko dhe Edi!
Në emër të artistëve dhe të publikut që i ndjek, faleminderit juve dhe gjithësecilit që iu bashkua skuadrës së Kulturës.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.