Fjala e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në konkursin ndërkombëtar për restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës Marubi - Ministria e Kulturës
Postuar më: 30/03/2014

Fjala e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në konkursin ndërkombëtar për restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës Marubi

Në kufijtë perëndimorë të Perandorisë osmane shtriheshin në mes të shekullit të 19 katër vilajete me shumicë shqiptare.
Në atë hartë të vitit 1850, nën sundimin e Sulltan Abudlazizit, shfaqet fotografia.
Pjetër Marubi krijon të parën studio fotografike. E ku tjetër përveçse në Shkodër.
Brezi i tretë i tij, Gegë Marubi, do e mbyllë atë derë në vitin 1970 kur futën në kafaz, të fundit e zogjve që cicëronin qoftë edhe brenda kornizës.

Në kapërcyell të shekullit të 19, ende s’flitej për Shqipëri, ende s’flitej për shtet, ende s’flitej për ligj, por ama, flitej për fotografi:
«Qyteti kishte mir’prit’ kráh’háp nji magjistar, qi ndezte flakë do pluhna dhe lângje e mândêj t’népte në dorë nji copë letër të trashë ku ishe pikrisht ti”

thuhej në kronikat e kohës.

Sot, mbi tryezën time të punës unë kam fotografinë e gjyshërve të mi, me kornizën e kadifenjtë dhe sfondin okër, në cep të së cilës duket mbishkrimi “Marubi”.
Nisur nga Gjirokastra për në Shkodër veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX,  gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopështin, dhe krahun e zonjave mbështetur.
Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip.

Në margjina të arteve të tjera, fotografia e Marubve, Idromenos, Kodhelit, Shan Picit, Nenshatit e me radhë,  ishin pasqyra më fantastike, njëherësh moderne për kohën e vendin por edhe, po aq klasike, e atij kufiri të hollë Lindje-Perëndim.

Kjo është evidente si në personazhët anonimë edhe tek figurat historike që çeleshin e mbylleshin para kameras së fotografëve të kësaj studioje.

Dallimi i madh i fotografëve shqiptarë prej atyre tipikë orientalistë të kohës ishte pikërisht  hapësira e dallueshme që e vendoste estetikën teatrale të kompozimit në shërbim të një frymë kombëtare shqiptarizuese aq të domosdoshme për epokën. Sepse ata ishin artistë të jashtëzkonshëm dhe atdhedashës shembullorë.

Mirepo, nëse diktatura u kishte fik kameran, dhe u kishte prerë gjuhën e artit artistëve, në këta 20 e ca vjet lirie, fotot dhe negativët shekullorë u lanë në lagështinë dhe errësirën e bodrumit.
Te gjithe e dimë që në Shkodër ekzistonte fototeka Marubi, por s’e vizitojmë dot. Kemi parë albume të botuara në vite, po asnjëherë s’e dinim sa mbante brenda ajo arkivë, për të cilën s’u lodhëm ndonjëherë t’a nxirrnim në dritë e ca më pak ta kthenim në një vend që grish turistë e vizitorë.

Qysh prej viteve të errta 70, nuk u mor mundimi të invetarizohej arkiva dhe veç në 31 të dhjetorit të 2013 mësuam se gati 500 mijë negativë flenë në fototekë fshehur syrit tonë, pa folur për dokumente objekte e do sende të tjera profesionale e personale të studios Marubi.

Ndërtesa që na mbledh sot këtu, për t’u bërë objekt i një transformimi estetik dhe muzeal, do të jetë streha e sigurt e këtij thesari, sepse për ne, çdo pjesë e trashëgimisë kulturore është e shtrenjtë! Nuk mund e nuk duhet ta lemë në mëshirë të fatit! Thesari Marubi duhet vendosur në zemër të Shkodrës! Aty ai është i sigurtë!

Ne jo vetëm duhet ta sigurojmë por duhet edhe ta gëzojmë! Dhe fototeka Marubi është e gjitha për t’u gëzuar!
Falë këtij programi të financuar nga IPA Adriatic, e që po realizohet nga Fondi shqiptar i zhvillimit,  prezantohen sot 5 projektet më të mira që dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të ndryshme të botës.
Do të kemi idetë dhe teknologjinë më novatore dhe moderne për të vlerësuar trashëgiminë.
Është kjo një rrugë përparimi në kulturë, që jo vetëm dëfton vlerat e Shkodrës e të pinjollëve të shquar shkodranë, por edhe i jep dinjitet krenarisë tonë për thesaret e kulturës shqiptare që duhet t’i tregojmë.

Ministria e Kulturës është shumë fort e angazhuar për t’i mbrojtur, për t’i kthyer gjithë dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore dhe njerëzve të kulturës. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore në UNESCO.

Jo vetëm sepse vlerat e tij janë të çmuara, por sepse Shkodra është një gur i çmuar në kurorën e kulturës shqiptare.
Shkodër faleminderit!

Fjala e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në konkursin ndërkombëtar për restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës Marubi.