“Kur në qershor 2014, hapëm pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, nuk e fsheh që emocionin e ndjeva edhe më të madh se sa kur një orë më pas shkuam pak metra më tutje për të hapur së bashku me kuratorët e artistët nga Prishtina pavijonin e Shqipërisë.
Jam e bindur se ky emocion erdhi pikërisht nga ndjesia e fortë e skenës së hapur e të përbashkët të kulturës shqiptare.
Të përpiqemi të jemi modeste, ndonëse institucioni i Kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, që hyn sot në vitin e dytë të tij, na bën krenarë si krerë të institucioneve që drejtojmë.
Ndonëse sot, bashkë me zotin Shala nënshkruajmë Kalendarin e përbashkët kulturor 2015, në vijim të një kalendari 2014 shumë të suksesshëm, duhet të themi se kalendarin nuk e bëjnë ministritë e as ministrant, por njerëzit e kulturës, skena është e artistëve dhe jo e zyrtarëve.
Edhe tani që flasim kalendari ka filluar të funksionojë pa pritur nënshkrimin.
Balerina Abetare Hyseni dhe sopranoja Besa Llugiqi të Prishtinës shkëlqyen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Tiranës pak javë më parë.
Para pak ditësh veprat e Muslim Mulliqit ndërruan strehë nga Tirana në Prishtinë, por mbetën në skenën e përbashkët të kulturës sonë shqiptare.
Dje trupa e Qendrës Kombëtare të fëmijëve të Tiranës dha shfaqje për publikun e Prizrenit!
Mos të harrojmë se në Berlinale Shqipëria dhe Kosova mirëpritën mysafirët në stendën e përbashkët edhe për një film të përbashkët dhe jo vetëm.
Dhe ky është vetëm fillimi i një viti që premton!
Përfitoj nga rasti të shpreh sa shumë më dhembin ikjet e shqiptarëve nga Kosova, janë ikjet tona. Dhe shoqëria shqiptare, ne, duhet të jemi mjaftueshëm të matur e të vëmendshëm që t’i lexojmë këto ikje. Unë besoj fort se duhet të investojmë në kulturë, jo vetëm për artistët dhe për profesionistët, por sidomos për popullsinë që duhet të konsumojë kulturë e të edukohet me kulturë.
Nëse do të mbjellësh për një vit – thoshte Sami Frasheri
Mbill misër e grurë
Nëse do të mbjellësh përgjithmonë
Mbill arsim e kulturë
Kemi shumë ç’ti mësojmë njëri-tjetrit dhe ti plotësojmë dijet e aftësitë tona duke fituar më shumë skena, më shumë artistë dhe më shumë publik.
Shqipëria është e gatshme të sjellë skenën institucionale të Tiranës në Prishtinë, dhe ne po ashtu kemi shumë për të mësuar nga përvoja dhe organizmi shumë më i mirë i Skenës së pavarur kulturore të Prishtinës.
Ky kalendar, ashtu si dhe vjet është vetëm një trase, ku përveç aktiviteteve të institucioneve të artit e atyre tashmë të konfirmuara si Dokufest, do i shtohen dhe të tjera nisma të lira.
Na qoftë një vit i mbarë kulturor!”
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.