Fjala e Ministres Kumbaro në raportin publik 300 ditët - Ministria e Kulturës
Postuar më: 14/07/2014

Fjala e Ministres Kumbaro në raportin publik 300 ditët

Kanë kaluar 200 ditë nga hera e fundit që u ngjita në këtë stol.
Deri aty, skuadra e kulturës dhe unë vetë, kishim kuptuar realisht se sa punë e thellë duhej, për të bërë ndryshimet që kërkohen në sistemin e administrimit të trashëgimisë, për të gjallëruar skenën e dëshiruar nga komuniteti i artit dhe i kulturës, për t’iu përgjigjur pritshmërive të larta sa asnjëherë, në një sektor ku nuk kanë munguar vullnetet individuale dhe as talentet e pashterrshme, që sot lëvizin lirisht në hapësirën pa kufi të kulturës e artit, si ambasadorë të shkëlqyer të vendit, por pa u ndjekur me të njëjtin ritëm nga shteti. U angazhuam për reformë strukturore në art, aq shumë të përfolur, dhe në 300 ditë e bëmë realitet në të gjitha institucionet kombetare të artit duke vendosur kështu, për të parën herë, modelin e teatrit ku artisti merr përsipër përgjegjësi individuale, me disiplinë artistike, përballë konkurrencës së lirë, si e vetmja rrugë që mund të gjallërojë skenën, t’u hapë dyert të rinjve dhe të ndërtojë sistemin e vërtetë të vlerave dhe të meritave individuale për çdo artist.
U angazhuam për transparencë dhe garë të hapur në mbështetjen e projekteve të lira artistike: dhe në 300 ditë rikthyem besimin te institucionet duke i shpallur luftë pa kushte tarafeve, monopoleve dhe mediokritetit.

Në këto 300 ditë, më shumë se 350 projekteve iu dha mundësia të merrnin pjesë në garë të hapur, prej ku 110 projekte të publikuara deri në qindarkën e fundit gjetën mbështetje të Ministrisë së Kulturës, nga të gjitha krahinat, në të gjitha gjinitë e artit e të trashëgimisë, duke i dhënë përparësi artit bashkëkohor dhe të rinjve, që e dinë vetë se ç’kanë hequr për t’iu afruar dyerve të ministrisë. Kjo krijoi jo vetëm sinergji të reja, një kalendar shumë të pasur kulturor në të gjithë vendin, por edhe punësime sezonale në sektorin e lirë të kulturës për rreth 200 të rinj.

U angazhuam për edukim përmes kulturës dhe në 300 ditë kemi ndërtuar strukturat e edukimit kulturor në qendër dhe në institucionet e varësisë, kemi trainuar stafet përkatëse të këtyre strukturave në këtë fushë kanë marrë rrugë projektet e para pilot të artit në edukim, institucionet kulturore janë hapur për fëmijë nga 5 deri 95 vjeç dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kemi ngritur rrjetin “Miqtë e Monumentit” me pjesëmarrjen e rreth 20 mijë nxënësve në gjithë vendin.

Reforma strukturore në trashëgimi ishte premtim i ditëve të para. Ishte dhe mbetet një sfidë kombëtare.  Por në 300 ditë, kjo reformë ka hedhur themelet e profesionalizmit, të ekspertizës dhe të zbatimit të ligjit.

Në 300 ditë:
– filloi puna për ndërtimin e 2 Muzeve Kombëtarë, për t’ia shpalosur hiret publikut: Muzeu Marubi i paparë deri sot dhe Muzeu arkeologjik i Durrësit, i mbyllur tash e 4 vjet.
– shpejtoi hapat pavijoni etnografik në Muzeun Historik Kombëtar i mbyllur prej 5 vjetësh
– dhe sapo u miratua projekti për Qendrën e re të artit Mesjetar në Korçë.

Në 300 ditë administrimi i trashëgimisë ka nisur të funksionjë si një sistem i organizuar dhe profesional në terren, i udhëhequr vetëm nga ligji dhe vizioni i zhvillimit të qendrueshëm dhe jo si vullnet egoist individësh në majë të kupolës.

Në 300 ditë janë pastruar pjesa më e madhe e mureve antike dhe e kalave që ndodhen brenda qyteteve tona dhe po bëhet inventari i plotë i monumenteve të kulturës e digjitalizimi për të parën herë i tij. Në 300 ditë i treguam botës fytyrën më të mirë të Shqipërisë, atë të kulturës!
Rivendosëm marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë në fushën e trashëgimisë, rikthyem besimin te Unesco dhe vendosëm Shqipërinë në hartën e veprimtarive rajonale të trashëgimisë.

Pas shkëmbimeve e prodhimeve të përbashkëta të trupës së palodhur të këtij Teatri ku ndodhemi sot, me artistët tanë më të mirë, që shkëlqejnë në skenat ndërkombëtare. Bienalja e arkitekturës në Venecia është, në vijim, kartëvizita e shkëlqyer që, ndërsa flasim, Shqipëria po i tregon mbarë botës së artit profesional.

Sot Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në rrjete të fuqishme kulturore europiane si Europa Krijuese, duke e kthyer kështu diplomacinë kulturore në një motor të vërtetë integrimi. E fundit por jo më pak e rëndësishmja: Kalendari artistik Kosovë-Shqipëri është bashkimi ynë i bërë realitet në 300 ditë, duke krijuar hapësirën kulturore pa kufi, jo si propagandë e politikës së ditës, por si një skenë e përbashkët europiane e njerëzve të artit e të kulturës shqiptare, kudo ata ndodhen.

Dhe, edhe dy sekonda, një lajm i mirë nga arti: “BOTA” është titulli i filmit më të fundit shqiptar me regji të Iris Elezit dhe Tomas Logorecit, në një bashkëprodhim të Shqipërisë e të Kosovës, që një ditë më parë nderoi shqiptarët në botën e kulturës duke fituar çmimin për filmin më të mirë “From East of the West” (nga Lindja e Perëndimit), në festivalin e mirënjohur ndërkombëtar të Karlovy Vary-t.

Krenarë për talentet dhe premtim për t’i mbështetur kudo që ndodhen!