Fjala e mbajtur nga Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro Furxhi në 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit - Ministria e Kulturës
Postuar më: 23/11/2013

Fjala e mbajtur nga Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro Furxhi në 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit

I nderuar zv Kryeministër Musa Xhaferri

E Nderuar Ministre e Kultures Elizabeta Kançevska Milevska

I nderuar Zoti Ambasador

Te nderuar miq e dashamires

Zonja dhe Zoterinj

Gëzuar festën e Alfabetit!

105 vjet më parë Manastiri u bë kryefjala e shqiptarëve dhe u materializoi fjalët me të cilët sot ata komunikojnë paqe, shkruajnë letra dashurie, ndërtojnë harmoni dhe shprehin vizionin integrues të së ardhmes.

Janë të ralla momentet në historinë e popujve Ballkanikë kur procesi i adaptimit të një alfabeti të përcaktojë brenda së njëjtës kohë identitetin kombëtar, orientimin politik të popullatës dhe të shërbejë si provë madhore për pavarësinë.

Kongresi i Manastirit , kongresi ku përcaktua se ç’alfabet do të kishte gjuha shqipe është pa dyshim një nga ngjarjet që kanë shënjuar historinë dhe kulturën e afërt të shqiptarëve . Në Maqedoninë shumë etnike të fillimit të shekullit të XX dhe në qytetin shumë kulturor të Manastirit , shqiptarët hodhën themelet e shkrimit të identitetit të tyre të veçantë gjuhësorë duke i dhënë jetë përpjekjeve disa shekullore për të pasur një alfabet dhe bashkë më të dhe një shpirt kombëtar.

Përzgjedhja e alfabetit latin për të shkruar gjuhën shqipe më tepër se një veprim politik përqasës drejt Evropës si është komentuar shumë herë, ishte një vazhdimësi e një orientimi dhe vetpërcaktimit të shqiptarëve si një popull evropian. Shkrimi dhe lëvrimi i një gjuhe  askund tjetër nuk ka marrë një rëndësi të veçantë sesa te shqiptarët që ndodhur mes Lindjes dhe Perëndimit, pas asnjë institucion të rëndësishëm kombëtar që do të mund t’u mbronte identitetin, tek gjuha dhe kultura e tyre  kishin gjetur një nga forcat lëvizëse për  të themeluar kombin e tyre.

Rëndësinë e gjuhës dhe lëvrimit të saj e jep Kristoforidhi kur shprehet se ”nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as do lexohet më emri shqiptar në hartën e botës”.

Këto vargje dhe sentenca të elitës së kohës tregojnë qartë se shqiptarët kishin zgjedhur identitetin kulturor si kështjellën e identitetit të tyre bashkues dhe besoj se kjo zgjedhje e fillimit të shekullit të XX në Manastir vazhdon të jetë aktuale dhe sot për të përfaqësuar më mirë shqiptarët në rajon. Kultura dhe gjuha janë dy komponentët emancipues më të rëndësishëm të shqiptarve përballë të cilave ndarjet artificiale janë të vogla dhe të papërfillshme.

Kultura kombëtare por edhe ajo e pranimit të Tjetrit janë çelësat e një bashkëjetese të gjatë në Ballkan. Të pranosh Tjetrin do të thotë në radhë të parë të pranosh Tjetrin brenda vetes, pjesët tona të ndryshme, diversitetin brenda nesh. Kjo është garancia se si mund të ruajmë ngjyrat dhe shijet duke ndërtuar vizionin e përbashkët.

Prandaj, si Ministre e Kulturës e Shqipërisë por edhe si punëtore e gjuhës, më vjen mirë që në Maqedoni dita e 22 Nëntorit është festë kombëtare. Gjuha shqip prej kohësh e ka fituar edhe këtu qytetarinë e saj duke qenë një gjuhë zyrtare sipas një Marrëveshjes së Ohrit. Koha kur kjo marrëveshje kyç për ekzistencën e Maqedonisë do të zbatohet plotësisht do të jetë koha që mund të themi pa frikë se Ballkani e ka lënë pas së shkuarën dhe ka përfituar dimensionin evropian të tij.

Këtu ka studjues të nderuar e unë nuk do t’u zë vendin atyre e nuk do të flas për histori.

Sot dua po nga Manastiri të jap një mesazh i cili do të duhet të shërbejë për të gjithë ne.

Mesazh për ruajtjen dhe kujdesin e shkronjave dhe nëpërmjet tyre të gjuhës. Mesazh që ashtu 105 vjet më parë duhet të vlejë për të gjithë po njësoj.

Sfida e re e manastirit të shekullit të ri është mirëmbajtja e respektimi i kësaj gjuhe, krijimi dhe mbindërtimi i kësaj vlere gjuhësore e cila shumë më shumë do të jetë përballë asaj evropiane, rrugës të përbashkët që kemi zgjedhur.

Jo më kot ky shqetësim ekziston në Tiranë, ku qeveria ka vendosur të ketë redaktor gjuhësor në çdo institucion të rëndësishëm. Ky kujdes duhet të jetë i përbashkët dhe prandaj e them nga këtu nga qyteti i shkronjave.

Zhvillimi historik modern shqiptar ka tri qendra. Prizreni, Vlora dhe Manastiri.

Manastiri i parapriu lëvizjeve që më pas vunë në hartë Shqiptarët. Edhe sot Manastir duhet të paraprijë. Nga shkronjat ne duhet krijojmë gjuhën tonë administrative  të përbëshkët, e cila më pas do të sjellë Europën në gjithë dimensionin e saj.

Pak ditë më pas në Vlorë do të organizohet një konferencë për gjeneratën e re shqiptare dhe Evropën. Kurse nga Prizreni po pak ditë më vonë do të jepen mesazhe të mendësisë së re të bashkëpunimit.

Por nga Manastiri duhe të vijë mesazhi i kujdesit gjuhësor.

Kur jemi tek ky qytet, duhet të vlerësoj karakerin e tij. Kozmopolitizmin që e ka karakterizuar. Në këtë frymë duhen parë edhe këto mesazhe. Të cilat janë të njëjta për të gjithë ne, dhe të cilat këtu bashkë, me maqedonas ose jo, shqiptarë ose jo, na flasin në të njëjtën gjuhë, atë të integrimit europian

Përcaktimi i alfabetit latin ishte një vendim se shqiptarët i përkasin perëndimit.
Përcaktimi për kujdesin gjuhësor na bën Evropiane.

Unë vetë vij nga bota akademike, nga ajo e letrave dhe e përkthimit të tyre. Sepse përkthimi na siguron se duke ruajtur dhe pasuruar gjuhët tona ne mund të shkojmë drejt tjetrit.

Umberto Eko thotë se “përkthimi është gjuha e evropës”, atëhere nga Manastiri sot le ta çojmë edhe shqipen në Evropë, por të denjë, të njëjtë dhe njëkohësisht të larmishme.