Fjala e mbajtur nga Ministrja Kumbaro në hapje të Konferencës "50 vjet studim dhe restaurim i trashëgimisë kulturore shqiptare" - Ministria e Kulturës
Postuar më: 22/10/2015

Fjala e mbajtur nga Ministrja Kumbaro në hapje të Konferencës “50 vjet studim dhe restaurim i trashëgimisë kulturore shqiptare”

Sot është një ditë e shënuar për të uruar dhe përgëzuar gjithë ata që kanë kontribuar në kalanë e punës së jashtëzakonshme që është kryer në këtë Institut. Është si një lloj feste. Ndonëse festën s’e kisha menduar ndonjëherë, sepse këta dy vjet që kur jam ulur në karrigen e parehatshme të ministrit të kulturës, monumentet e kulturës kanë qenë shqetësimi i madh i kësaj detyre.

Natyrisht nuk e gjetëm të shtruar tryezën e menaxhimit të trashëgimisë, sepse 25 vitet e fundit kanë qenë të vështirë dhe mbushur me probleme.

Por nga ana tjetër dhe sfida për të ruajtur më të mirën traditë dhe punë të kryer në 50 vite është një përgjegjësi e madhe. Një sektor me një histori të jashtëzakonshme profesionale me emra të shquar arkeologësh, historianësh, arkitektësh, inxhinierësh, studjuesish që ndërtuan një sistem të tërë të ruajtjes së vlerave kulturore, që krijuan kuadrin, tipologjitë, shkollën dhe shkencën e Monumentit është një histori që në vetvete përbën pasuri të trashëgimisë kulturore.

Po tregohem mjaftueshëm e kujdesshme të mos citoj këtu emrat enciklopedikë të atyre që shkruan faqet e jetës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, një pjesë e të cilëve na nderojnë shumë sot me praninë e tyre në këtë sale sepse do të kisha frikë se do i hyja kujt në hak.

Gjenerata ekselencash që jo vetëm nxorrën në dritë thesare të kulturës kombëtare por dëshmuan sa europiane dhe universale është njëkohësisht kultura jonë, dhe e bënë atë pjesë të trashëgimisë botërore, me vlera si Gjirokastra 10-vjetori i së cilës në UNESCO është një tjetër jubile i rëndësishëm në këtë vit, ose Berati e Butrinti, pjesë të pasurive ndërkombëtare kulturore. Sfidë dhe përgjegjësi e madhe të merrje detyrën për të drejtuar sistemin e trashëgimisë kulturore nën peshën e kësaj historie që vijon të mbetet guri i çmuar i kurorës.

Nga ana tjetër, dua të ndaj me ju dhimbjen që provuam kur e nisëm këtë punë, teksa konstatuam rënien që kishte pësuar shkëlqimi i historisë, në një institucion ku shumë gjëra ishin lënë pas dore, në një vend ku ndërtimet pa leje po i merrnin frymën trashëgimisë, ku vjedhja e kishave të vjetra dhe  bastisja e varreve antikë ishin pjesë e zakonshme e kronikës së zezë.

Nuk ndjehem mirë, por duhet ta them:

–       arkivin e IMK që është baza e punës në mirëmbajtjen e monumenteve e gjetëm me shumë vrima të zeza, po përpiqemi t’i plotësojmë dhe t’i digjitalizojmë

–       inventarin e monumenteve të kulturës e gjetëm të papërditësuar që nga viti 1988, me plot çudira brenda.

Jemi angazhuar dhe po e realizojmë: në dy vjet kemi nisur punën për inventarizimin dhe në dhjetor do të dorëzojmë listën e plotë të pasurive kulturore të Republikës pasi kemi verifikuar e prekur në terren çdo monument, fotografuar dhe pajisur me kartelë të veçantë çdo objekt.

Në listën e trashëguar prej 2700 monumentesh vetëm 20 prej tyre u futën në zonë mbrojtje në 25 vjet. Në dy vite, mbi 80 monumente të rëndësishme kanë sot zonën e mbrojtjes që nuk lejon ndërtimet e pakontrolluara rreth tyre.

–       qendrat historike si Berati, Gjirokastra, janë tashmë të kujdesura nga rregullore te reja dhe në bashkëpunim më pushtetin vendor.

–       të tjera qendra historike janë përkufizuar qartë dhe kanë marrë vlerë ligjore, si Pogradeci, Bilishti, Himara, dhe Durrësi së fundi është në kantier rregullimi për t’u dhënë fund dëmtimeve dhe batërdisë urbane në thesaret e kombit, e kështu do të vijojmë.

Për IMK dhe Ministrinë e Kulturës, por edhe për gjithë shqiptarët ishte një lajm shumë shpresëdhënës vendimi i fundit i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO, marrë në Bon në korrikun e kaluar, bash në 10-vjetorin e pranimit të Gjirokastrës në UNESCO, sipas të cilit Gjirokastra nuk është më një sit i rrezikuar dhe se qeveria shqiptare ka hedhur hapat e duhur dhe ka ecur mbarë në reformat e ndërmarra në trashëgimi për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Dhe, meqë jemi te Gjirokastra, – pas kalimit të fazës së parë të ndërhyrjeve emergjente me operacione shpëtimi në shumë pika të nxehta siç janë kantieret e restaurimit në kishat ortodokse në Berat, Korçë, në Bregun e Jugut etj, restaurimi i pazarit të Krujës dhe pazarit të Korçës, bashkëpunim i qeverisë shqiptare me Fondacionin amerikano-shqiptar për zhvillim, – Gjirokastra është padyshim në krye të rendit të ditës të punëve të IMK, e cila ka përgatitur tashmë një plan strategjik e teknik të ndërhyrjes, të emergjencave, të restaurimit dhe të rijetëzimit të qendrës historike të Gjirokastrës që është në një pikë kritike.

Do të jetë një operacion i madh në të cilin Instituti i Monumenteve të Kulturës do të jetë fort i mbështetur jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por nga qeveria shqiptare që e konsideron trashëgiminë prioritet të saj si asnjëherë tjetër, nga donatorë të rëndësishëm si Fondacioni amerikano-shqiptar i zhvillimit, dhe Agjencia turke TIKA, në bashkëpunim me të cilët do të kthejmë zonën këmbësore në Gjirokastër, pas investimit të qeverisë shqiptare për ndërtimin e nje unaze të re të Qendrës historike të Gjirokastrës, për çka puna përgatitore ka filluar tashmë. E gjitha kjo në komunikim të ngushtë me UNESCO-n.

Mund të vijoj të flas me orë për punën, sfidat, vështirësitë dhe projektet e IMK dhe të sistemit të trashëgimisë kulturore, por dua të theksoj se për mua personalisht këta dy vjet kanë qenë një shkollë e madhe, një punë pasionante me profesionistë të terrenit dhe krijues të profesionit, brenda dhe jashtë administratës, në zyra dhe në dy Këshillat Kombëtarë që ministri drejton, ai i Restaurimeve dhe i Arkeologjisë.

Dua të falenderoj të gjithë anëtarët e të dy Këshillave, që nga Profesorët që i bëjnë një nder këtyre organeve vendimarrëse, Prof. Emin Riza, Afërdita Onuzi, Piro Thomo, Gjerak Karaiskaj, Lorenc Bejko e deri te sekretariatet teknike që përballojnë mbledhje maratonë. Lodhemi por edhe mësojmë shumë dhe bëjmë punë të mira. Shpresoj shumë që me debatet e tyre profesionale të shtojmë një gur sado të vogël në historinë e gjatë të Monumenteve të Kulturës.

Jemi gjithashtu krenarë që në këta dy vjet mbledhjet e KKR dhe të KKA janë krejt publike, të hapura për këdo, janë Këshilla të vërtetë, me vendimmarrje të vështira e profesionale, me gjithçka që botohet në linjë në faqen e internetit të IMK, me asnjë vendim qarkullues! As edhe një! – përkundër 56% të vendimeve qarkulluese të KKR dhe KKA marrë në vitet 2012 dhe 2013 – nëse më lejoni t’i referohem kontrollit të fundit të KLSH në sistemin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Dua gjithashtu të falenderoj të gjithë punonjësit e sistemit të trashëgimisë që punojnë në terren, në Drejtoritë rajonale, pa të cilët IMK por edhe ASHA nuk do ta kishin të mundur të realizonin e të ndiqnin zbatimin e projekteve dhe të punëve të mëdha që bëhën, pa të cilët monumentet nuk do të ruheshin sic janë ruajtur. Komunikimi i përhereshëm dhe i menjëhershëm midis IMK, Ministrisë dhe Drejtorive rajonale, ka qenë dhe do të mbetet një faktor kyç në mbarësinë e punëve të kulturës. Kjo është dhe një nga pasojat pozitive të reformës strukturore në Trashëgimi që nisëm vitin e kaluar.

Dua t’u shpreh mirënjohjen disa senjorëve të trashëgimisë kulturore, monumentale dhe historike, të cilët ndonëse nuk janë pjesë administrative të strukturave publike, por janë mendje të vyera që na këshillojnë nga afër, por edhe kur janë larg, edhe kur na qortojnë, edhe kur shprehen në publik, japin një kontribut që na vlen shumë, dhe që i ndjekim në çdo hap, Profesor Aleksandër Meksi, Profesor Pëllumb Xhufi, Profesor Muzafer Korkuti, Profesor Kristo Frashëri, Profesoreshë Shpresa Gjongecaj, kërkuesit, ekspertët, arkeologë, studjues, arkitektë e restauratorë, të mirë e pasionantë të monumentit Frederik Stamati, Maksim Mitrojorgji, Etleva Nallbani, Gjergj Frashëri, Mustafa Arapi, e padyshim shumë të tjerë që më bëjnë të skuqem duke mos mundur t’ua përmend dot emrat dhe duke bërë për këtë një mea culpa !

Dua të falenderoj partnerët tanë tradicionalë dhe të rinj,

–       Institutin e studimeve arkeologjike me te cilin ndajmë shumë bashkëpunime, debate, tensione dhe zgjidhje,

–       Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, që merr një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin por edhe për formimin e profesionistëve të ardhshëm të trashëgimisë.

–       UNESCO-n dhe vetë Drejtoreshën e UNESCO, si dhe mikeshën e Shqipërisë, zonjën Irina Bokova që na ka ndenjur shumë afër, si dhe gjithë drejtuesit dhe ekspertët e UNESCO – qe I konsiderojme me shume se bashkepunetore se të tillë i kemi ndjerë në çdo hap!

–       Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për zhvillim, me të cilin kemi nisur, kemi realizuar dhe po vijojmë të bëjmë punë të bukura dhe me vlerë të madhe për kombin.

–       Delegacionin Europian në Tiranë me të cilin do t’i japim një dritë të re Parkut Arkeologjik të Apollonisë dhe jo vetëm këtij Parku

–       Agjencine turke TIKA  e cila prej dy vjetësh bashkëpunon ngushtësisht me IMK për të gjitha projektet e rëndësishmë të restaurimit

–       Të gjithë partnerët tanë dypalësh si Ambasadën franceze, italiane, amerikane, gjermane, polake, me të cilët kryejmë projekte të vogla në dukje por të rëndësishme në eksperienca.

–       Pa dyshim organizatat profesionale e shoqatat e pavarura, ku dua të veçoj Cultural Heritage Without Border, për punën, pasionin dhe bashkëpunimin që kemi pasur dhe për të cilin angazhohem se do e vijojmë po aq të suskesshëm sa deri tani. Forumin për mbrojtjen e trashëgimisë, Shoqatën e arkitektëve , etj.

Ndjehem me shumë fat dhe shumë e nderuar që më qëlloi të jem ministër i Kulturës së Shqipërisë, në kremtimin e gjysmë-shekullit të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, dhe po kështu ndjehemi të gjithë të lumtur që ky gjysmë-shekulli i IMK-s përkon me një momënt shumë të rëndësishëm për kulturën kombëtare dhe botërore, me kandidimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në UNESCO.

Do të jemi bashkë për një hapësirë kulturore pa kufi.

 

Faleminderit.