Panairi i Librit të nëntorit është para së gjithash festë e mendimit të lirë dhe bashkëpunimit: nuk mund të ketë asnjë vend më të pasur me ide, më të populluar me mendimtarë, ideatorë, ëndërrimtarë e paqëtorë këto ditë se kjo hapësirë e Pallatit të Kongreseve ku bashkohen kultura, shkëmbehen mendime dhe debatohen ide.
Fakti që ne e mirëpresim këtë panair tashmë prej vitesh do të thotë se ne dimë të ulemi në sofrën e përbashkët të rrumbullakët të kulturës si të uritur për t’u pasuruar me kulturat e botës së përkthyer apo me origjinalitetin e botës sonë shqiptare, si dhe për të komunikuar mes nesh duke theksuar e përmirësuar gjithçka të mirë që na bashkon e duke lënë të hapur debatin konstruktiv për përmirësimin e klimës së kulturës së shkruar dhe të tregut të librit.
Parimi i bashkëpunimit dhe i dhënies së mundësive dhe shanseve të barabarta të gjithëve, parimi i shprehjes së mendimit të lirë, të krijimtarisë së lirë, ka qenë dhe mbetet dhe parimi prijës i politikës së Ministrisë së Ministrisë së Kulturës në këto vite.
Në zbatim të këtij parimi kemi mbështetur fuqishëm prej dy vitesh përkthimin e veprave më të mira të letërsisë së huaj, duke synuar jo vetëm adhjen në shqip të një letërsie cilësore, por edhe veçimin e përkthyesve më të mirë, të atyre që bëjnë dallimin në larushinë e përkthimeve në treg. Nëpërmjet Fondit të Përkthimit Letrar janë mbështetur si përkthyes të mirënjohur tashmë si Zef Simoni, Afrim Koçi, Klara Kodra, Bajram Karabolli etj., ashtu edhe përkthyes të talentuar të brezit pasardhës, si Rudi Erebara, Idlir Azizaj, Agron Tufa, Parid Teferiçi, Ben Andoni, e shumë të tjerë, të cilët kanë sjellë në shqip vepra të autorëve më në zë të letërsisë botërore si Herman Melville, Doris Lessing, Salman Ruzhdie, Samuel Beckett, Marcel Proust, Joseph Conrad, Umberto Eco, Milan Kundera, Milorad Pavić, Roberto Bolaῆo, Stefan Zëeig, Luigi Pirandello, Odiseas Elitis, Osip Mandelshtam, etj.
Serisë së veprave të mbështetura nga Ministria e Kulturës u shtohen edhe ato të dhjetë autorëve shqiptarë të Fondit të Krijimtarisë Letrare, një pjesë e botuar tashmë dhe e pranishme që në këtë panair.
Kjo politikë mbështetjeje e letërsisë shqipe nëpërmjet këtij fondi, hartimi i një katalogu të përvitshëm në gjuhën angleze të veprave të përzgjedhura që do të shërbejë si pashaportë për promovimin e autorëve shqiptarë jashtë vendit, realizimi i një portali për letërsinë shqipe po në gjuhën angleze, mbështetja e përkthimit të veprave të letërsisë shqipe që kanë kontratë botimi me shtëpi të huaja botuese, janë disa nga nismat që synojnë thyrjen e barrierës së mundimshme të izolimit të letërsisë shqipe. Pjesmarrja në panaire të rëndësishme jashtë vendit është gjithashtu një mënyrë për promovimin e letrave shqipe: do të jemi sërish të mirëorganizuar në Panairin e Lajpcikut, si dhe në atë të Torinos. Ndërkohë që po bëhen të gjitha përpjekjet për zgjerimin e rrjetit të panaireve ku letrat shqipe do të jenë të pranishme.
Mbështetja e përkthyesit dhe autorit shqiptar, financimi i hallkave më të dobëta dhe më problematike në tregun e librit, siguron gjithashtu në mënyrë të tërthortë dhe mbështetjen e vetë shtëpive botuese. Po ngrehina e librit nuk mund të qëndrojë në këmbë pa lexuesin: pa të nuk do të kishim as autorë, as përkthyes e as botues. Kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës mbështet fuqishëm projektet që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me edukimin e brezit të ri me dashurinë për librin dhe leximin. Për afrimin e të rinjve në bibliotekat e qyteteve dhe shkollave, vitin e ardhshëm kemi parashikuar të shtojmë dhe Fondit e Bibliotekave për pasurimin e tyre me tituj të rinj.
Pikërisht në një kohë të vështirë për biznesin e librit, duke pasur parasysh uljen e shifrave treguese të botimeve edhe në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar, Ministria e Kulturës u hapi rrugën dhe u krijoi mundësinë shtëpive botuese shqiptare të aplikojnë për fonde të konsiderueshme në Bashkimin Europian, nëpërmet pjesmarrjes në projektin e përkthimit, Europa Krijuese.
Në vetëm dy vite janë mbështetur nga Bashkimi Europian 9 shtëpi botuese me një fond prej mbi 400 mijë euro, duke mos lënë mënjanë këtu edhe rrjetin e fuqishëm Traduki që jo vetëm financon përkthimin nga dhe në gjuhët ballkanike e gjermanike, por mbështet gjithashtu dhe lëvizshmërinë e shkrimtarëve dhe përkthyesve apo prezantimin e veprës së tyre në panaire dhe festivale të rëndësishme jashtë vendit.
Në një botë që shkon drejt librit në lëvizje, librit digjital, që në mënyrë të qëlluar është dhe tema e këtij panairi, është zgjuarsi të shfrytëzohet teknologjia dhe aftësia e rrufeshme e komunikimit në dobi të leximit. Nuk duhet kurrësesi që libri digjital të konceptohet si një formë e re që i kundërvihet formës tradicionale të librit në letër. Digjitalizimi do të ndihmojë në një shpërndarje më të mirë dhe më të shpejtë të librit dhe futjen e librit shqip edhe në tregjet botërore të shpërndarjes. Rrezikut të piraterisë në këtë fushë, i kemi paraprirë me hartimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen e së Drejtës së Autorit, i cili do të miratohet në parlament brenda vitit, dhe ku janë parashikuar kapituj të veçantë edhe mbi piraterinë digjitale.
Të gjitha këto nisma do të shërbejnë për zgjerimin e kufijtë të lirisë sonë të mendimit e krijimit në fushën e librit, sepse vetëm kultura e librit dhe leximit shtyn kufinjtë e dijes e njohjes pa dëmtuar lirinë personale të gjithësecilit, gjithnjë në respekt të Tjetrit dhe të Ndryshmit prej nesh.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.