Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi në përurimin e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë - Ministria e Kulturës
Postuar më: 18/06/2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi në përurimin e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë

4 vite rrumbullak në  Ministrinë  e Kulturës treguan se kjo qeveri dhe kryeministri Edi Rama e kanë shumë seriozisht çështjen e kulturës,  fjalë për fjalë, siç thoshte një nga baballarët themelues të Europës Jean Monnet:

“Po ta nisnim Europën nga e para do e filloja nga Kultura”

ndryshe nuk e shpjegoj vendimin e Edi Ramës për të krijuar për herë të parë një Ministri krejtësisht të dedikuar për Kulturën.

Një mandat 4 vjeçar i nisur me borxhe, pa program, pa projekte, me një sistem pa sistem, ku aktorët në teatër i emëronte politika dhe ku artistët e operas i vinin në rresht për të bërë peticione kundër opozitës.

8 vjet të qeverisjes së vjetër pa, ose me koalicion, na lanë vetëm muzetë e teatrot e shekullit të kaluar, as një dorë suva s’u hodhën, le më të mendohej për artistët e promovim të tyre.

Reforma në skenën publike të artit sa dukej e pamundur aq sot është një realitet i prekshëm e i përditshëm falë të cilës 5 fishuam numrin e premierave dhe 4 fishuam numrin e spektatorëve,  por sidomos, hapëm skenën për artistët e rinj  dhe nxiti skenën e pavarur dhe konkurrencën e lirë në art.

Jo vetëm kaq, po falë Kulturës së hapur, falë Artit të lirë e nxitjes së krijimtarisë së artisëeve në 4 vjet,  Shqipëria nxorri në pah anën e vet më të mirë dhe i tregoi botës Kulturën si Pasaportë duke u bërë pjesë e agjendave më të rëndësishme kulturore të Europës e të botës: Nga Marubi e Festivalet deri te Bienalet e Venecias.

 

Megjithatë, aq e pakonsideruar sa ishte kultura në këtë republikën tonë të pas viteve 90′ nuk kemi bërë mjaftueshëm, se Kultura është një kauzë shumë e rëndësishme për ta fituar plotësisht vetëm në  4 vjet.

Por ama, ia dolëm që në 4 vjet të hapim 4 muze të rinj:

Nga ai arkeologjik në Durrës, Marubi në Shkodër, Arti Mesjetar në Korçë dhe i fundit në Tiranë , Shtëpia me Gjethe.

Sikurse ia dolëm që në 4 vjet të hapim 4 kantiere teatrosh të rinj,  apo krejt të harruar që nga vitet ‘60.

Restauruam Teatrin “Migjeni” prej ku filloi pak muaj më parë dhe programi Ynë i Operas shëtitëse me Traviatën;

Ndërtuam Turbinën në Tiranë teatrin e ri me dy skena që tashmë ka filluar të hapë dyert për Skenën alternative;

Hapëm kantierin për rinkonstruksionin e plotë të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë;

Dhe i fundit – si ëmbëlsirat e mira korçare, – në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, ky teatër që sot ju mirëpret për së pari me premierën tonë të fundit të baletit “Liqeni i Mjellmave”.

Unë ndjehem me fat që projektet e Kulturës në këto 4 vjet kanë patur mbështetjen me zemër e me punë të drejtuesve e politikanëve si Sotiraqi, Niko dhe Edi!

Në emër të artistëve dhe të publikut që i ndjek, faleminderit juve dhe gjithësecilit që iu bashkua skuadrës së Kulturës.