“Mirëseerdhët! Dobro došli! Welcome!- Me këto fjalë, Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro u uroi mirëseardhjen 35 të rinjve shqiptarë e serbë, pjesëmarrës në Shkollën Verore “Bashkëbisedimi Ndërkulturor në Epokën Digjitale”.
Në takimin që u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Kulturës në Tiranë, merrte pjesë Kryetari i i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig.
Shkolla Verore është një nismë e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë Serbe për Sportin dhe Rininë, e mbështetur gjithashtu nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Kjo shkollë verore është hapur në datën 26 korrik dhe do të vazhdojë deri në datën 31 korrik, me pjesëmarrës të grupmoshave nga 18-26 vjeç.
“Ne mund të këmbejmë informacione , mund të prodhojmë ide që lindin nga ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy vendeve në aspektin gjuhësor dhe tradicional dhe këtij informacioni nuk i duhet pasaporta, apo nënshtetësia. Kultura është një tokë pa kufi dhe bashkëbisedimi kulturor në epokën digjitale na i afron akoma më shumë shkëmbimet”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në takimin e sotëm .
Të rinjtë serbë , treguan eksperiencën shqiptare të qëndrimit, duke e cilësuar të rëndësishme në njohjen dhe kuptimin e tjetrit. Nga diskutimet mes të rinjve, Ministres Kumbaro dhe Ambasadorit Raunig u theksua domosdoshmëria e bashkëbisedimit kulturor me mjetet e komunikimit digjital.
“Epoka digjitale dhe komunikimi përmes teknologjisë na afron në kohë reale dhe na bashkon në rrugën e nisur drejt integrimit evropian, rruga jonë e sigurt dhe e pakthyeshme”-shtoi Ministrja Kumbaro.
Kjo shkollë do të jetë një ndërthurje midis moduleve akademike të drejtuar nga personalitete në fushën akademike dhe aktiviteteve informuese mbi institucionet e rëndësishme në Shqipëri si Ministritë e linjës dhe Kryeministria.
Shkolla Verore do ti krijoje mundësinë të rinjve të shkëmbejnë eksperienca dhe ide në promovimin e angazhimit të rinisë në jetë politike dhe sociale të shteteve të tyre. Kjo shkollë do të zhvillojë aftësitë për bashkëbisedim ndërkulturor të pjesëmarrësve dhe do të mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve ndërmjet të rinjve shqiptarw dhe serbë.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.