E nderuar zv. Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar kolegë,
Jemi sot këtu për të finalizuar së bashku projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Përpjekjet për ngritjen e qendrave informuese e kulturore, të cilat i vijnë në ndihmë turizmit, por dhe ruajtjes dhe promovimit të identitetit dhe kulturës së origjinës, kanë nisur vite të shkuara dhe vetëm një vit më parë, në 3 prill 2019, u formalizuan me një marrëveshje dypalëshe dhe tashmë pret të materializohet.
Shqipëria gjithëherët ka ndjekur politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit.
Maqedonia e Veriut është një nga fqinjët tanë, me të cilin ndajmë jo vetëm një hapësirë të përbashkët gjeografike.
Me Maqedoninë e Veriut na sjell më pranë Liqeni i Ohrit, i cili prej 5 korrikut të vitit të shkuar, është përfshirë i gjithi nën ombrellën e UNESCO-s dhe të dyja vendet duhet të përmbushim detyrime të përbashkëta për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri botërore, kulturore dhe mjedisore.
Por mbi të gjitha është lidhja shpirtërore me popullsinë shqiptare, që jeton në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe që përbën mbi 25% të popullsisë të vendit fqinj.
Që do të thotë se detyrimi ynë është i dyfishtë karshi fqinjëve tanë.
Projektligji në fjalë është në përputhje me drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe me programin e Qeverisë për të rritur dialogun kulturor, për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Po ashtu është në përputhje edhe me politikat europiane mbi lëvizjen, shkëmbimin dhe mbështetjen e artistëve; ruajtjen e diversitetit kulturor, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale. Politika këto që do ta udhëheqin Europën drejt vitit 2030 dhe për të cilën Shqipëria ka shprehur angazhimin e saj të plotë.
Kjo politikë e hapjes kulturore është pjesë e axhendës së 10 viteve të ardhshme dhe kjo nismë përkon bash me angazhimet e ndërmarra në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, për të cilin u diskutua dhe u dol me një deklaratë të përbashkët në Konferencën VI të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore, që u mbajt dy ditë më parë në Rijeka, të Kroacisë, i shpallur si kryeqytet Europian i Kulturës, për vitin 2020.
Deri më sot, marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve kanë qenë mjaft të mira, falë raporteve institucionale të ngritura tashmë dhe të materializuara me sukses me aktivitete dhe projekte konkrete.
Por, projektligji, që ju ftoj të votojmë sot, e forcon më tej këtë bashkëpunim në fushën e kulturës, ndihmon në përhapjen e kulturës shqiptare dhe prezantimin e saj në Maqedoninё e Veriut dhe anasjelltas. Qendrat Kulturore dhe Informative do tё prezantojnë kulturёn e shteteve respektive, përmes organizimit të eventeve, ekspozitave, ligjëratave letrare, shfaqjes së filmave, botimeve, promovimit nё media dhe ofrimit tё shёrbimeve informuese për qytetarët e interesuar të të dyja palëve.
Ato do të kthehen në qendra te mirëfillta dialogu, të hapura pёr të gjithë qytetarёt.
Të nderuar,
Do të kisha dashur që edhe më shpesh të diskutonim së bashku për tema të tilla. Sot propozojmë miratimin e një projektligji që lidhet me ngritjen e qendrave kulturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të uroja që kjo nismë të ndërmerret edhe me vende të tjera fqinje, ku jetojnë ose jo shqiptarë, me qëllim promovimin e kulturës sonë.
Eksperiencat botërore flasin për efektet pozitive që kanë ato në komunitetet, të cilave u përkasin, sidomos në edukimin e brezit të ri; në ruajtjen e gjuhës, traditave, por edhe të hapjes kundrejt kulturave të komuniteteve të tjera e të vendeve fqinje, si dhe në zbutjen e konflikteve. Ato nuk janë qendra konservative, por shkëmbimesh.
Në 8 shtator 1991 Maqedonia e Veriut fitoi pavarësinë, ndërsa Shqipëria, po në të njëjtin vit do të rrëzonte diktaturën komuniste dhe prej gati tre dekadash, dy vendet tona po ecin përpara në ndërtimin e demokracisë dhe synimin e përbashkët, atë të anëtarësimit në familjen e madhe europiane, në Bashkimin e Europian, që promovon multikulturalizmin, diversitetin dhe trashëgiminë kulturore të çdo komuniteti.
Qendrat Kulturore dhe Informative, të cilat do të ngrihen si pjesë e përfaqësive diplomatike përkatëse, do të funksionojnë mbi bazën e normave të së drejtës ndërkombëtare. Ato janë shtetërore dhe mënyra e financimit të tyre do të përcaktohet nga secila palë.
Efektet financiare, që shoqërojnë këtë projektligj konsistojnë nё ngritjen e Qendrave Kulturore dhe Informative Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa parashikohen lehtësira nga detyrimet doganore për materialet e nevojshme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme (me kusht që ato të mos përdoren për shitje apo përfitime të tjera në Shqipëri.)
Por, përtej efektit financiar, ajo që përfitohet është edhe më e madhe.
Këto qendra nuk do t’i shërbejnë vetëm shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, edukimit të brezit të ri me ndjenjën e vazhdimësisë së ruajtjes së kulturës dhe trashëgimisë së të parëve, por ka të bëjë me njohjen më të mirë mes fqinjësh, në promovimin e kulturës dhe të turizmit, dhe krijimin e mundësirave më të mëdha për shkëmbime kulturore mes artistëve të të dy vendeve, me një rezonancë më të gjerë se thjesht dhe vetëm në këto Qendra Kulturore.
Kultura është një konstante që shërben për të lidhur njerëzit, për të njohur dhe pranuar njëri-tjetrin, për nxitjen e paqes dhe tolerancës. Atje ku mbizotëron, kultura ka shumë pak vend për diskutime të tjera dhe urrejtje mbi baza etnike.
Brezat e ardhshëm duhet të rriten me këtë frymë dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
Dhe në emër të këtyre brezave dhe një të ardhmeje të paqtë, ju ftoj që të votojmë këtë projektligj.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.