» Hapet thirrja për projekt-propozime në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore për vitin 2019
Postuar më: 04/12/2018

Hapet thirrja për projekt-propozime në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore për vitin 2019

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-propozime në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore për vitin 2019. Duke krijuar një sistem të qëndrueshëm në mbështetje të skenës së pavarur artistike, tashmë në vitin e pestë, kjo thirrje do të mbështesë propozime të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin dhe edukimin në fushat e artit, kulturës dhe trashëgiminë kulturore jo materiale.

Ministria e Kulturës do të  mbështesë projekt-propozime që ideojnë, nxisin, promovojnë krijimtarinë artistike dhe trashëgiminë kulturore në vijim të programeve dhe strategjisë së MK-së, me fokus në:

  • Projekte të edukimit përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore;
  • Projekte në funksion të turizmit kulturor;
  • Projekte që nxisin pjesëmarrjen dhe angazhimin e artistëve të lirë të skenës;
  • Projekte të industrive kreative;

Ky fond shkon për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 20 shkurt – 5 dhjetor të vitit 2019.

Thirrja për projekt-propozime e Ministrisë së Kulturës për vitin 2019, hapet ditën e martë, datë 4 dhjetor 2018 dhe mbyllet në orën 14.00, të ditës së martë, datë 15 janar 2019.

Përzgjedhja përfundimtare shpallet nga kolegjiumi në datën 15 shkurt 2019.

Udhezimi 2019

Forma e Aplikimit 2019

Tabela për kostot financiare të projektit 2019

 Ju këshillojmë që të lexoni me shumë kujdes udhëzimin përkatës për një plotësim sa më të rregullt të dokumenteve që shoqërojnë aplikimin. Në të kundërt, projekti juaj nuk do të merret në shqyrtim për vlerësim të mëtejshëm.

Ju falënderojmë për besimin,

Ju garantojmë bashkëpunim profesional në idetë dhe projektet që do të prezantoni.

Suksese të gjithë pjesëmarrësve!