» Paqja me botën nis nga paqja me veten
Postuar më: 16/10/2018

Paqja me botën nis nga paqja me veten

Fjala e Ministres së Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro në konferencën Shqipëria, 60 vjet në UNESCO

“Çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen në botë?  Kjo është çështja që UNESCO-ja shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945, fill pas luftrave që përgjakën botën.

Një përgjigje për këtë na e ka dhënë Shenjëtorja jonë shqiptare, nënë Tereza: Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!

Kur Shqipëria u fut në UNESCO, 60 vite përpara, ende nuk e kishim zgjidhur problemin e paqes me veten, ndaj dhe për më shumë se 30 vite prania jonë ishte gati formale, thjesht me dëshirën për të qenë në paqe të rreme me të tjerët.

Gjithçka nis pra me njohjen e vetes dhe tjetrit. Ky është thelbi. Dhe njohja nis nga zakonet, traditat, mënyra e jetesës, të shprehura në arkitekturën e shtëpive, qendrave historike apo objektet e rralla, pra në trashëgiminë materialedhe shpirtërore që mbart gjithësecili, nis kështu nga Kultura.

Një kulturë që dëshmon pasurinë e një vendi.

Pa i dhënë ngjyra të përkohshme, por duke e ruajtur dhe promovuar për vlerat e përhershme.

Në këtë kuptim ishte e vështirë vendosja e kësaj rruge komunikimi me UNESCO-n në lëmin e kulturës para viteve nëntëdhjetë.

Ishte komunikim i pjesshëm, i cunguar dhe i pavërtetë.

Kjo është arsyeja pse hapi i parë domethënës me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore.

Si për të përligjur konceptin se qytetërimi nuk mund të ndërtohet me kështjella të mbyllura, por me amfiteatër të hapur, nuk mund të kuptohet pra pa shkëmbime, ndikime, marrëdhënie dhe shtresëzime kulturash.

Butrinti dëshmonte se ishim dhe jemi banorë të një vendi ku ka gjurmë të rëndësishme të qytetërimeve të hershme, që nga ai ilir, helenapo romak. Jemi pjesmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit europian.Është pikërisht ky stof i hershëm i thurrur së bashku, që bëhet baza e së ardhmes sonë.

Një e shkuar që ndërton të ardhme.

Pas Butrintit, në vitin 2005 do të ishte radha e qendrës historike të Gjirokastrës, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë botërore, zgjeruar me atë të Beratit më 2008.

Dy qendra të regjistruara jo vetëm si shembuj të rrallë të një arkitekture karakteristike, por edhe si dëshmi bashkëjetese fetare të përkatësive të ndryshme.

Dëshmi edhe një here se paqja që mëtojmë ndërtohet përmes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri, i ndryshmi prej teje. Ne mund ta japim një shembull të tillë bashkëjetese fetare pra edhe përmes trashëgimisë së pasurisë sonë kulturore ku ruhen njëlloj pranë njëra tjetrës kisha, xhamia e teqe.

Shqipëria është gjithashtu pjesë e “Kujtesës së Botës” po në vitin 2005 përmes Kodikëve të Purpurt të Beratit: “Beratinus-1” që daton në shekullin VI dhe “Beratinus-2” që daton në shekullin IX.

Prania dhe sidomos kultura e ruajtjes në trojet tona e kësaj pasurie me rëndësi të madhe historike për fillesat e letërsisë biblike në botë, është një tjetër dëshmi e përkatësisë sonë të hershme në atë që përbën themelet e qytetërimit europian.

Po në këtë të vit të mbarë të 2005-s u kurorëzuan përpjekjet shumëvjeçare të ekspertëve tanë për pranimin në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit dhe të “Iso-polifinisë”, duke shënjuar kështu një etapë të re të rëndësishme jo vetëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Unesco-s, por edhe të shndërrimit të kulturës sonë në faktor parësor në integrimin europian dhe në krijimin e një imazhi pozitiv për Shqipërinë.

Po të gjitha këto arritje kanë pas një punë të madhe bashkëpunuese institucionale mes Shqipërisë dhe UNESCO-s.

Kështu asistencat teknike dhe ndërkombëtare të akorduara nga UNESCO, kanë qenë vendimtare gjatë përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e Butrintit si dhe heqjen e tij nga Lista e Pasurive Botërore në rrezik (1996, 1997) si dhe gjatë procesit të hartimit të dosjes së shpalljes së qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit (2002, 2006, 2008). Ashtu siç kanë qenë domethënëse kontrubutet e ekspertëve tanë në përgatitjen e dosjeve sidomos për Kodikët dhe Isopolifoninë.

Vlejnë të përmenden e të falenderohen emrat e profesorëve të nderuar Emin Riza, Shaban Sinani e Vaso Tole për këto dosje që sot na bëjnë krenarë, por më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen më të thellë e të falenderoj si shqiptare për gjithmonë por edhe si ministre sot, profesorët e nderuar të Trashëgimisë Kulturore Materiale që pasi studjuan, kuruan, mirëmbajtën e projektuan restaurimet e pasurive kulturore por edhe të Qendrave historike, na kanë lënë jo vetëm thesaret e kombit si pjesë e TrashëgimisëBotërore por edhe dijen e tyre të paçmuar qëvijon të jetë udhërrëfyese për në çdo ditë. Ata nuk përtojnë të përgjigjen, të vijnë, të na shpjegojnë, të ulën në tavolinën e punës dhe tëgjejnë bashkë me brezin e sotëm tërestauratorëve  zgjidhjet për sfidat që nuk mbarojnë të Trashëgimisë Kulturore.

Mirënjohje të thellë për profesor Emin Rizën, Aleksander Meksi, Pirro Thomo, Neritan Ceka, Gjerak Karaiskaj, Myzafer Korkuti, Apollon Bace, dhe ndjesë që shumë emra të tjerë tënderuar të baballarëve të ruajtjes së Pasurive tonë Kulturore, s’arrij dot t’i përmend, po kështu dua të falenderoj drejtuesit në vite tëinstitucioneve të rëndësishme të trashëgimisëkulturore nga ai që i dha emrin Institutit tëMonumenteve Gani Strazimiri, deri te Edlira Çaushi, Apollon Baçi dhe Lorenc Bejko, qëshoqëruan me sukses dosjet e Gjirokastrës dhe të Beratit.

Bashkëpunimi në fushën e kulturës nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me pranimin e pasurive tona në Trashëgiminë Boterore. Kjo përpjekje nuk mbyllet këtu por do të vijojë me përpjekjet për praninë në po këtë listë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase, dosja e së cilës është dorëzuar tashmë dhe pritet miratimi në në sesionin e korrikut  të 2019-s. E më pas me sitet në tentativë si qyteti antik i Apollonisë, Amfiteatri iDurrësit, Varret e Selcës apo Kështjella eBashtovës.

Këto janë pikëmbërritje të punës sonë të përbashkët ose pikësynime për të ardhmen. Por bashkëpunimi është shumë më tepër se kaq. Ndihmesa e UNESCO-s është e rëndësishme sidomos për asistencën teknike në hartimin e dokumenteve strategjike dhe programet në fushën e trashëgimisë kulturore, mbështetjen në realizimin e projekteve në fushën e kulturës, mbështetjen për forcimin e kapaciteteve nëfushën e trashëgimisë kulturore dhe të stafetës së dashurisë për Pasuritë Kulturore te brezat e rinj.

Kështu projekti BE-UNESCO “Drejt forcimit të qeverisjes së trashëgimisë së përbashkët ndërkufitare natyrore dhe kulturore të rajonit të Liqenit të Ohrit” mund të përmendet si bashkëpunimi më i fundit i suksesshëm në këtë fushë. Është projektuar për të mbështetur qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë në përpjekjet e tyre për të mbrojtur zonën e Liqenit të Ohrit. Ky projekt mbështeti përgatitjen e dosjes së kandidimit për zgjerimin e sitit të trashëgimisë botërore “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit” (2014-2017).

Në vitet e fundit ky bashkëpunim është thelluar edhe më tej falë vullnetit të qeverisë sonë për një kujdes të veçantë ndaj trashëgimisë kulturore, Kjo përpjekje është përkrahurfuqishëm nga ana e UNESCO-s e sidomosnismat e Ministrisë së Kulturës për hartimin e planit të menaxhimit të integruar të Qendrave Historike Gjirokastër dhe Berat duke iu akorduar vitet e fundit disa asistenca teknike që ndihmojnë në këtë proces. Dhe sapo ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit që do të përfundojë në pranverën që vjen.

Nën frymën e këtij bashkëpunimi mund të përmendim dhe arritjet tona në këto vite në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore duke nisur nga ndryshimet e rëndësishme ligjore që po sjell ”Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” miratuar në maj 2018, ngritjen e muzeve të rinj që nga rehabilitimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, Muzeu i Gjethit në Tiranë, dhe ndërkohë ka nisur puna për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar.

Në gjithë këtë rrugëtim bashkëpunimi kemi mësuar se: Nuk ka rëndësi nëse jemi të vegjël apo të mëdhenj, të pasur apo të varfër, për të kontribuar për paqen: mjafton të bëjmë nga pak çdo ditë, të ofrojmë më të mirën tonë, më të bukurën, më të vlefshmen, me dashuri të madhe.

Në këtë përvjetor vërejmë me kënaqësi se bashkëpunimi ynë do ta ketë rrugën e gjatë: le të punojmë për këtë, siç na frymëzojnë fjalët e arta të shenjtores Tereza:

 

E djeshmja iku.
E nesermja akoma s’ka ardhur.
Kemi vetem te sotmen.
Le t’ia fillojmë!