» Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro takon “Europa Nostra”. Projekte të reja dhe ura bashkëpunimi
Postuar më: 21/09/2018

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro takon “Europa Nostra”. Projekte të reja dhe ura bashkëpunimi

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, znj. Arta Dollani pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, z. Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga  Banka Europiane e Investimit.

Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “ Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.

“Trashëgimia Kulturore nuk është luks, por potencial për zhvillim ekonomik. Qeveria shqiptare prej pesë vitesh ka kthyer fort vëmendjen ndaj trashëgimisë kulturore. Programet  si “100 Fshatrat”, apo “Rrugët e Besimit”, nuk janë vetëm sensibilizim ndaj pasurive kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Shqipërisë, por një itinerar i pasur i këtyre thesareve që presin të zbulohen për të komunikuar kulturalisht por edhe për të gjeneruar ekonomi lokale”- u shpreh Kumbaro gjatë takimit.

Misioni vlerësoi maksimalisht punën e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve në mirëmbajtjen, restaurimin dhe vëmendjen e treguar ndaj këtyre monumenteve dhe u shpreh i gatshëm të “krijojmë urat e nevojshme të komunikimit dhe bashkëpunimit në nivel institucional”.

Misioni i Europa Nostras u njoh me strategjinë e programit të Trashëgimisë Kulturore, ligjin e ri për “Trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, projektet  e monumenteve që janë në proces restaurimi, ose pritet të fillojnë përmes partneriteve me donatorë privatë, apo komunitetet fetare.

Në takim u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit në të ardhmen duke ngritur grupe të përbashkëta ekspertësh në vlerësim, ekspertizë apo  zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në ndihmesë të restauratorëve,  ikonografëve, teknikave të restaurimit, etj.