» “Lëvizja Kombëtare për Lexim” nis nga Kukësi. Kumbaro : “Nxisim Leximin në të gjithë Shqipërinë. I bëjmë një shërbim shumë të mirë vendit, të tashmes dhe të nesërmes”
Postuar më: 30/10/2018

“Lëvizja Kombëtare për Lexim” nis nga Kukësi. Kumbaro : “Nxisim Leximin në të gjithë Shqipërinë. I bëjmë një shërbim shumë të mirë vendit, të tashmes dhe të nesërmes”

Ministria e Kulturës ka prezantuar Lëvizjen Kombëtare për Lexim. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Kukësit, pikërisht për një simbolikë të veçantë që e sqaroi vetë ministrja Mirela Kumbaro.

“Martiri i fundit i poezisë Havzi Nela, u var në litar në qytetin e Kukësit, vetëm pse shkroi një poezi. 30 vite më vonë nisim nga Kukësi Lëvizjen kombëtare për Lexim, sepse ky qytet, edhe në kohërat më të errta ka prodhuar tokë pjellore për shpirtrat letrarë”- me këto fjalë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shpalli platformën e Lëvizjes Kombëtarë për Lexim nga qyteti i Kukësit.

Në një takim me nxënës të Gjimnazi ” Havzi Nela ” Kukes , qytetarë dhe fëmijë me libra në duar, Kumbaro diskutoi për politikat e Ministrisë së Kulturës në fushën e librit, për fushatën e suksesshme #TakohemiPërNjëLibër, nisur dy vjet më parë,  ku “Klubet  e leximit dhe të rinjtë e Kukësit janë një potencial i çmuar për librin dhe të ardhmen e tij, me mbështetjen e pakursyer dhe të vyer të shkrimtarit Petrit Palushi. Jam e bindur se kjo lëvizje, që sot nis nga Kukësi shumë shpejt do të përfshijë të gjithë Shqipërinë në muajin nëntor”- ndau me të pranishmit Ministrja Kumbaro.

Sipas ministres së Kulturës, Lëvizja Kombëtare për Lexim pason fushatën e dy vjetëve më parë, ‘Takohemi për një Libër”.

“Takimi në Kukës është një ogur i mirë për ta çuar më tej në çdo cep të Shqipërisë këtë lëvizje. Asnjëhërë nuk është vonë për të lexuar një libër. Sikur secili prej nesh të bindë së paku një në njëmilion shqiptarët që gjatë vitit të shkuar s’kishin lexuar asnjë libër, i kemi bërë një shërbim shumë të mirë vendit, të tashmes dhe të nesërmes”, tha ministrja e Kulturës duke falenderuar më tej shkrimtarin Petrit Palushi për mbështetjen e klubeve të leximit në këtë qytet.

Lëvizja Kombëtare për Lexim do të përfshijë të gjithë Shqipërinë gjatë muajit nëntor, muaj që përkon edhe me Panairin e Librit.

Je lexues i rregullt? Të pëlqen libri dhe leximi?

Bind një në njëmilion shqiptarë që nuk kanë lexuar të lexojë një libër këtë vit. Bind mikun, shokun, fëmijën tënd të lexojë librin e parë. Lexoja ti një libër që librin e dytë ta kërkojë vetë.

#LevizjaKombetarePerLexim

#MinistriaEKultures