» Hapet në Milano ekspozita “Rituali Fotografik” i Marubit, Kumbaro: “Kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes”
Postuar më: 16/11/2018

Hapet në Milano ekspozita “Rituali Fotografik” i Marubit, Kumbaro: “Kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes”

Një tjetër ngjarje e rëndësishme kultuore vjen në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në Trienalen e Milanos është hapur ekspozita ‘Rituali Fotografik’, me negativë të Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi. Ekspozita është inicuar dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, ndërsa kurator i është Zef Paci. Në ceremoninë hapëse të ekspozitës ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me Presidentin e Trienales së Milanos, arkitektin e mirënjohur Stefano Boeri.
“Kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes. Bashkë me Presidentin e Trienales, Stefano Boeri dhe ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, shënuam një ngjarje të rëndësishme në Vitin të Skënderbeut, pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2018. Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj.
Sipas ministres në margjina të arteve të tjera, fotografia e Marubve, Idromenos, Kodhelit, Shan Picit, Nenshatit e me radhë, ishin pasqyra më fantastike, njëherësh moderne për kohën e vendin por edhe, po aq klasike, e atij kufiri të hollë Lindje-Perëndim.
”Dallimi i madh i fotografëve shqiptarë prej atyre tipikë orientalistë të kohës ishte pikërisht hapësira e dallueshme që e vendoste estetikën teatrale të kompozimit në shërbim të një frymë kombëtare shqiptarizuese aq të domosdoshme për epokën. Sepse ata ishin artistë të jashtzkonshëm dhe atdhedashës shembullorë. La Triennale di Milano është një ndër skenat e duhura që ky ritual tashmë i shekullit të kaluar të jetë një pasaportë autentike shqiptare që flet për bashkëkohësi kulturore”, u shpreh ministrja e Kulturës, duke ftuar publikun e shumtë në ceremoninë e hapjes, artistë, gazetarë, kritikë arti por edhe bashkëatdhetarë nga diaspora, që të vinin e të vizitonin Muzeun në Shkodër dhe Shqipërinë.
Ekspozita “Rituali Fotografik”, përshkon 100 vjet nga historia e Shqipërisë, përmes portreteve që kalojnë para kameras së Marubit e më pas të fotografëve të tjerë të cilët fiksojnë momente kyç të jetës njerëzore shqiptare. Ekspozita do të rrijë e hapur deri në 9 dhjetor 2018.