» arTurbina nis me Festivalin Mbarëkombëtar. Kumbaro: “Teatri vend i dialogut”
Postuar më: 22/09/2018

arTurbina nis me Festivalin Mbarëkombëtar. Kumbaro: “Teatri vend i dialogut”

Skena e re “arTurbina” hapi dyert për të mirëpritur Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit, ku në datat 23-30 shtator, do të ngjiten në skenë 14 trupa teatrale nga të gjitha trevat shqiptare.“Dua të them se jam me fat që bashkë me trupën e Teatrit Kombëtar, bashkë më kolegët nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe nga Gjirokastra, Shkodra, Korça,Durrësi, Elbasani etj. konceptuam të gjithë së bashku këtë Festival Mbarëkombëtar, të cilin e kemi të organizuar dhe morëm shtysë në vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Nën simbolin e heroit tonë kombëtar do të shohim përgjatë ditë-netëve “teatrin që flet shqip””- u shpreh Ministrja Kumbaro në ceremoninë e hapjes.

Skena e re ArTurbina ka hapur dyert mbrëmjen e të dielës duke mirëpritur artistë dhe publikun në një festë të përbashkët, atë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.

Rikthimi i këtij Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

“ArTurbina” do të flasë shqip me të gjitha dialektet dhe format e saj në skenë.

Një festival që përfshin gjithë trevat shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. 14 trupa teatrore janë bërë pjesë e këtij festivali.

Aktori i njohur Ndriçim Xhepa, në cilësinë e kryetarit të jurisë së festivalit, e cilësoi organizimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove si një vlerë e padiskutueshme për qytetin dhe kërkoi që kjo ngjarje të kthehet në një traditë.

“Rifillimi i festivalit mbarëkombëtar të teatrove është një vlerë e padiskutueshme; për të kanë nevojë kryeqendrat tona, krijuesit, regjisorët, aktorët, skenografët, konstumografët, që të shohin, të përballen me njëri-tjetrin dhe pse jo, të përmirësohen me një konkurrencë pozitive”.

Ministrja Kumbaro kujtoi dhe falenderoi Teatrin Kombëtar për kujtesën dhe memorien e institucionit. Ajo rikujtoi shfaqjen e parë të Teatrit Kombëtar komedinë “Topazi” e autorit Marcel Pagnol vënë në skenë nga Sokrat Mio, me aktorët, Andon Pano dhe aktoren ruse Ollga Shuraja. “Dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët përmes këtij viti plot tallaze mbërriten në këtë skenë. Por historia e teatrit shqiptar ka nisur shumë herët. Kjo foto na përshëndet sot, në formën e diversiteti kulturor, siç është edhe vetë teatri, vendi perfekt i dialogut, vendi ku arti rilind çdo natë, për të vdekur çdo natë dhe për të rilindur sërish natën tjetër. Ka edhe një detaj tjetër, të vogël, shumë të bukur, kaligrafia e vogël “Festivali Mbarëkombëtar Teatror”, është kaligrafia e Santorit, një prift arbëresh, që nuk mund të mungonte në këtë mozaik mbarëkombëtar, po që është edhe njëkohësisht dhe dramaturgu i parë shqiptare”.

Festivali e nisi rrugëtimin e tij një javor me komedinë shqiptare “TAG”, me dramaturgji nga Bashkim Hoxha , regji të Andia Xhungës, Genc Shkodranin si skenograf, Berina Kokonën si kostumografe dhe Agim Krajkën dhe Sajmir Çilin si realizues të muzikës.