Programi i Kulturës 2013-2017

1. Boshti i parë Art-Kultura, megjithë numrin e madh të institucioneve në varësi të saj, kërkon jo vetëm një reformim të qendrueshëm nga pikëpamja institucionale dhe të burimeve njerëzore, por edhe një qasje të re menaxheriale të institucioneve të art-kulturës për të rritur shkallën e pavarësisë së tyre artistike mbi bazen e gjenerimit të të ardhurave nga burime te treta.

- Kjo qasje nuk do të jetë më vetëm një filozofi e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, por duhet të kthehet edhe në një detyrim të rregulluar për çdo institucion në varësinë e saj. Ky do të jetë një nga kushtet edhe të ekzistencës së vetë udhëheqësisë së atyre institucioneve.

- Një i tillë koncept duhet të shoqërohet domosdoshmërisht edhe me ndërhyrjet përkatëse në ligjet dhe amendimet e nevojshme për të krijuar një hapësirë vetëmenaxhimi të një pjese më të konsiderueshme të të ardhurave nga institucionet artistike.

- Pa këtë mekanizëm nuk mund të pretendohet rritja e cilësisë dhe e performancës artistike e kulturore, as situata e institucioneve nuk mund të përmirësohet dhe as personeli apo drejtuesit e tyre nuk mund të motivohen.

 

2. Ndërkohë që kjo reformë do të kryhet në dialog me komunitetin artistik të vendit, me forcat e reja krijuese dhe drejtuesit e institucioneve artistike: do të vendoset një mekanizm i ri në projektimin, shpërndarjen dhe menaxhimin e fondeve të parashikuara për projektet kulturore dhe artistike,

 

Kjo është e domosdoshme për të siguruar :

 

- transparencën e plotë në caktimin, dhe përdorimin e fondeve

- konkurrencën artistike mes projekteve krijuese

- balancimin e shpërndarjes së fondeve në dy sezone artistike (dimri dhe vera) dhe në fushat prioritare

- respektimin rigoroz të marrëveshjeve kulturore me partnerët ndërkombëtarë.

- nxitjen e një kalendari kulturor dhe artistik të institucioneve kulturore të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe të parashikuar e të planifikuar në respekt të konceptit të teatrit të repertorit, dhe duke nxitur fort teatrin alternativ.

- matjen e impaktit të projekteve te publiku

- shpërndarjen territoriale të projekteve dhe delokalizimin e jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet por në të gjitha qytetet e vendit

- eliminimin e instancave të dubluara dhe inaktive

- qartësimin e kompetencave dhe përgjegjësive konkrete

 

3. Artet pamore do të jenë dyer të hapura për artistët e rinj. Galeritë e arteve do të çelen në funksion të një serie aksionesh e aktivitetesh që synojnë të shtojnë adrenalinën në artet pamore, të nxisin artin alternativ, krijimtarinw e hapësirave të hapura dhe të rilidhen me gjinitë e tjera artistike.

Fondi i Galerisë së arteve do të rijetësohet dhe do të nxjerrë në pah rolin e saj edukativ. Një plan strategji e posaçme do të ndërtohet për këtë.

 

4. Arti duhet të jetë në koncept i pavarur nga shteti. Ministria do të jetë mbështetëse e zhvillimeve artistike por nuk do t'i diktojë ato.

- Do të promovohen aktivitetet me natyrë konkuruese ndërkombtare me qëllim që festivalet kryesore dhe dinjitoze të kthehen në institucione dhe të hyjnë në axhendat europiane të kulturës.

 

5. Do të nxiten axhendat kulturore mbarëshqiptare, ndërajonale, dhe që kultivojnë dhe traditën por edhe diversitetin kulturor.

Me Kosovën do të ndërtohen kalendarë kulturorë të përbashkët si rruga më e mirë e komunikimit dhe hapësira më e sigurt e pandashme.

 

6. Libri është një tjetër sektor brenda Kulturës që do të meritojë një vëmendje të posaçme.

Në frymën e qeverisë së Rilindjes, nëpërmjet rishikimit të Ligjit për Librin, dhe forumeve me grupet e interesit

- Politikat e MK për librin do të jenë të orientuara drejt lexuesve dhe edukatës së leximit dhe jo drejt biznesit të librit.

- do të mbështeten krijuesit (autorë/përkthyes). Botuesit do të përfitojnë padyshim indirekt nga këto politika.

- do të nxitet fryma kritike profesionale dhe do të dekurajohen qokat letrare.

Përndryshe nuk do të kemi kurrë një sistem vlerash në botën e letrave që edhe sot e kemi rëndë të dëmtuar e me pasoja të thella në edukimin e shoqërisë.

Bibliotekat do të forcojnë e promovojnë rolin e tyre edukativ duke u bërë promovuese të leximit që në moshat e vogla.

Në partneritet me pushtetin lokal dhe shoqërinë civile do të promovohen bibliotekat shëtitëse.

Biblioteka Kombëtare do të dixhitalizohet plotësisht dhe do të rivitalizojë detyrën e vet në tranimin e bibliotekave të tjera, në qasjen proaktive ndaj lexuesit dhe në nxitjen e kulturës së leximit.

 

- Në kuadrin e përhapjes së kulturës shqiptare, posaçërisht për librin do të përpunohet një strategji për të promovuar letrat shqipe në tregun europian,

- duke u përfaqsuar në panairet më të mëdha ndërkombëtare në mënyrë dinjitoze me krijuesit e letrave shqipe.

- duke lidhur marrëveshje me rrjetet e mëdha kulturore që bëjnë të mundur qarkullimin e këtyre vlerave në hapësirën europiane e më gjerë.

 

Brenda 4 vjetëve do të krijohet Qendra Kombëtare e Librit, e cila do realizojë politikat e mësipërme, do të nxisë kulturën e leximit dhe do të mbështesë krijuesit, do të promovojë vlerat më të mira të letrave shqipe dhe të përkthimit të librit të huaj, duke rentabilizuar fondet publike kushtuar librit dhe duke gjeneruar financime nga burime të treta.

 

7. Projekt -Ligji për "të drejtat e autorit"

- Do të rishikohet funksionimi i Zyrës së të drejtave të autorit, që krijon ky ligj i cili merr një rëndësi të veçantë edhe në funksion të nenit 73 të MSA që kërkon specifikisht mbrojtjen e të drejtave të autorit në përputhje me Standardet e BE-së, dhe i shpall luftë piraterisë

 

8. MK do të ketë në qendër të politikave të saj rininë, jo vetëm si publik por edhe si krijues. Ekzistojnë jo pak nisma të lira artistike, kulturore dhe në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë të ndërmarra nga të rinj. Ata jo vetëm ofrojnë një lëng jetësor të pazëvendësueshëm në krijimtarinë e tyre alternative, por kanë treguar se kanë aftësi shumë të mira në ngritjen e fondeve pranë sponsorve ose donatorëve.

Është një ndër objektivat tanë kryesorë t'i afrojmë, t'i mbështesim, dhe t'u hapim dyert duke i thirrur në projekte të përbashkëta dhe në partneritete PP.

Kjo do të jetë shpesh një fushë veprimi e përbashkët me Min e punës dhe të rinisë

 

9. Një theks i fortë do t'i vihet në politikat e MK edukimit artistik masiv që në moshat e vogla. Kjo politikë do të përkthehet menjëherë në strukturat drejtuese të MK.

Për këtë do të ketë një qasje të menjëhershme proaktive e cila do të konsistojë:

- në ngritjen e një grupi pune në bashkëpunim me MAS, për rishikimin e teksteve të artit me synimin për t'i bërë ato tërheqëse për nxënësit dhe efikase në qëllimin e tyre në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar.

- në realizimin e një marrëveshjeje me MAS dhe nëpërmjet saj me drejtoritë arsimore në rrethe, me Universitetin e Arteve si dhe me institucionet qendrore dhe vendore të kulturës për krijimin e skemës së klubeve artistike të rregullta dhe funksionale nëpër shkolla, me një sistem pikësh vlerësimi për nxënësit pjesëmarrës, dhe më tej organizimin e festivaleve artistike për të nxënësit.