Postuar më: 28 Shtator 2017

Workshop Kombëtar mbi “Zbatimin e të drejtës së autorit për sistemin gjyqësor dhe institucioneve të tjera zbatuese”

Në kuadër të shërbimeve që ofron Komisioni Europian me anë të Programit të Asistencës Teknike TAIEX/KE, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Drejtoria për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtave të tjera të lidhura me to, është përfituese e një workshopi kombwtar  mbi “Zbatimin e të drejtës së autorit për sistemin gjyqësor dhe institucioneve të tjera zbatuese”, i cili po zhvillohet  nga data 28-29 Shtator 2017 në Tiranë

Ky aktivitet vjen në kuadër të forcimit dhe të bashkëpunimit institucional me të gjitha institucionet e përfshira në procesin e zbatimit të drejtave të pronësisë intelektuale në RSH.

Në këtë aktivitet ka pjesëmarrje të konsiderueshme nga institucionet e Drejtësisë, Gjykatat dhe Prokuroria nga qarqet më të mëdha të vendit, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Inspektorati Qendror, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), Agjencitë e Administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to etj.

Qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit në fushën e të drejtës së autorit për gjyqtarët dhe prokurorët në shkallë vendi, si dhe shkëmbimi i eksperiencave me lektorët të cilët janë ftuar të marrin pjesë.

Gjatë këtij workshop-i do të ndahen eksperiencat më të mira evropiane, për të cilat duhet të njihen dhe të përvetësohen nga institucionet përkatëse që operojnë në Shqipëri, sa i takon zbatimit të këtyre të drejtave, duke konsideruar dhe kompleksitetin e kësaj fushe në tërësi, si dhe vështirësinë që ekziston në trajtimin e çështjeve dhe rasteve të tilla gjyqësore.  

Lektorët që do të referojnë në këtë workshop do të jenë ekspertë të fushës dhe të gjyqësorit të vendeve të BE-së si dhe lektorë vendas të institucioneve të ndryshme zbatuese në sistemin e të drejtës së autorit në Shqipëri.

Znj.Elira Kokona do të përshëndesë aktivitetin dhe të ftuarit pjesëmarrës, në rolin e përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Kulturës, ndërsa Z.Edmond Ahmeti, Drejtor i Drejtorisë për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtave të tjera të lidhura me to, do të prezantojë një informacion të shkurtër dhe të detajuar mbi atë çfarë ka realizuar deri më sot Ministria e Kulturës për të patur një reformë të plotë dhe në përputhje të plotë me të gjitha Direktivat e BE-së.

Reforma e plotë ligjore përbën bazën e fortë solide për dhjetë  vitet e ardhshme duke regulluar në këtë mënyrë ekuilibrat e duhur për një treg funksional dhe të mirëorganizuar, ku artisti/krijues do të shpërblehet për punën e tij, ku do të kemi përdorues të vetëdijshëm për pagesat që kryejnë kur përdorin/shfrytëzojnë vepra të të drejtës së autorit, agjenci të administrimit kolektiv të ndërgjegjshme për të shpërblyer në mënyrën e duhur dhe transparente anëtarët e saj, duke evituar në këtë menyrë të gjitha problematikat e mbartura deri në këto vite. 

Bashkëpunimi ndër-institucional është një pikë kyçe për mirëfunskionimin e të gjithë sistemit të pronësisë intelektuale. Një koordinim i mirë midis institucioneve përgjegjëse si Policia e shtetit, Prokuroria, Sistemi gjyqësor, Doganat, Organet tatimore, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA,  sjell një zbatim më efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale në Republikën e Shqipërisë. Të gjitha këto detyra dhe përgjegjësi janë të përcaktuara qartë në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2016-202.

Nëse krahasojmë se si e gjetëm sektorin e të drejtave të autorit mund të themi sot se është përmbushur kantieri reformues i kësaj fushe për të vazhduar më tej me konsolidimin e sistemit- ndryshimin e qasjes ndaj krijuesit shqiptar, i cili do të jetë padyshim në qendër të gjithë tregut intelektual në Shqipëri.