Postuar më: 05 Tetor 2016

Thirrje për projekte: Pavijoni Shqiptar në Bienalen e Venecias, 2017

Dokumentet e bashkangjitur

EKSPOZITA 57-TË NDËRKOMBËTARE E ARTIT - BIENALE E VENECIAS 2017

Thirrje për projekte: Pavijoni Shqiptar në Bienalen e Venecias, 2017

Në kuadër të Edicionit të 57-të Bienales të Artit së Venecias, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të pavijonit shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Artit që do të jetë e hapur për publikun më 13 maj – 26 nëntor 2017.

Titulli i zgjedhur nga kuratorja Christine Macel, për edicionin e 57 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit është:

“VIVA ARTE VIVA”

Christine Macel e ka shpjeguar projektin e saj si më poshtë:

“Në një botë plot konflikte dhe trazira, në të cilën humanizmi po vihet seriozisht në rrezik, arti është pjesa më e vyer e qenies njerëzore. Është vendi ideal për reflektim, krijimtarinë individuale, lirinë dhe pyetjet themelore. Është një “po” ndaj jetës, edhe pse një “por” i qëndron nganjëherë përkrah. Më shumë se kurdo, roli, zëri dhe përgjegjësia e artistit janë të domosdoshëm në kuadrin e debatit bashkëkohor.”

“Viva Arte Viva” është gjithashtu një thirrje, një shprehje e pasionit për artin dhe gjendjen e artistit.

“Viva Arte Viva” është një Bienale e konceptuar me artistët, nga artistët dhe për artistët. Ajo merret me format që ata propozojnë, pyetjet që ata ngrenë, praktikat që ata zhvillojnë dhe format e jetës që ata zgjedhin.

Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-ide që marrin shkas nga një vëzhgim i kujdesshëm i artit bashkëkohor dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve. 

Kjo thirrje e Ministrisë së Kulturës, për përfaqësimin e Shqipërisë në evenimentin më të rëndësishëm për artet pamore në botë, do të jetë në lidhje me profilin e kuratorit ose kuratorëve / artistit ose artistëve, të cilët duhet të jenë bartës të një projekti të përbashkët që përfshin prodhimin e një ose më shumë veprave të reja artistike, posacërisht për “Edicionin e 57-të të Bienales të Artit së Venezias 2017”

I. KRITERET E PROJEKTIT

Projekt-propozimet e paraqitura duhet të konsistojnë në:

  1. Prezantimin e konceptit për Pavijonin e Shqipërisë.
  2. Shtjellimin e tematikave të ndryshme që lidhen me konceptin qendror dhe rëndësinë e tyre përsa i përket problematikave aktuale të shoqërisë shqiptare dhe/ose asaj globale.
  3. Prezantimin e artistit/artistëve dhe punës/punëve që do të ekspozohen.
  4. Plan/kalendar pune për realizimin e Pavijonit të Shqipërisë.
  5. Draft-buxhet (nuk është e nevojshme që buxheti të jetë shumë i detajuar në këtë fazë).
  6. CV të kuratorit/kuratorëve dhe artistit/artistëve.

II. PËR PROFILIN KURATOR

Kandidati ose kandidatët, në rastin e një grupi kuratorial:

  1. Mund të jenë shtetas shqiptarë ose të huaj, me rezidencë në Shqipëri ose jo;
  2. Duhet të kenë njohuri të konsiderueshme mbi zhvillimet në fushën e krijimtarisë bashkëkohore në fushat e artit pamor në Shqipëri;
  3. Duhet të ketë një profil të njohur ndërkombëtar dhe përvojë në realizimin e projekteve të rëndësishme në fusha si humultim dhe publikim, ekpozita, etj.

III. PËR PROFILIN E ARTISTIT OSE ARTISTËVE TË PROPOZUAR DUHET TË:

  1. Jenë të kombësisë shqiptare ose të huaj;
  2. Kenë fituar një profil të rëndësishm kombëtar dhe ndërkombëtar;
  3. Kenë përvoja ndërkombëtare të suksesshme.

IV. KANDIDATI/KANDIDATËT DUHET TË JENË TË AFTË:

  1. Të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent.
  2. Të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu mediumet që do përdorin, si psh: fotografi, pikture, instalacione, performancë, video, modele dhe materiale të shkruara për hapësirën e ekspozitës.
  3. Të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavijonin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales.
  4. Të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit.

V. KANDIDATI OSE KANDIDATËT E SUKSESSHËM DUHET TË MARRIN PËRSIPËR TË:

  1. Mbajnë lidhje me stafin përgjegjës në Ministrinë e Kulturës dhe stafin e Bienales së Venecias me qëllim përmbushjen e të gjitha kërkesave.
  2. Koordinojnë të gjitha aspektet logjistike të realizimit të Pavijonit të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
  3. Mbajnë lidhje me donatorët të mundshëm dhe të bashkëpunojnë me galeri, muze apo koleksionistë për të ndihmuar mbulimin e kostove të pavijonit.
  4. Ideojnë dhe menaxhojnë katalogun zyrtar të Pavionit të Shqipërisë.
  5. Ideojnë dhe menaxhojnë materialin publicitar të nevojshëm dhe të koordinojnë me personin përgjegjës për komunikimin dhe përgatitjen e eventeve në mënyrë që të krijohet maksimumi i interesit.

VI. PROCESI TË PËRZGJEDHJES:

Përzgjedhja e projekt-ideve më të mira.

Kjo fazë është e hapur deri në ora 24.00, datë 1 Dhjetor 2016.

Shpallja e fituesit: Ekipi fitues do të shpallet brenda datës 12 dhjetor 2016.

VII. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

  1. Qartësinë e projekt-idesë.
  2. Forcën e imagjinatës.
  3. Potencialin e zgjidhjes kuratoriale për të komunikuar me publikun.
  4. Forcën artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer” në një gjuhë vizualisht të qartë, të prekshëm dhe të lexueshëm për publikun.
  5. Aftësinë e ekipit / skuadrës për të reflektuar gjerësisht dhe mbi temën e dhënë dhe për të sjellë risi në përmbajtje.
  6. Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar artin tek audienca dhe kritikët si dhe për të zhvilluar audienca të reja.

 

VII. DOSJA E KANDIDIMIT PËR FAZËN I:

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:

  1. Formularin e kandidimit (shkarkojeni KËTU)
  2. Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjalë).
  3. Metodën e  hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
  4. Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspozitën.
  5. Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
  6. CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata  ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i Përgjithshëm i Bienales së 57-të Ndërkombëtare të Artit në Venecia që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2017,  http://www.labiennale.org;

TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale me një sipërfaqe prej 100 m2. Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden  Ketu

 
 

Dorëzimi i dosjes:

Dosja duhet :

  1. të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.
  2. të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe dixhitale) në vëmendje të sekretarisë teknike të Bienales 2017,  në adresën:

 

Ministria e Kulturës

Rruga Aleksandër Moisiu, Nr 76;

Ish Kinostudio “Shqipëria e Re”  Tiranë, Shqipëri.

 

  1. të dërgohet elektronikisht brenda orës 24.00, të datës 1 Dhjetor 2016, në adresën: Bienale2017@kultura.gov.al;

 

© Ministria e Kulturës e Shqipërisë