Postuar më: 02 Gusht 2017

Thirrje për Projekte. Ekspozita XVI Ndërkombëtare e Arkitekturës - Bienale e Venecias 2018

Dokumentet e bashkangjitur

Ministria e Kulturës do të marrë pjesë  në Ekspozitën e XVI-të Ndërkombëtare të Arkitekturës - Bienale e Venecias 2018,  me temë : “Freespace”  - që do të zhvillohet nga 26 maji deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini  në Venecia, Itali .

Tema e kësaj Bienaleje “Freespace” është përzgjedhur nga Kuratorët e edicionit të 16-të, Yvonne Farrel dhe Shelley McNamara, të cilat kanë motivuar zgjedhjen e tyre:

"Freespace përshkruan bujarinë e shpirtit dhe ndjenjën e humanizmit, në thelbin e agjendës së arkitekturës, duke përqendruar vëmendjen në vetë cilësinë e hapësirës. Freespace përqendrohet në aftësinë e arkitekturës për të ofruar hapësira të lira dhe hapësira shtesë për ata që e përdorin atë, si dhe në aftësinë e saj për të adresuar dëshirat e pashprehura të të huajit.

Freespace inkurajon të rishqyrtojmë mënyrën e të menduarit, duke nxitur mënyra të reja të të parit të botës dhe të japë zgjidhje në të cilën arkitektura siguron mirëqenien dhe dinjitetin e çdo banori të këtij planeti të brishtë.

Freespace mund të jetë një vend i mundësive, një hapësirë publike, jo e planifikuar dhe e lirë për përdorime ende të pa përcaktuar. Ajo ç’ka na intereson është të shkojmë përtej asaj që është e dukshme, duke theksuar rolin e arkitekturës në skenën e jetës së përditshme”.

Për më shumë informacion mbi tematikën, vizitoni faqen e Bienales së Venecias 2018, www.labiennale.org.

Në kuadrin e Ekspozitës XVI Ndërkombëtare të Arkitekturës - Bienale e Venecias 2018, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të Pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar, frymëzuar nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

PROFILI I KANDIDATËVE

1.      Të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre arkitekt (drejtuesi), artistë, grafic designer, kritikë, etj.

2.      Të dëshmojnë njohuri të mira mbi arkitekturën shqiptare.

3.      Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhit e cila do të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.

4.      Mund të jenë shqiptare, apo të huaj.

 

 

 

KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:

1.      Të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent.

2.      Të hartojë projektin kuratorial të integruar për Pavijonin Shqiptar së bashku me të gjithë përmbajtjen e ekspozitës, përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të shkruar për panelet e ekspozitës.

3.      Të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales.

4.      Të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .

 

Ministria e Kulturës inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në ekspozita të ngjashme.

 

 

PËRZGJEDHJA DO TË KALOJË NËPËR DY FAZA:

 

Faza I: Faza e përzgjedhjes së projekt-ideve më të mira. Kjo fazë është e hapur deri më 3 nëntor 2017 ora 24.00.

Shpallja e fituesve të Fazës I: Juria do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 10 nëntor 2017.

Faza II: Faza e paraqitjes së projekteve të plota të Pavijonit Shqiptar mbi projekt-idetë e kualifikuara në fazën e parë. Këto projekte duhet të paraqiten deri me datë 20 dhjetor 2017 ora 24.00. Juria do të shpallë kërkesat mbi paraqitjen e projektit të plotë menjëherë pas shpalljes së fituesve të fazës së parë.

Shpallja e fituesit: Ekipi fitues do te shpallet brenda datës 22 dhjetor 2017.

 

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

 

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

a.       Qartësi në projekt-ide

b.      Forcë e imagjinatës

c.       Zgjidhje kuratoriale për të komunikuar me publikun

d.      Kapacitet i projektit (idesë) për t’u “përkthyer” në një gjuhë dhe peizazh vizual

e.       Reflektim dhe risi në përmbajtje

f.       Kapacitet dhe eksperiencë për të komunikuar arkitekturën tek audienca, kritiks si dhe për të zhvilluar audienca të reja.

 

DOSJA E KANDIDIMIT PËR FAZËN I:

 

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:

a.       Formularin e kandidimit (shkarkojeni KËTU)

b.      Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjale)

c.       Metodën e hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.

d.      Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten

e.       Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.

f.       CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).

 

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratoret e Bienales së 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2018, www.labiennale.org.

 

TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

 

Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale. Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden KËTU.

 

Dorëzimi i dosjes:

Dosja duhet :

1.      të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht

2.      të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe digjitale) në vëmendje të Sekretarisë Teknike të Bienales 2018 në adresën : Ministria e Kulturës, Rruga Aleksandër Moisiu, nr 76, ish Kinostudio “Shqipëria e Re” Tiranë

3.      të dërgohet elektronikisht në adresën: bienale2018@kultura.gov.al

4.      të dërgohet brenda datës 3 nëntor 2017 ora 24.00 (faza I).