Postuar më: 08 Shkurt 2018

Në përfundim të mandatit 4-vjecar të drejtorit aktual, Ministria e Kulturës njofton konkurim për vend pune / Drejtor në Teatrin Kombëtar

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”,  si dhe tw Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin:

Drejtor në Teatrin Kombëtar - Kategoria e pagës II-b

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

           

Objektiva Artistikë

  1. Të hartojë një program dhe kalendar të qartë me shfaqje repertori dhe prodhime të reja, në funksion të diversitetit artistik dhe zgjerimit të audiencave;
  2. Të nxisë e të zhvillojë dramaturgjinë shqipe në skenë;
  3. Të promovojë tendencat e ndryshme në skenën teatrore shqiptare duke siguruar një ekuilibër mes artistëve të afirmuar dhe atyre të rinj;
  4. Të marrë shkëmbime ndërkombëtare, veçanërisht të zhvillojë ato ballkanike dhe evropiane.

 

Objektiva të Politikës Kulturore

  1. Të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me institucionet arsimore përmes projekteve qe nxisin përfshirjen dhe krijimtarinë e të gjithë grupmoshave në përgjigje të politikës së Ministrisë “Edukim Përmes Kulturës”;
  2. Të krijojë lidhje me strukturat ekonomike dhe ato të biznesit publik e privat për të ndërgjegjësuar dhe tërhequr një publik të ri;
  3. Të dëshmojë kreativitet dhe të ndërmarrë nisma frymëdhënëse për të fituar audienca të reja;
  4. Të ndërtojë programe të “Edukimit Përmes Kulturës”.

 

Objektiva në Administrim

  1. Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit;
  2. Të ndërtojë një plan buxhetor financiar të qartë vjetor;
  3. Të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave përmes burimeve të treta;
  4. Të ngrejë një sistem treguesish vlerësimi të punës së institucionit për të lehtësuar dialogun më Ministrinë e Kulturës prej nga varet;
  5. Të garantojë mundësi për angazhimin e të rinjve në skenën kombëtare.

 

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  4. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
  5. Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
  6. Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
  7. Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;

 

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:

  1. Të ketë arsim universitar dhe kualifikime plotësuese në fushat e: artit dhe drejtimit të projekteve kulturore;
  2. Të ketë përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit skenik;
  3. Të dëshmojë përvoja ndërkombëtare në fushat e përmendura në pikën a dhe b;
  4. Të ketë përvojë në drejtimin e institucioneve kulturore e artistike dhe ti dëshmojë ato;
  5. Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore;
  6. Të ketë përvojë në konceptimin dh ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës;
  7. Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme-si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato.

 

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

  1. Jetëshkrimi CV;
  2. Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
  3. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  4. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  5. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  6. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  7. Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

 

Kandidati duhet të propozojë një platformë për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar

 

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet brenda datës 22/02/2018, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës.