Postuar më: 23 Shtator 2017

Voskopojë: 4 kisha, monument kulture i shpëtojnë rrënimit

Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lek të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën kulmore në Voskopojë, për të vazhduar me kantieret në Dhërmi, Vuno, Gjirokastër”,deklaroi Kumbaro nga Voskopoja. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, teksa ka parë nga afër ecurinë e punimeve ka theksuar se kjo ndërhyrje për restaurimin e objekteve te kultit është pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale. Në Voskopojë po ecën me ritme të shpejta një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me synimin që ta kthejë këtë qytezë në një pikë turistike të vizitueshme për 12 muaj. Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve, qendrës, sistemit të ndriçimit dhe restaurimin e plotë të 4 kishave të shpallura Monument Kulture. Faza e parë e projektit për qendrën historike të fshatit turistik, ka përfunduar me restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës dhe Shën Marisë, ndërkohë që janë në proçes edhe manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë. Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë një prej investimeve më madhore në funksion të ruajtjes së vlerave, por edhe zhvillimit të turizmit. “Është një projekt që veç përmirësimit të cilësisë së jetesës së banorëve të Voskopojës do t’i shërbejë padyshim edhe turizmit”, tha Filo. Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.