Postuar më: 15 Mars 2016

TRASHËGIMI NË RRËNOJA Rijetëzimi i së harruarës

 TRASHËGIMI NË RRËNOJA

Rijetëzimi i së harruarës

 

Ekspozita prezanton punën e realizuar në kuadrin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”. 

Qëllimi i ekspozitës është të vendosë në fokus vlerat e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike të fshatit Tragjas i Vjetër dhe të njohë publikun me historikun e tij, situatën urbane, arkitekturën e banesave dhe tipologjitë e tyre, zhvillimin morfologjik të hapësirave si dhe paraqitjen e ideve për rijetëzimin dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit në këtë zonë.

Fshati rrënojë i Tragjasit të Vjetër dhe gjetjet arkeologjike përreth tij tregojnë ekzistencën e një qendre të banuar qysh në lashtësi. Ky vendbanim i djegur tre herë dhe i shkatërruar plotësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore sot është një muze i hapur i lënë në harresë, një dëshmi e heshtur e së shkuarës. Megjithëse nuk banohet prej 60 vjetësh, brenda kufijve të fshatit spikatin qartë elementët përbërës të tij: një rrugë kryesore që e përshkon fshatin në gjithë gjatësinë e tij dhe silueta e rrënojave të banesave të dikurshme. Fshati me 300 shtëpi, shtrihet në një faqe kodrinore, sa piktoreske aq edhe strategjike. Shtëpitë janë vendosur gati ngjitur me njëra-tjetrën shquhen për modelimin e gjetur, racionalizimin, përshtatjen e mirë me terrenin, lëvizjen e theksuar të vëllimeve dhe monumentalitetin. Secila prej tyre paraqet arkitekturën e vendit dhe mjeshtërinë e njerëzve të thjeshtë që i ndërtuan.

 

Në ekspozitë ilustrohet gjendja ekzistuese te objekteve te fshatit te realizuara me anë të rilevimit, fotografimit dhe grumbullimit të materialeve në terren duke kaluar më tej në një studimin fizik të objekteve. Nëpërmjet këtij studimi janë paraqitur grafikisht pamje, prerje, fasada dhe pamjet hipotetike tredimensionale të banesave, mbështetur në bazën teorike. Ky studim ka trajtuar pjesën më të mirë të ndërtimeve në fshat, momentalisht në gjendje të rrënuar duke paraqitur rigorozisht situatën ekzistuese dhe atë hipotetike.

 

Hulumtimi i prezantuar në këtë ekspozitë shërben për njohjen, vlerësimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë arkitektonike dhe ruajtjen e këtyre vlerave në vazhdimësi dhe për brezat e ardhshëm. Evidentimi i kësaj trashëgimie do të ndihmojë ne shpalljen e Fshatit Tragjas i Vjetër “Ansambël Arkitektonik”, përgatitjen e zonifikimit dhe kartelizimin e objekteve të veçanta me qëllim propozimin për shpallje “Monument Kulture” dhe hartimin e rregullores së administrimit të këtij Ansambli.

Galeria Kombëtare e Arteve, Salla "Motra Tone"

15-17 Mars 2016

Hapja: 15 mars, ora 17:00