Postuar më: 23 Prill 2018

#TiranaZeroSpace/Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, Venecia

Zero Space - Albanian Pavilion 2018 u prezantua sot për publikun shqiptar, me ekipin e mrekullueshëm : Kurator: Elton Koritari

Autorë: Dorian Tytymçe - “VARKA Arkitekturë”

Florian Pollo - “VARKA Arkitekturë”

Jurtin Hajro - “commonsense.studio

Enri Leka - “Fablab Tirana”

Komisionere: - Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës, RSH

Partnerë: Bashkia e Tiranës

Pavijoni shqiptar komisionohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe kurohet nga një ekipi i kompozuar me kujdes dhe që ka si emërues të përbashkët qasjen e thellë kritike ndaj projektimit, një qasje kjo, që kërkon stimujt jo vetëm në botën vizuale, por gjithashtu inspirohet nga pëlhura sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë.

Në konferencën për shtyp Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro theksoi se: "Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. “Kati zero”, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës".

“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia, është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar, ndaj jemi të lumtur që po shkojmë ta tregojmë falë këtij grupi historik, i cili do na bëjë shumë krenar”, ka deklaruar Veliaj.

#TiranaZeroSpace është një kontribut ndaj qytetit, i cili përfshin qytetarët e Tiranës në një pjesëmarrje aktive në Bienalen e Venecias - Pavijoni shqiptar është një moment reflektimi mbi mënyrën e jetesës dhe të ardhmen e qytetit të Tiranës - Personaliteti dhe forca e Tiranës ekspozohen në një instalacion, ku çdo vizitor do të përjetojë eksperiencën e kryeqytetit sikurse qytetarët e tij.

Pavijoni i Shqipërisë në Bienalen e 16-të Arkitekturës në Venecia i është dedikuar studimit të katit përdhes të qytetit të Tiranës, si hiperbolë e një fenomeni të shpërndarë të në të gjithë Shqipërinë. Sot, në Tiranë jetohet në një hapësirë urbane, ku është e mundur të gjesh pothuaj çdo shërbim privat dhe publik dhe të jetosh çdo eksperiencë të mundshme brenda perimetrit të qytetit dhe në shtrirje të njëjtë për nga densiteti i dyqaneve dhe shërbimeve përgjatë gjithë sipërfaqes së tij. Në qytet, çdo lagje mban gjallë “nivelin zero” duke i shtuar komoditetit të padiskutueshëm sigurinë e një marrëdhënieje sociale të garantuar nga dimensioni human i dyqanit klasik të lagjes, frymë kjo e adaptuar në çdo nivel shërbimi dhe në çdo zonë të qytetit. Qytetarët e Tiranës projektojnë jetët e tyre mes sigurisë së katit përdhes të qytetit të tyre, ku ata lirshëm ndërveprojnë mes njëri-tjetrit dhe frenezisë së një metropoli, i cili rritet ekonomikisht dhe përshtatet gjithnjë e më shumë me kushtet globale. “Hapësira Zero” e Tiranës, aktivizohet nga iniciativa e lirë e qytetarëve të saj, fenomen ky që ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore.

Ekspozita e 16-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, “La Biennale di Venezia”, do të hapet më 26 maj 2018 – paraprirë nga dy ditë vernissage (për shtypin, artistë, arkitektë dhe personalitete) gjatë datave 24 dhe 25 maj – duke u mbyllur më 25 nëntor 2018. Edicioni do të mirëpresë si zakonisht, prezantimet më të mira ndërkombëtare të propozuara nga shtete, organizma dhe institucione ndërkombëtare, të cilat do të paraqesin ekspozita dhe nisma të ndryshme.