Postuar më: 31 Tetor 2017

#TakohemiPerNjeLiber në të gjithë Shqipërinë

Unë lexoj, po ti? Po ai? Për të dytin vit Ministria e Kulturës nis Fushatën Kombëtare të Leximit, kudo ku mundemi, kudo që gjejmë një fletë libri hapur. Në sallën “Çehov” të Teatrit Metropol në Tiranë u takuan për një libër autorë, botues, nxënës të shkollave, që shkëmbyen së bashku fragmente nga autorët e dashur, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, nën/kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Arbjan Mazniku, etj. Fushatë në mbarë vendin, me mbi 200 aktivitete leximi ku përfshihen shkollat, bibliotekat e rretheve, libraritë, etj. Aktivitetet do të angazhojnë të gjitha hallkat e librit: autorë, përkthyes, botues, redaktorë, mësues, nxënës e studentë, artistë, etj. Ministrja Kumbaro ka ftuar të gjithë në takimet e librit, sepse pa lexues libri nuk mund të ketë vlerë. Në një fjalë pa protokoll, por nga telefoni celular Kumbaro nënvizoi edhe njëherë idenë se duhet ‘të afrohemi tek lexuesi i vitit 2017”. Ajo u shpreh se: “Jemi të bindur se Leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së Librit, qoftë prej letre qoftë elektonik. Autori, përkthyesi janë lulet e rralla që duhet të kultivojmë për të mbajtur gjallë krijimtarinë artistike dhe kulturën. Botuesi është hallka e domosdoshme për ekzistencën reale të tyre duke u dhënë jetë e duke i bërë të udhëtojnë.

Por ç'kuptim do të kishte kjo jetë nëse: 

Ai, Lexuesi, nuk do të jetë aty, në fund

të zinxhirit 

për ta pritur Librin, 

për ta marrë,

për ta prekur,

për ta blerë,

për ta huazuar,

për ta dhuruar,

për të pasuruar bibliotekën e vet,

për ta kujtuar,

për ta mbajtur me vete,

për t'ia kthyer cepin e fletës që t'i rikthehet serish,

për t'i nënvizuar rreshtat,

për t'i shkëputur fletën e poezisë së parapelqyer,

për ta fotografuar mbase, që ta nxjerrë në facebook,

për të kujtuar dikë,

për të nxitur fantazinë,

për të rishijuar historinë e shkruar të filmit që ka parë,

për të kopjuar një fjali,

për t'u izoluar në një jetë paralele mes fletëve, në jetën që nuk e ka por që ia

jep Libri.... 

Akt dashurie i papërseritshëm është Leximi prandaj me çdo mënyrë na jep nje dorë që të rrisim Lexuesit, pa të cilët nuk ka

as Autor, as Përkthyes, as Botues !"

#TakohemipërnjëLIBËR

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro lexoi një fragment nga libri i Helena Kadaresë, "Koha e pamjaftueshme", ku ironizon dhe çmitizon shkrimtarin e madh për të nxjerrë njeriun e zakonshëm Ismail Kadare. Në mbrëmje u prezantuan “Shkrimtarët e rinj” – Promovimi i pesë fituesve të Fondit të Krijimtarisë Letrare. Gjatë muajit Nëntor do të promovohet krijimtaria letrare e pesë autorëve të rinj të mbështetur nga Ministria e Kulturës për vitin 2017:Autorët: Saimir Muzhaka, Manjola Nasi, Eris Rusi, Elona Çuliqi, Belfiore Qose do të zhvillojnë çdo të shtunë të muajit Maratonën e leximeve në Tiranë, Prishtinë dhe Korçë.

31 tetor - 10 dhjetor