Postuar më: 05 Shtator 2016

Shqipëria në Balkan Focus, Venecia

"Focus për Ballkanin" do të jetë një nismë shumë e rëndësishme për Ballkanin në Festivalin e Filmit në Venecia.

Qendrat e filmit nga Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Sllovenia mblidhen në një takim të rëndësishëm me MIBACT (Ministria Italiane e Cultures) e cila është  impenjuar të ndihmojë me suport financiar dhe promovues bashkëprodhimet italiane me vendet ballkanike dhe anasjelltas.

Në këtë kuadër,  në vitin 2017 do të startojë financimi i përbashkët Shqipëri - Itali për projektet e përbashkëta në fazën e tyre të zhvillimit. Si fillim dy vendet impenjohen me një buxhet rreth 30 mijë euro secili, për të parë më pas mundësinë e rritjes në vazhdim.

MIBACT mbështet idenë e krijimit të një hapësire në dispozicion të kinematografisë ballkanike në Festivalin e Venecias, ide për të cilën edhe QKK ka dhënë kontributin e saj.

"Focus për Ballkanin" do të shërbejë për të finalizuar, integruar dhe promovuar kinematografinë ballkanike në kontekstin europian, duke krijuar ura dialogu kulturor midis vendeve tona.

QKK shkon në Venecia njëkohësisht për të promovuar nismën e saj për krijimin e Fondit Ballkanik i cili ka për qëllim nxitjen e bashkëprodhimit kinematografik midis vendeve të Ballkanit.

Kjo nismë ka siguruar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të  Jashtme të Shqiperise, partneritetin e Apulia Film Commission, interesin e Istituto Luce dhe MIBACT.

5-6 shtator, Venecia