Postuar më: 20 Shkurt 2017

Sekuestrimi i objekteve të vjedhura në Apoloni/ Kumbaro: Ndëshkim për këdo që guxon të prekë pasuritë kulturore! Strategji kombëtare kundër trafikimit

Duke vlerësuar punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe gjithë strukturat e Policisë së Shtetit për sekuestrimin e objekteve të vjedhura në gërmimet e bëra në Apoloni dhe kapjen e autorëve, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se mbrojtja e pasurive kulturore të vendit tashmë është një strategji kombëtare, por ruajtja e tyre është detyrë e të gjithëve.

“Nëse do të jemi të vetëdijshëm për thesaret e jashtëzakonshme që kemi, konkretisht banorët e Fierit dhe ne të gjithë, do të dimë t’i mbrojmë ato. Sepse është e pamundur që çdo gur apo objekt i trashëgimisë të mbrohet me një roje apo me një polic, nëse ne të gjithë  nuk i mbrojmë. Është pikërisht ky sensibilizim i të gjithë faktorëve, që nga komuniteti, shkolla, pushteti lokal, padyshim qeveria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë treguar sesi kur jemi bashkë mund t’i mbrojmë vlerat tona.

 Ne kemi tre vjet që punojmë me  strukturat e policisë për të pasur një strategji kombëtare. Në fakt është një strategji kombëtare e aprovuar vitin e kaluar nga qeveria shqiptare, për luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore, të cilat në 25 vitet e fundit, fatkeqësisht kanë humbur jo pak”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Kulturës, u  shpreh se ky është një tjetër operacion i suksesshëm pas atij të koleksionit të ikonave.  Ajo e quajti këtë një tjetër fitore të jashtëzakonshme, ku 264 objekte të periudhave të ndryshme dhe me vlera specifike, janë sot të sekuestruara nga Policia e Shtetit dhe të sigurta.

“Dua të falenderoj me gjithë zemër drejtorët e insititucioneve të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Kulturës që kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe sot na japin kënaqësinë të kemi një miniekspozitë këtu në Apoloni.  Kushdo që do të guxojë të prekë pasuritë kulturore që na takojnë të gjithëve ka vetëm një rrugë, ndëshkim”, vijoi më tej Kumbaro.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës  theksoi edhe faktin se me investimin që po kryhet aktualisht në Apoloni, ku park do të kthehet një ndër më të rëndësishmit në vend.

“Është një moment i rëndësishëm, sepse duam që në të njëjtën kohë, jo vetëm të tregojmë që kemi një pasuri të madhe dhe jo vetëm që e mbrojmë dhe e restaurojmë atë; Ndërkohë që ne flasim është duke u mbyllur një kantier i madh restaurimi në Parkun e Apolonisë, ku në një bashkëpunim me delegacionin  Europian, po investojmë mbi 700 mijë euro për ta bërë këtë park, pse jo ndër më të rëndësishmin në Shqipëri”, tha ajo.

Ky projekt është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës - Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor.