Postuar më: 21 Prill 2018

"Rrugët e Besimit" ndalon në Roskovec. Nis puna për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Kurjan

"Projekti yne "Rrugët e Besimit" po zgjerohet dhe Ministria e Kulturës ka gjithmonë në vëmendjen të saj kryesore bashkëpunimin me partnere të rëndësishëm ku një vend të veçantë zë bashkëpunimi me pushtetin vendor. Jemi këtu për të theksuar se turizmi kulturor është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës"- u shpreh Ministrja Mirela Kumbaro nga Kurjani i Roskovecit.

Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro inspektoi Kishën e Shën Kollit në Kurjan së bashku me Kryetaren e Bashkisë znj. Majlinda Bufi, kishë e ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin.

Pikturat murale të kësaj kishe janë vepra të ikonografit Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësi i tij Joani

"Shpejt do të bashkojmë Kurjanin me Luarën, i cili është pjesë e programit "100 Fshatrat"- u shpreh kryetarja Bufi, duke theksuar se kjo zonë jo vetëm do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turistët, por do t’i japë dhe një hov zhvillimit ekonomik gjithë zones”.

Me financim të Bashkisë së Roskovecit dhe bashkëpunimin me Institutin e Monumenteve të Kulturës është hartuar një projekt i përbashkët miratuar me Vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Ndërhyrjet konsistojnë në restaurimin e çatisë, muraturës, fasadës së objektit; pikturës murale dhe sistemin e ambienteve përreth objektit.

Kisha e Shën Kollit gjendet në fshatin Kurjan, të Bashkisë Roskovec, Qarku Fier, për vlerat e rëndësishme të trashëgimisë historiko- kulturore është shpallur Monument i kategorisë së parë në vitin 1963.

Kisha e Shën Kollit një ndërtim i tipit trikonkësh është ndërtuar me muraturë me tulla të kuqe dhe gurë të skuadruartek qoshet, kjo faltore është ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin.

E përbërë nga Naosi (salla) dhe narteksi (parasalla) kisha e Shën Kollit, siç quhet nga vendasit, dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat ortodokse.