Postuar më: 13 Shkurt 2018

Restaurohen 5 Monumente të Kulturës së besimit islam. Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

5 Monumente kulture të besimit islam do ti nënshtrohen ndërhyrjes restauruese së shpejti. Një marrëveshje bashkëpunimi e cila u nënshkrua të marten ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi.

"Një pjesë e tyre nuk kanë pasur restaurime ose restaurime të mirëfillta dhe janë në nevojë për një ndërhyrje të tillë. Tashmë ka mbaruar gjithë faza e përgatitjes së projektit dhe e miratimit të tyre dhe ne hapim së shpejti kantieret në këto 5 xhami”- theksoi Kumbaro. Ajo shtoi se rëndësi do i kushtohet edhe Xhamisë së Pumbit në Shkodër e cila ka nevojë dhe për ndërhyrje të thellë.

“Prej vitesh ajo është objekt i përmbytjeve. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të thellë në sistemin e kullimit dhe adrenazhit. Ndërtimin e një dige për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë këtë xhami”- shtoi Kumbaro. Restaurimi do të financohet nga donatorët TIKA (Turkish Cooperation and Coordination Agency), për ndërhyrje restauruese dhe rikonstruksionin e 5 xhamive “monument kulture”, përkatësisht:

 

- Xhamia Mbret, Berat;

- Xhamia e Beqarëve, Berat;

- Teqeja e Helvetive, Berat;

- Xhamia e Et'hem Beut, Tiranë;

- Xhamia e Pazarit, Gjirokastër;

Përgjatë ceremonisë, drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës znj. Arta Dollani dhe specialistë të IMK, prezantuan projektet e restaurimit, të hartuara nga Firma Ekol në bashkëpunim me IMK.