Postuar më: 31 Korrik 2017

Prezantohet projekti i regjistrimit On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare. 6 Qendra të Informimit Publik në të gjithë vendin

Në mjediset e Ministrisë së Kulturës u prezantua  projekti “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare”, i cili ka mbyllur fazën e parë.  Projekti është një investim i Qeverisë Shqiptare i aplikuar dhe i fituar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi pasi bëri një prezantim të punës së realizuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore në katër vite theksoi se vlen të theksohet se  “Ndryshimi më i madh në trashëgiminë kulturore mbetet kalimi nga faza e emergjencës, (ku për dy vite rresht ndërhymë në objektet dhe monumentet me rrezikshmëri të lartë) në fazën e rijetëzimit të monumenteve duke e parë trashëgiminë si motor zhvillimi. Ka qenë një nga arritjet, ku për të shkuar në këtë fazë kemi sensibilizuar jo vetëm opinionin publik, por kemi rivendosur bashkëpunimin me pushtetin lokal, shoqatat, biznesin”.

Përmirësimi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e saj në proceset e planifikimit dhe e zhvillimit të qëndrueshëm kërkon një dokumentim dhe regjistrim të saktë. Në të gjitha konventat ndërkombëtare, ku shteti ynë është anëtar, inventarizimi dhe dokumentimi luajnë një rol strategjik si domosdoshmëri për mbrojtjen e pasurive kulturore, artistike dhe historike të trashëguara nga e kaluara. Anëtarësimi dhe ratifikimi nga shteti shqiptar i shumë konventave ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, përshtatja e legjislacionit në këtë fushë si dhe përfaqësimi i institucioneve krah organizmave ndërkombëtarë ka bërë prezantimin denjësor të kësaj trashëgimie në arenën ndërkombëtare si dhe të drejtat mbi këtë trashëgimi.

“Sot ne kemi partner strategjikë në kantieret e ndërtimit në trashëgiminë kulturore, ku vlen të përmendet Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, apo marrëveshja e fundit e nënshkruar me Bankën Botërore për programe afatgjata që prekin edhe trashëgiminë në Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë. Partneriteti privat do të fuqizohet më tepër përmes reformës në legjislacionin mbi trashëgiminë, si partner në rijetëzim, duke krijuar në kulturë sisteme të qëndrueshme në trashëgimi. Ndërtimi i këtij partneriteti do të garantohet me ligjin e trashëgimisë, i cili tashmë ndodhet në Këshill të Ministrave për miratim”- shtoi më tej në fjalën e saj Ministrja Kumbaro.

Drejtoresha e QKIPK-së, znj. Silva Breshani prezantoi projektin , i cili bën të mundur krijimin e Sistemit Informatik Kombëtar të Administrimit të Pasurive Kulturore dhe Bazës së të dhënave shtetërore për regjistrimin e Pasurive Kulturore materiale dhe jomateriale për të gjitha kategoritë e zotëruesve.

U prezantuan edhe dy projektet CEBE/ USAID dhe CBS Creative Bussines Solutions, qe synojnë promovimin e pikave turistike kulturore me një model të ri që ndërthur sipërmarrjen sociale me ruajtjen e monumentit.

Në konferencë merrnin pjesë edhe z. Denis Wesne, përfaqësues iUSAID Albania,

Drejtori Ekzekutiv i CBS, z.Enio Jaço, Jonel Kristo, përfaqësues i projektit CEBE Albania, etj.

 

Projekti “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare” krijon një sistem të dhënash që ka për qëllim identifikimin, katalogimin, ruajtjen dhe përdorimin e saj nga:

-              Institucionet Shtetërore, Subjektet Private (Fizike/Juridike) që zotërojnë dhe administrojnë Fonde të Pasurive Kulturore  në sistemin e trashëgimisë kulturore dhe të turizmit, për krijimin dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore në pronësi publike dhe private, si dhe për administrimin e Inventarit të Fondit Muzeor Kombëtar.

-              Shërbimi doganor në Republikën e Shqipërisë për monitorimin e lëvizjeve dhe të pronësisë së objekteve të pasurive kulturore, në pronësi publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të RSH.

-              Policia e Shtetit / Interpoli për shkëmbim informacioni në sistem lidhur me rastet e grabitjeve dhe vjedhjeve të objekteve të trashëgimisë kulturore në vend, si dhe në rastet e denoncimeve nga Institucionet Ndërkombëtare që operojnë brenda dhe jashtë RSH.

-              Publiku për informim mbi procedurat e regjistrimit të pasurive kulturore kombëtare në pronësi private dhe publike, procedurat e lëvizjes brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë për objektet trashëgimi kulturore, si dhe për informacion mbi Pasuritë Kulturore Kombëtare.

•             Ndërtimin e kabinetit të serverave në parametra dhe standarte ndërkombëtare.

•             Krijimin dhe vënien në funksion dhe strukturë të 6 Qendrave të Informimit Publik për regjistrimin online të pasurive kulturore kombëtare pranë Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, si Zyra rajonale të QKIPK për dokumentimin, inventarizimin dhe katalogimin e  pasurive  kulturore, monitorimin e lëvizjes, si një strategji kombëtare në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore.

•             Krijimin e sportelit të shërbimit publik pranë Qendrës Kombëtare  të Qendrave të Informimit Publik për regjistrimin online të pasurive kulturore kombëtare

•             Lehtësimin e procedurave për shërbim publik ndaj qytetarëve lidhur me regjistrimin e veprave të artit dhe të objekteve të trashëgimisë kulturore në pronësi të tyre si dhe publikimin e pasurisë kulturore shqiptare.

•             Ndërveprimin në Gov-net për ofrim dhe marrje shërbimi.

Zgjerimi me Qendra Rajonale dhe krijimi i Sistemit informatik kombëtar të adminstrimit të pasurive kulturore ka një qënë një nga rekomandimet e lëna nga Banka Botërore në  vitin 1995, kohë kur dhe u krijua  Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore falë projektit të iniciuar po nga Banka Botërore.

 

RISITË E PROJEKTIT

•             Ndërtimi i një baze të dhënash e unifikuar dhe e strukturuar. Të dhënat e objekteve janë të struktuara dhe të kategorizuara sipas llojeve dhe kategorive në disa nivele. Kjo ndihmon që çdo e dhënë e objektit të jetë e raportueshme

•             Unifikimi i katalogëve në një bazë të vetme dhe identifikimi i objekteve pasuri kulturore me një kod unik.

•             Leje dhe transaksione për lëvizjen e objekteve. Sistemi lejon një nivel më të lartë të auditimit të gjendjes së objekteve duke e kthyer atë në një sistem transaksional.

•             Regjistrimi online i objekteve. Dhënia e shërbimit sa më afër qytetarit.

•             Ndërlidhje me institucionet. Akses për përdorues të jashtëm.  Janë përdorur standarte ndërkombëtare për kategorizimin e objekteve, kjo e bën më të lehtë ndërveprimin me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

•             Sistemi mund të ofrojë lidhjen me institucione të tjera si Policia, Dogana dhe Interpoli nëpërmjet shërbimeve Web Service. Zotërues, Autorë apo Pronarë  objektesh do të mund të kenë akses në sistem për të parë vetëm objektet e tyre.

•             Denoncime për humbjet e objekteve. Platforma e regjistrimit gjithë denoncimet për të gjitha objektet e humbura, të vjedhura etj. nga Institucionet Kombëtare dhe Ndërkombëtare që operojnë brenda dhe jashtë RSH.

•             Një sistem bashkëkohor dhe i standartizuar për të pranuar ndryshimet dhe zhvillimet e teknologjisë në të ardhmen dhe implementimin e tyre.

 

VIJIMËSIA E FUNKSIONIT DHE MISIONIT TË PROJEKTIT 

Përfshirja e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Rrjetin Rajonal të Qendrave të Katalogimit brenda vitit 2018. (Sistemi Informatik Kombëtar i Administrimit të Pasurive Kulturore i ndërtuar bazuar në standarte ndërkombëtare do të mundësojë një bashkëpunim dhe komunikim në nivel rajonal për ndërveprim dhe përthithje të projekteve).

 

Projekte të aplikuara, të fituara dhe në proces zbatimi me Unesco-n.

Aplikime në Projektet IPA (QKIPK institucion partner)

6 Qendrat e Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare të krijuara nga projekti “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Rregjistrimin Online të Pasurive Kulturore”, tashmë janë funksionale dhe ushtrojë funksionin 6 specialistë të cilët kryejnë punën me përgjegjësi në lidhje me regjistrimin dhe katalogimin e pasurive kulturore shqiptare, falë projektit të aplikuar dhe fituar nga QKIPK me Ministrinë e Kulturës në “Programme of Participation in the activities of Member States 2016-2017” mbështetur nga UNESCO “Building capacities and promoting and digitized inventory of culture properties  and the fight against illicit trafficking of cultural properties” - “Ndërtimi i kapaciteteve dhe promovimi i inventarit të digjiitalizuar të pasurive kulturore dhe lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore”.

Nisur nga rëndësia e projektit dhe misionit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Ministria e Kulturës në projekt-ligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore e kthen QKIPK-në në një Institut të regjistrimit dhe katalogimit me sektorë eksporti dhe antitrafiku dhe 6 Qendrat e Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare si struktura të saj.