Postuar më: 20 Qershor 2016

Përmeti Multikulturor 2016

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor 2016”ka mbrritur në edicionin e tij të 14-të. Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor 2016” është e vetmja veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin e minoriteteve dhe etnive që bashkëjetojnë në vendin tonë. Eshtë zgjedhur qyteti i Përmetit pasi është qyteti që ka një diversitet kulturor, ku bashkëjetojnë e ballafaqohen kulturat e etnive të ndryshme si vendlindja e mjeshtrave të këngës popullore si Laver Bariu, Mentor Xhemali, Remzi Lela, etj., si dhe për të inkurajuar turizmin kulturor dhe promovuar ekoturizmin e  qytetit të Përmetit.

Ky edicion  do ketë një natë të veçantë, natën e parë, që do të promovojë muzikën me saze të grupeve muzikore të qytetit,  të cilët në kujtim të usta Laverit e mbajnë gjallë iso-polifoninë  dhe  gjallërojnë jetën kulturore  artistike të qytetit .

Në këtë edicion  i është kushtuar më shumë vëmëndje promovimit të kësaj trashëgimie nga moshat e reja,  pjesëtarë të grupeve  koreografike të shoqatave kulturore që janë anëtarë të CIOFF-it   duke promovuar me më shumë cilësi, finesë dhe elegance vallet dhe këngët popullore të hapësirës sonë kombëtare. Grupet pjesmarrëse në këtë edicion do të jenë :

Asambli “Kaltërsia”  Kamëz, një ansambël  pjesmarrës në shumë aktivitete  në Tiranë, Elbasan, Gramsh, Durrës, Pukë,  me mbi 30 veprimtari ndërkombëtare në Poloni, Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Bosnje & Hercegovinë, Austri, etj. ku ka ngritur flamurin kombëtar dhe ka promovuar në sheshet e këtyre qyteteve  kostumet dhe vallet e bukura shqiptare.

Grupi i valleve të fëmijëve të Korçës, me koreograf Bardhi Pojanin, përfaqësuar me shumë dinjitet në FFK Gjirokastër 2015, në shumë koncerte në TVSH e TV Lokale, me dhjetra koncerte në Greqi, Bullgari, Maqedoni, Kosovë, si dhe në Milano, në Panairin Ndërkombëtar Ekspo- Milano 2015, etj. Me kostume shumë cilësore  dhe valle elegante si Devolliçe,  Dardhare etj

Grupi i valleve të qytetit të Lushnjës “Syziu Folk Danc” me koreograf Leonard Syziun, grup shumë  cilësor, me kostume unikale, plot kolor e elegancë, i  përbërë nga mosha të reja e premtuese. Ka pak vite që është krijuar por në aktivitetin e tij përfshihen me dhjetra koncerte në si në  Festivalin “Aulona Folk” në Vlorë, në Kosovë,  Maqedoni,  etj. dhe  premton për  vitet që vijnë të promovojë trashëgiminë kulturore jomateriale të zonës e më gjerë.

Grupi i Shoqates “Qyperllinjte e Roshnikut” Berat, i cili ka prezantuar veten gjithnjë e më mirë jo vetëm në rajon por edhe jashtë si në Kosovë, Turqi, Poloni, Itali etj. Në këtë edicion natën e tretë, do marrin pjesë edhe disa grupe me saze si :                                                                  Sazet e Përmetit me klarinetistin Josif Shukallari, fitues i çmimit  “Laver Bariu” në muajin maj 2014, dhe çmimit “Novruz Nure” në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve Popullore zhvilluar  në qytetin e Korçës në maj 2016, pjesëmarrës në shumë aktivitete në Francë, Rumani, Greqi, Gjermani, Belgjikë,  me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore,etj.

Formacioni i Sazeve të Janinës me klarinetistin Kosta Verdhi, i cili vjen  për herë të dytë në këto 15 vjet festival, me nje repertor dy gjuhësh   që  promovon  diversitetin kulturor  në të dy anët e kufirit  shqiptar e grek.

Sazet e grupit “Oufri” të qytetit të Beratit me drejtues z.A.Mata, që sjell kryesisht muzikën qytetare beratase, me  një repertor aktiv në shumë veprimtari  kombëtare e ndërkombëtare, duke dhënë një ndihmesë në lidhjen më të mire të turizmit kulturor mes dy qytetete tona .

Nga Kosova do të kemi një dyshe valltarësh shumë profesionistë vëllezërit Rama që nën tingujt e daulles  zgjojnë shtojzovallet e eposit tonë të kreshnikëve dhe i sjellin mes spektatorëve përmetarë.

Në ditët e këtij festivali do ketë ekspozita, promovime librash për trashëgiminë kulturore, vizita në vende  monument kulture, si kisha, ura, kanione, etj. të cilat do të promovojnë këto monumente kulturore të zonës tek artistët pjesmarrës.

 Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës.

22-24 qershor 2016, Përmet