Postuar më: 26 Janar 2018

Nis viti kulturor Austri –Shqipëri 2018. Prezantohen 60 aktivitete kulturore

Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, fokusi do të vendoset te bashkëpunimi i ngushtë kulturor dhe shkencor midis dy vendeve. Qëllimi është të forcojë lidhjet kulturore austriake dhe shqiptare dhe të intensifikojë shkëmbimin ndërkulturor. Lidhja e ngushtë mes Austrisë dhe Shqipërisë do t’i prezantohet përkrahësve të kulturës, por edhe opinionit publik të interesuar për kulturën, duke ofruar kësisoj impulse të reja për ide kreative dhe bashkëpunime të qëndrueshme. Në përputhje me moton “Rizbulimi i të përbashkëtave” fokusi nuk qëndron vetëm në pikëtakimet historik, lidhëse, midis Austrisë dhe Shqipërisë, por mbi të gjitha në aspektet e miqësisë aktuale midis dy vendeve.

Ekspozita dhe konferenca shkencore pagëzojnë nisjen e Vitit Kulturor Austri-Shqipëri. Me një program tej mase cilësor ngjarjesh kulturore që ngërthejnë muzikën, historinë, operan, letërsinë si dhe me një gjeografi që shkon përtej kufijve të kryeqyteti, koncepti dhe kulminacionet e kalendarit të aktiviteteve u bënë publik nga Ministrja e Kultures, Kumbaro dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Sattler.

 “Armët e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu u ruajten në një muze të vjenes, dukeshin në fakt sikur ishin një ogur i mirë që edhe ringjallja kulturore e shqiptarëve të kishte një lidhje të fortë tek Vjena perandorake e shekullit XIX dhe XX” tha Ministrja e Kultures Mirela Kumbaro.

 “ Nuk është rastësi që këtë vit është zgjedhur Shqipëria pasi midis dy vendeve tona ekziston tashmë një lidhje e ngushtë politike me një histori të admirueshme bashkëpunimi në shumë fusha” theksoi Ambasador i Austrisë Johan Sattler.

Në këtë sfond, synohen të promovohen kryesisht arti, kultura dhe inovacionet bashkëkohore, dhe t’u kushtohet më shumë vëmendje artistëve të rinj dhe studiuesve nga Shqipëria dhe Austria. Ky program përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh në fushat e historisë, letërsisë, arteve të bukura, filmit, muzikës, medias, shkencës dhe dialogut ndërkulturor. Kalendari I aktiviteteve  përmbush një qëllim mjaft të veçantë:  të regjistrojë perspektivën e të përbashkëtës në një medium të qëndrueshëm, i cili jo vetëm mban gjallë kujtesën e të përfshirëve dhe pjesëmarrësve në këtë projekt, por është gjithashtu i disponueshëm si një pikënisje ideale për bashkëpunime të tjera të mëtejshme.

Të përbashkëtat mes dy vendeve do të rizbulohen përmes kulturës në më tepër se 60 aktivitete ku një mbështetje të fortë kanë dhënë institucionet partnere si Teatri i Operas dhe Baletit dhe Muzeu Historik Kombëtar e në mënyrë të veçantë, sopranoja Inva Mula e cila e ka nisur vitin kulturor në nëntor të vitit 2017 me koncertin “Tirana salutes Vienna”.

“Ishte vërtetë një shpalosje e artit shqiptar në Vjenë dhe nuk mjafton ky koncert për tu përsëritur në pallatin e kongreseve me datën 15 shkurt ku Vjena saluton Tiranen” tha Soprano inva Mula.

 Por ndërkaq protagonistë të kulturës që bëhet urë mes kombesh nuk do të jetë vetëm muzika me koncerte si Ballo Vjeneze,  apo koncerte jazzi por një vend të veçantë do të zërë edhe letërsia një program i kuruar nga autorja dhe përkthyesja shqiptare,  Lindita Komani.

Kalendari i aktiviteteve përfshin shkëmbime artistësh ku autorë të njohur të letërsisë austriake do të vijnë në Shqipëri për netët e letërsisë austriake. Viti Kulturor  Austri-Shqipëri 2018 nisi me konferencën

“Monarkia Austro- hungareze dhe Shqipëria në vitet 1916-18” ajo që solli fakte të reja të lidhjes historike mes dy kombeve tona.