Postuar më: 15 Maj 2018

Nis në Tiranë Festivali "Ditënetët e Librit”

Në datat 16 deri në 20 Maj, Klik Ekspo Group – UFI Member, lëviz objektivin drejt Librit: “Ditënetët e Librit” është Festivali Ndërkombëtar, që mëton të bëjë bashkë dhe fuqizojë trinomin “Autor – Botues – Lexues”, në një ngjarje të rrallë kulturore dhe edukative, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Libri dhe Botimet në një mobilizim gjithëpërfshirës në mbarë Ballkanin, Rajonin e dashur me karakteristikat e përngjashme e veçansitë, përfaqësuar në këtë pikëtakim përmes shkrimtarëve, botues, industrialistë, përpunues të fjalës së gdhendur në letër, sipërmarrje gjithashtu që kanë lidhje direkte dhe indirekte me fushën e pamatë të Botimit e të Librit.

Për pesë ditë me radhë, nga data 16 maj deri më 20 maj do të ketë një mori aktivitetesh ku do të mbledhin bashkë të gjithë botuesit, autorët, lexuesit, drejtuesit e institucioneve kulturore dhe promovuesit e librit dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Europë.

Në ceremoninë hapëse pritet të jenë të pranishëm ministrat e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

E veçanta e këtij eventi, në ndryshim nga panairet e tjera, është se kultura dhe libri do të jenë në qendër të një diskutimi të madh, ku do të përfshihen autorë, studiues, menaxherë dhe ekspertët: Do të ketë debate për letërsisë shqipe dhe të huaja, të tilla si “Kadare, vargje dhe prozë lirike”, “Adapto një autor”, “Sfidat e letërsisë bashkëkohore”, biseda me autorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do të diskutojnë me lexuesit. Risi përbën edhe prezantimi i klubeve të librit dhe të krijuesve të cilët për herë të parë do të paraqen në një event të tillë me stendat e tyre.

Kësaj radhe, në fokus do të jetë letërsia e Kosovës, ku pritet të jenë të pranishëm edhe autorë që do të prezantojnë krijimet e tyre në prozë dhe poezi si dhe drejtues të institucioneve kulturore në Prishtinë.

Në këtë maratonë të kulturës do të ketë diskutime për literaturën ekonomike, të cilën e lëvrojnë kryesisht universitetet private. Po ashtu, do të ketë edhe prezantime të bibliotekave publike të rretheve të ndryshme, ku do të paraqiten botime edhe të autorëve lokalë

Stenda e Fakultetit të Arteve Pamore do të vijë me një risi, ku do të jepen çmime për ilustratorin më të mirë, do të ketë diskutime për karikaturën, si dhe një prezantim të Akademisë së Filmit, i shoqëruar me debate për raportet mes filmit dhe librit.

Sigurisht, libri i sapo hedhur në qarkullim nga shtëpitë botuese do të jetë në qendër të panairit. Botimet më të fundit të Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Faik Konicës, dhe të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj.

Po ashtu, pritet të bëhen kujtesa (In memoriam) për përkthyes (si Halit Selfo) dhe autorë që nuk jetojnë më mes nesh.

Në fokus do të jenë edhe nismat e reja në fushën e librit dhe letërsisë, të tilla si aktiviteti “Lavd i librit” apo rezidenca letrare e Poetekës, e cila ka krijuar tashmë një traditë duke ftuar autorë në vendet e Ballkanit në Tiranë.

Bukinist-i është surpriza e radhës: Platforma online e librit shqip do të ofrojë kupona me vlerë 300 lekë për të gjithë personat që do të vijnë në panair përgjatë 5 ditëve dhe ata që do të bëjnë porositë, do t’ju ofrojë mundësinë për tu bërë Mik i Bukinist. Pra, secili lexues përfiton ulje të përhershme -10%, oferta ekskluzive, dhe shumë avantazhe të tjera. Po ashtu, për herë të parë prezantohen fituesit e konkursit “Libri më i mirë 2017”, të dalë gjatë një votimi online përgjatë tre muajve në gjashtë kategoritë: Romani shqip, romani i përkthyer, poezia shqipe, libri për fëmijë, libri non-fiction dhe libri për zhvillimin personal.

16-20 maj 2018, Muzeu Historik Kombëtar

Info: Kalendari i panairit