Postuar më: 28 Qershor 2017

Nis festivali “Vox Baroque”

Dokumentet e bashkangjitur

Festivali i Muzikës së vjetër “Vox Baroque mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival i kushtohet tërësisht repertorit barok. Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndveshtrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin e organizatorëve për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm.

Repertori barok ende sot ofron shumë hapësira për zbulime e thellime, të cilat do të manifestohen nga interpretuesit midis të tjerash mes shembujve të gjuhës e gjestualitetit barok. Interpretimi përmes një “assieme” të gjesteve ekspresive të cilat përdoreshin nga këngëtarët për të nënvizuar emocionet në tekstet e kantatave, do të na afrojë drejt atmosferës të skenave operistike. Në vitet ‘700 muzika hyn thellë në çdo shtresë të shoqërisë si kurrë më parë duke shënuar kështu emancipimin estetik, artistik e social të muzikës instrumentale.

Në këtë proces sheh të afirmuar kompozitorë Italian si Vivaldi, Scarlatti, Sammartini, ku kompozimet e tyre janë të pavarura nga këndvështrimi estetik, koherenca në formën muzikore e në të njëjtën kohë tepër të artikuluara. Këto elementë luajnë një rol vendimtar përkrah kompozitorëve të tjerë si Bach, Haendel dhe Telemann, duke përcjellë një trashëgimi dhe traditë të shkëlqyer në skenat ndërkombëtare. Ndaj dhe në këtë edicion të festivalit është menduar që një hapësirë e veçantë t’u dedikohet kompozitorëve italianë dhe në veçanti atyre napoletanë. Napoli është qytet që spikat në atë kohë për formimin e shumë kompozitorëve e këngëtarëve (XVII dhe XVIII) dhe kjo falë katër konservatorëve që ky qytet kishte. Në të njëjtën kohë Napoli shquhej për këngën popullore e cila kishte një prezencë të fortë dhe kjo vihet re dhe në artin figurativ të asaj kohe.

Shihet qartë që muzika luhej në rrugë ku përdorim të gjerë kishin instrumentet “a pizzico”. Tarantella qe një nga format muzikore më të dashura popullore ku bashkohej kantoja dhe vallja. Këtë muzikë të mrekullueshme do e sjellin në këtë festival grupet e njohura si: Collegium Pro Musica, Festa Rustica dhe trio Sonatas & Canzonas.

Hapja e festivalit këtë vit do të zhvillohet në Kalanë e Rozafës në Shkodër. Kryeqyteti do të presë muzikantët në tri data dhe ambiente të ndryshme si Reja e Foujimotos, Teatri i Kukullave dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

Petrolifera Italo-Shqiptare do të jetë shtëpia e muzikës për një prej koncerteve të festivalit.

Korça gjithashtu do të jetë një destinacion tjetër i rrugëtimit të këtij festivali së bashku me Beratin në hapësirat e Muzeut Onufri. Një itinerar muzikor dhe turistik për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë tingujt e kësaj muzike së bashku me bukuritë e vendeve ku kjo do të luhet, duke promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës.

2-11 korrik 2017, Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Vlorë