Postuar më: 08 Gusht 2017

Nis festivali DokuFest2017

Prizreni vazhdon të jetojë atmosferën e filmit, me festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”,në Prizren, që nisi në datën 4 gusht 2017 në kinema Lumbardhi. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së festivalit të filmit DokuFest 2017 ku ishin të pranishëm politikanë, artistë dhe pjesëmarrës të ftuar në këtë ceremoni. Ministrja Kumbaro u takua me politikanët Albin Kurti, Veton Surroi, etj si dhe realizoi disa intervista për mediat e Kosovës.

Përkrahje më të madhe për festivalin, të cilin e ka quajtur “pasaportë kulturore të shqiptarëve, ka kërkuar edhe Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

"Mbetet pa dyshim një nga sukseset e botës kulturore shqiptare, jo vetëm për nga cilësia e filmave dhe të ftuarve, por edhe për nga modeli i organizimit dhe i edukimit ku thjeshtësia kthehet në art, për nga fryma e kritikës së zgjuar, për nga vullnetarizmi emancipues, për nga niveli i komunikimit dhe i promovimit të Kulturës dhe njerëzve të saj. Dokufest është modeli që duhet mbështetur. por është dhe një superatmosfere!".

Nga rreth 250 filma, 13 do të jenë në programin e filmave kombëtarë.

Edicioni i sivjetmë, që temë kryesore ka “të ardhmen” ka filluar në mbrëmjen e 4 gushtit dhe do të zgjasë deri më 12 gusht.