Postuar më: 11 Qershor 2018

Ministrja Kumbaro prezanton Ermonela Jahon në UNESCO , si Ambasadore e Vullnetit të Mirë

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Kumbaro prezantoi zyrtarisht kandidaturën e
sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë ne UNESCO, dhe gatishmërinë e saj, për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s. 
Ajo theksoi se do të ishte në nderin e Organizatës që të angazhojë një grua dhe një artiste të këtij niveli për të punuar e ndikuar që kultura të mbetet urë komunikimi mes të rinjvë në mbarë botën dhe të luajë rolin që i takon në paqen dhe emancipimin e shoqërive në botë.